Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Akademik Rexhep Qosja përkujtohet si erudit i tejkohshëm

Në të dyja mbledhjet përkujtimore, fillimisht në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës e më pas në Institut, u konsiderua se figura si akademik Rexhep Qosja nuk i përkasin vetëm kohës në të cilën jetuan

Në të dyja mbledhjet përkujtimore, fillimisht në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës e më pas në Institut, u konsiderua se figura si akademik Rexhep Qosja nuk i përkasin vetëm kohës në të cilën jetuan

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës si dhe Instituti Albanologjik kanë nderuar veprën e akademik Rexhep Qosjes, i cili vdiq të enjten në moshën 89-vjeçare dhe u varros të njëjtën ditë në një ceremoni private. Në Akademi, ku Qosja ishte anëtar i rregullt, ai u vlerësua për rolin e tij në formësimin e vetëdijes kombëtare, ndërsa në Institutin Albanologjik u propozua që zyra e tij e punës të shpallet hapësirë muzeore. Në dy mbledhjet përkujtimore u vlerësua se vepra e tij mbetet në tekstet që lexohen, në debatet që vazhdojnë dhe në ndërgjegjen kolektive. Si prani e heshtur, por e përhershme në historinë dhe kulturën shqiptare. Thesar prej një eruditi të tejkohshëm

Në institucione si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e në Institutin Albanologjik ku vepra e akademik Rexhep Qosjes fliste, të premten sallat e tyre u bënë kujtesë e peshës shumëdimensionale të kontributit të tij. Përkujtimi ndaj tij qe moment reflektimi mbi një prej figurave më të rëndësishme të mendimit, letërsisë dhe kritikës shqiptare. Ai ishte më shumë se shkrimtar e studiues – ishte ndërgjegje e gjallë kombëtare, zë i artikuluar i së vërtetës dhe figurë që sfidoi kohët me guximin e tij intelektual.

Veprat e Qosjes mbesin dëshmi e fuqisë së mendimit kritik. Profili i tij prej studiuesi të letërsisë shkon përtej Akademisë e Institutit. Edhe në debate publike, në politikë e në diskursin kulturor.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në të dy mbledhjet përkujtimore, fillimisht në Akademi, e më pas në Institut, u konsiderua se figura si Qosja nuk i përkasin vetëm kohës në të cilën jetuan. Por se ato bëhen pikë referimi për brezat e tanishëm dhe ata që do të vijnë.

Akademik Qosja u konsiderua si figurë që për dekada të tëra mishëroi ndërgjegjen kritike dhe identitetin intelektual shqiptar.

Në dy institucionet shkencore u nderua me nga një minutë heshtje për jetën e kushtuar dijes dhe së vërtetës së studiuesit, shkrimtarit e  eseistit të ndjerë i cili vdiq të enjten dhe u varros në prani të familjes së ngushtë.

Kishte porositur që lajmi të bëhej i ditur veç pasi t’i jepet lamtumira në një ceremoni krejt private. Ishte 89 vjeç.

Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka-Pula ka thënë se akademik Qosja ka qenë më shumë se shkrimtar. Se ka qenë institucion më vete.

“Një zë i fuqishëm i arsyes kritike dhe një mbrojtës i palëkundur i së vërtetës. Humbja e tij nuk është vetëm humbje e letërsisë dhe e kulturës sonë, ajo përbën një humbje të madhe kombëtare, një zbrazëti që prek ndërgjegjen intelektuale të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen”, ka thënë ajo.

Mbledhja përkujtimore në nderim të akademik Rexhep Qosjes në Institutin Albanologjik të Prishtinës, të premten, më 24 prill 2026

Akademikja Shiroka-Pula ka thënë se vepra e Qosjes do të vazhdojë të jetë referues i rëndësishëm i dijes dhe burim frymëzimi për ata që besojnë në fuqinë e mendimit të lirë.

“Ai ndërtoi një opus të gjerë dhe të qëndrueshëm i cili jo vetëm pasuroi fondin tonë shkencor e letrar, por edhe kontribuoi në formësimin e vetëdijes sonë kombëtare në periudha vendimtare historike. Trashëgimia e tij mbetet një udhërrëfyes i çmuar, një pasuri e mendimit, krijimtarisë dhe integritetit që do të vazhdojë të frymëzojë brezat që vijnë”, ka thënë ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rolin vendimtar të Qosjes në formësimin e vetëdijes kombëtare dhe në përgatitjen e brezave për sfidat historike të viteve ’80 dhe ’90. Ai ka thënë se studimet e tij për gjuhën, letërsinë, historinë e folklorin shqiptar përgatitën breza për përballje politike e shoqërore.

“Kur nisi shpërbërja e Jugosllavisë dhe u shtua shtypja mbi shqiptarët, Rexhep Qosja u bë zëri më i spikatur akademik e intelektual shqiptar. Ai denoncoi në shtypin jugosllav dhe ndërkombëtar gënjeshtrat dhe propagandën e atyre intelektualëve serbë që do të shkruanin e përkrahnin memorandumin famëkeq të Akademisë Serbe të vitit 1986 dhe që përgatitën terrenin për gjenocidin që Serbia do të ndërmerrte në vitet ’90”, ka thënë kryeministri Kurti.

Është shprehur se Qosja u bë zëdhënës i popullit të ndaluar. Se i dha zë e guxim drejtësisë së protestave studentore.

