Kronikë

Vëllezërit nga Kosova dënohen me burg në Gjermani për falsifikimin e qindra dokumenteve

Vëllezërit shqiptarë dënohen me burg në Gjermani për falsifikimin e qindra dokumenteve

Dy vëllezër me origjinë nga Kosovë e që jetojnë në Gjermani, 32 dhe 38 vjeçarë, janë dënuar me nga mbi katër vjet burgim nga Gjykata në Stuttgart për 355 raste falsifikimesh të dokumenteve.

Ata thuhet se kanë falsifikuar dhe shitur dokumente, si certifikata të gjuhës dhe certifikata nga Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët për qindra njerëz. Sipas aktakuzës, ata dorëzuan dokumente të tilla në një bar në Backnang ose përmes një shkolle gjuhe në Ellwangen, ose ato i dërgonin me postë. Klientët paguanin deri në 2,300 euro për secilën. Në 220 prej rasteve, klientët ua kanë dorëzuar autoriteteve dokumentet e falsifikuara për të marrë leje qëndrimi ose për t’u natyralizuar.

Sipas gjykatës, ata kanë rrëfyer gjithçka që kanë bërë, madje edhe emrat e adresat e klientëve të tyre si dhe çmimet apo borxhet i kanë pasur të shkruara në një fletore. Të hyrat e tyre janë llogaritur të ishin 313,940 euro. Sipas prokurorisë, vëllezërit kanë kontaktuar me klientë përmes TikTokut, mes tjerash, raportoi "StN.de". 

Që nga viti 2008, secili imigrant që dëshiron një pasaportë gjermane duhet të futet në një test gjuhe për të dëshmuar se ka mjaftueshëm njohuri të gjuhës gjermane. Të huajt që aplikojnë për natyralizim priten të kenë njohuri të mira të gjuhës gjermane, ashtu që të komunikojnë në përditshmëri, në punë dhe me autoritete në Gjermani.

Vendimi i gjykatës nuk është përfundimtar. Të dy mund ta apelojnë. Megjithatë, dënimet me burg janë brenda kufijve të dakorduar pas një marrëveshjes ndërmjet mbrojtjes dhe prokurorit publik.