Për herë të parë në Kosovë, ka nisur interpretimi i plotë i ciklit të koncerteve për piano të Ludwig van Beethovenit. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit sllovak Peter Valentoviq, të mërkurën ka shpalosur përmes tingujve të pianos tri koncerte nga cikli i plotë, interpretimi i të cilit është parashikuar të shtrihet në dy net. Dy koncertet e mbetura do të zhvillohen të premten. Pesë pianistë kosovarë janë bërë pjesë e këtij projekti
Autobiografi muzikore konsiderohet cikli i koncerteve për piano i kompozitorit gjerman Ludwig van Beethoven, prej filleve klasike të tij si kompozitor e deri te zhvillimi kulmor i stilit muzikal. Jo veç për evolucionin e tij, por ky cikël ka rëndësi edhe për shkak se i ka dhënë hov zhvillimit të koncerteve për piano si forma interpretimi.
Për herë të parë në Kosovë, ka nisur interpretimi i plotë i këtij cikli duke mbushur hapësirën e Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë me energji dhe përqendrim. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit sllovak Peter Valentoviq, të mërkurën ka shpalosur përmes tingujve të pianos tri koncerte nga cikli i plotë, interpretimi i të cilit është parashikuar të shtrihet në dy net. Dy koncertet e mbetura do të zhvillohen të premten.
Pesë pianistë kosovarë janë bërë pjesë e këtij projekti, secili duke sjellë një nga koncertet për piano dhe orkestër të Beethovenit. Në mbrëmjen e parë, të mërkurën, janë interpretuar koncertet nr. 2, nr. 1 dhe nr. 4, ndërsa të premten do të vazhdohet me koncertet nr. 3 dhe nr. 5. Rëndësia dhe “magjia” e tyre nuk qëndron vetëm në notat që ka shkruar Beethoven, por në atë që përfaqësojnë ato për zhvillimin e artit, shpirtit njerëzor dhe bashkëveprimit midis njeriut e botës, teksa pamjet nga skena e Prishtinës tregojnë përgatitjen e kujdesshme të orkestrës, që në këtë rast është vendosur në një dialog të vazhdueshëm me pianistët.
Të shkruara në periudha të ndryshme të jetës së kompozitorit, ato janë secila me kontekste dhe me sfida të veçanta.
“Koncerti për piano nr. 2 në B major”, ndonëse bart numrin sekondar në listë, është kompozuar i pari. Edhe pse i ri, si 18 vjeç, Beethoven tashmë po e shtynte pianon në kufij të rinj teknikë, me pasazhe të gjata, ritme të çuditshme e me humor të gjallë. Kjo frymë është përcjellë edhe në sallën e mbushur të Pallatit të Rinisë.
Dirigjenti Peter Valentoviq, i cili për një kohë të gjatë ka qenë edhe pianist, i shpërblyer me shumë çmime, po bashkëpunon për herë të tretë me artistë të Kosovës. Kishte qenë i ftuar për performancë me piano në “Chopin Piano Fest” vitin e kaluar, për ta shoqëruar sopranon Ulpiana Aliaj në njërin nga koncertet e atij edicioni. Për herë të dytë në Kosovë, është ngjitur në podiumin e dirigjentit, për ta drejtuar Orkestrën e Filharmonisë gjatë inskenimit të operës “Carmen” në korrikun e sivjetmë. Tani për këtë cikël koncertesh eksperiencën e tij e ka cilësuar si të ngarkuar me përkushtim e disiplinë.