“Ai ishte luftëtar i penës, artikulues i palodhur i ideve dhe këmbëngulës i mendimeve të veta. Ai shkruante dhe fliste për zhvillimet politike në trojet shqiptare, si për qëndresën paqësore në Kosovë, si për zhvillimet demokratike në Shqipëri e në Maqedoni të Veriut. Ai argumentonte se rilindja demokratike e shqiptarëve pas rënies së regjimeve komuniste dhe shpërbërjes së Jugosllavisë kishte plot pikëtakime me Rilindjen tonë Kombëtare  dhe se tani, si atëherë, duheshin synuar si zgjidhja e drejtë shqiptare ashtu edhe drejtimi në qytetërimin perëndimor”, ka thënë Kurti në mbledhjen përkujtimore në Akademi.

Akademik Ali Aliu, mik i afërt i Rexhep Qosjes, ka thënë se ai kishte krijuar e rikrijuar idetë moderne kombëtare të cilat përfaqësoheshin në veprën e tij madhore studimore, letrare, kulturore e politike.

“Akademik Rexhep Qosja, padyshim, me jetën dhe veprën e tij, zë vend të veçantë në historinë kombëtare, si njëra nga figurat qendrore të mendimit, krijimit dhe të reagimit intelektual, një figurë e shndërruar në simbol të identitetit modern nacional”, ka thënë ai.

Sipas akademik Aliut, vetë “biografia e akademik Rexhep Qosjes pasqyron ndjeshëm fatin individual e njëkohësisht fatkeqësinë shqiptare, të prerjes, krizave e ndarjeve të trungut etnik...”. Sipas tij, ato forcojnë bindjet e Qosjes për unifikimin e kombit nisur nga zhvillimi emancipues, gjuhësor, shpirtëror-letrar e politik.

Nderimi për Qosjen në mbledhjen përkujtimore në Akademi erdhi edhe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Akademikja Anila Hoda e ka vlerësuar Qosjen si një prej zërave më të fuqishëm në debatet publike për çështjen e identitetit, historisë, kulturës e zhvillimeve politike në Kosovë e Shqipëri. Ka thënë se ai me guxim e përgjegjësi trajtonte këto çështje.

“Akademik Rexhep Qosja ishte erudit i rrallë, një personalitet i jashtëzakonshëm i kulturës mbarëshqiptare, studiues i përkushtuar dhe shkrimtar i mirënjohur. Jeta dhe vepra e tij janë të lidhura pazgjidhshmërisht me historinë e mendimit shkencor, letrar dhe politik të botës shqiptare. Për më shumë se një gjysmë shekulli ai ishte zë i fuqishëm në jetën intelektuale dhe publike duke u shndërruar në një nga figurat më përfaqësuese të vetëdijes sonë kombëtare”, ka thënë ajo.

Gjuhëtari Hysen Matoshi ka thënë se pas Qosjes, e gjallë mbetet trashëgimia e tij shumëplanëshe që, siç është shprehur,  përbën njërin ndër thesaret më të çmuar kombëtar.

“Ai na përket të gjithëve. Në mënyrë të veçantë u përket brezave të pafund të shqiptarëve si një shenjë orientuese shtegtimi më të sigurt në ardhmëri. Janë më se 50 vepra dhe më se 20 mijë faqe të shkruara dhe të botuara, shumë prej tyre edhe të përkthyera në gjuhë të tjera, që e bëjnë akademik Rexhep Qosjen një autor të pa të dytë në historinë dhe në kulturën shqiptare”, ka thënë Matoshi, ish-drejtor i Institutit Albanologjik.

Veprës së Qosjes i është referuar si origjinale dhe të papërsëritshme.

“Veprat e këtilla origjinale dhe të papërsëritshme si manifestimi i vetëdijes së lirë autoriale, unike si krijimtari e gjithmbarshme, kanë një lidhmëri organike përmbajtjesore strukturore si vlera të kreativitetit shpirtëror e të racionalitetit mendor. Të gjitha këto bashkë e bëjnë akademik Qosjen një fenomen kulturor”, ka vazhduar ai.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, Fadil Grajçevci, ka kujtuar se e vërteta ishte forma më e lartë e dashurisë për popullin dhe kulturën e tij.

“Vepra letrare dhe shkencore e Rexhep Qosjes, ashtu si dhe vepra e tij jetësore në përgjithësi, është mbështetur gjithnjë në një normë morale që për të nuk ishte alternativë tjetër –  në të vërtetën. Mbrojtja e së vërtetës, atij thuaja në të gjitha rrethanat politike shoqërore nëpër të cilat kaloi populli shqiptar gjatë dekadave të fundit në Kosovë, në Shqipëri e më gjerë, shpeshherë i ka sjellë keqkuptime afatshkurtra e afatgjata të natyrave të ndryshme”, ka thënë Grajçevci.

Derisa ka thënë se Rexhep Qosja ishte i bindur në dashurinë e së vërtetës për popullin e tij e ka cituar shprehjen e të ndjerit: “E vërteta është mënyra e dashurisë sime për popullin tim dhe për kulturën e tij”.

Qosja ishte anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në Institutin Albanologjik ishte zgjedhur këshilltar shkencor, ndërsa kishte mbajtur edhe pozitën e drejtorit të institucionit. Në mbledhje është propozuar publikisht që zyra e tij e punës të shpallet hapësirë muzeore.

Në dy mbledhjet përkujtimore u vlerësua se vepra e akademik Rexhep Qosjes mbetet në tekstet që lexohen, në debatet që vazhdojnë dhe në ndërgjegjen kolektive. Si prani e heshtur, por e përhershme në historinë dhe kulturën shqiptare. Thesar prej një eruditi të tejkohshëm.