“Është hera ime e tretë këtu, kam kënaqësinë të jem pjesë e kësaj. Me pianistët kemi pasur shumë prova. Kemi përgatitur para tri javësh dhe sërish këtë javë. Ishte bashkëpunim shumë i mirë dhe progres i madh për pianistët dhe për orkestrën. Ishte mjaft e vështirë, sepse duhet të përqendrohemi tepër shumë, ta shoqërojmë çdo notë, ndonjëherë shkon më ngadalë, ose më shpejt, andaj duhet të jemi të përqendruar një mijë për qind”, është shprehur ai.
Mbrëmja është hapur me “Koncertin për piano nr. 2 në B-dur” nën interpretimin e pianistes Artemida Qarri. Vepra me tri tempe të interpretimit – “Allegro con brio”, “Adagio” dhe “Rondo: Molto allegro” – është më elegante, me humor, befasi dhe me kontraste më dinamike. Tash në 255-vjetorin e lindjes së kompozitorit, në Prishtinë vjen si konstrukt hapës i një ngjarjeje të rrallë muzikore në vend.
“Është kënaqësi gjithmonë, sidomos kur është një përvjetor i veçantë, siç është ky tani. ‘Koncerti numër dy’ është realisht koncerti i parë, të cilin e ka kompozuar kompozitori Beethoven dhe ka një karakter më ndryshe sesa këta të tjerët. Për mua ishte shumë kënaqësi, ishte nder e privilegj”, ka thënë pianistja Artemida Qarri, e cila në rrugëtimin e saj muzikor ka ndërtuar një identitet artistik që thur fuqinë e interpretimit virtuoz me ndjeshmërinë e thellë njerëzore.
Pas saj, ka nisur “Koncerti nr. 1 në C-dur”, me tonalitet të gëzueshëm e strukturë klasike, i strukturuar për interpretim në tri tempe, “Allegro con brio”, “Largo” dhe “Rondo: Allegro scherzando”. Ky koncert njihet për dialogun e ndjeshëm midis pianos dhe orkestrës, një bisedë që në këtë interpretim është shfaqur me delikatesë e qartësi nga interpretimi i pianistes Jeta Dumnica.
“Nuk jam një pianiste që është shumë aktive në skenë, sepse e udhëheq një shkollë të muzikës dhe kam qenë më pak aktive. Ka qenë mjaft sfiduese, Beethoveni është shumë i vështirë, mirëpo provat kanë qenë fantastike dhe gjithçka ka shkuar mirë. Ishte një koncert shumë i veçantë që nuk bëhet shpesh në botë dhe jam ndier shumë e privilegjuar që më kanë ftuar”, ka thënë pianistja e cila ka bërë një krahasim me interpretimin që kishte bërë para katër vjetësh të një koncerti nga cikli i Bachut. Prej vitit 2011, ajo ka themeluar shkollën e muzikës dhe artit “Misbah and Friends” në Prishtinë.

Mbrëmja është përmbyllur me “Koncertin nr. 4 në G-dur”, në interpretimin e Pranvera Hoxhës. Si vepër nuk nis me orkestër, por veç me piano duke sjellë një ritëm më lirik dhe revolucionar në formë me tri tempe interpretimi, “Allegro moderato”, “Andante con moto” dhe “Rondo Vivace”. Hoxha ka theksuar rëndësinë historike të kësaj nisme muzikore.
“Kjo mbrëmje është e veçantë për faktin se për herë të parë në Kosovë luhen krejt koncertet për piano, domethënë janë luajtur kohë pas kohe koncerti tre, pesë, katër, por jo kështu për dy mbrëmje të ndahen e të bëhet komplet cikli, në nderim natyrisht të 255-vjetorit. Qysh në muajin tetor ka filluar festa për ta nderuar krijimtarinë e Beethovenit dhe për mua ka qenë natyrisht shumë kënaqësi e madhe. Unë qysh e vogël i kam mësuar miniaturat e tij, veprat më të vogla, pastaj kam kaluar te sonatat dhe gjithmonë kam pasur kënaqësi ta luaj krijimtarinë e tij. Ka një stil të veçantë të kompozimit dhe gjithmonë ka sjellë risi në veprat e tij”, ka thënë ajo. Hoxha ka punuar si profesoreshë pianoje në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.

Në këtë mënyrë, Filharmonia e Kosovës ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në kalendarin e saj artistik, duke sjellë jo vetëm interpretim të përkushtuar, por edhe një përvojë edukative për publikun e gjerë që e ndjek me interes.
Ky cikël, që përmbyllet të premten me koncertet nr. 3 dhe nr. 5, nën interpretimin e Lirika Pulës dhe Misbah Kaçamakut, rikujton frymën novatore të Beethovenit dhe qëndrueshmërinë e institucioneve që i japin muzikës klasike vendin që meriton në skenën vendore, pavarësisht kushteve jo të favorshme.