Artistët e kuratorët kanë qenë të parët që i kanë zbuluar veprat që i japin formë edicionit të sivjetmë të bienales ndërkombëtare të artit “Autostrada Biennale”. Të shtunën gjatë gjithë ditës në prani të autorëve, ekspozitat janë hapur edhe për publikun, ndërsa krejt aktivitetet kanë kulmuar me sesion muzikor si festë e hapjes zyrtare e ngjarjes që zgjat deri më 5 tetor. Nëpër lokacionet përkatëse nëpër hangarë e nëpër Qendrën Historike të Prizrenit, artistët e secilës vepër kanë qenë aty për të shkëmbyer me publikun komente, shpjegime a përshtypje
Artistët e kuratorët kanë qenë të parët që i kanë zbuluar veprat që formësojnë edicionin e sivjetmë të bienales ndërkombëtare të artit “Autostrada Biennale”. Pas hapjes për profesionistët e artit, të shtunën “Autostrada Biennale” ka hapur galeritë e saj në Prizren për vizitorë e aktivitetet që kanë shënuar hapjen kanë kulmuar me sesion muzikor si festë e hapjes zyrtare të ngjarjes që zgjat deri më 5 tetor.
Nëpër lokacionet përkatëse nëpër hangarë e nëpër Qendrën Historike të Prizrenit, artistët e secilës vepër kanë qenë aty për të shkëmbyer me publikun komente, shpjegime a përshtypje.
Vatra Abrashi, bashkëthemeluese e “Autostrada Biennale”, është shprehur e kënaqur me interesimin e publikut për veprat.
“Jemi shumë të lumtur që po e hapim Autostrada Biennale për publik. Ekspozitat sot janë hapur prej orës dhjetë deri në orën pesë pasdite. Kemi pritur shumë mysafirë prej të gjitha vendeve të Kosovës dhe botës dhe jemi të lumtur që prej gjithë ndërmjetësuesve nëpër hapësira, po tregojnë që ka interesim të madh për ta parë ekspozitën”, është shprehur ajo.
Ka thënë se mbyllja e aktiviteteve të hapjes së ngjarjes krijon mundësinë që publiku të zbërthejë botëkuptimet artistike.
“Jemi të lumtur që po e përmbyllim ditën e hapjes edhe me muzikë. I ftojmë të gjithë vizitorët të vijnë, ta shohin ekspozitën, të bëhen pjesë e shumë programeve publike dhe të na përcjellin edhe nëpër rrjetet tona për t’i parë të gjitha programet që priten të shpalosen përgjatë tre muajve”, ka thënë bashkëthemeluesja e njëra prej drejtuesve të “Autostradës...”.
E ceremonia treditore e hapjes është kurorëzuar me sesion me muzikë elektronike në hangarin qendror të ngjarjes.
“Sot e kemi Ma Nu-në që është artist nga Italia. Ka qenë mbrëmje e bukur. Ndërsa tash po vazhdojmë me Oda Halitin. Publiku është i kënaqur, po vallëzojnë shumë dhe po na bëhet qejfi”, ka thënë Abrashi për KOHËN derisa ndeja ka qenë duke u zhvilluar në oborrin e hangarit kryesor të “Autostradës...”.
Krejt publiku është shumë afër artistëve dhe s’ndalon së vallëzuari nën ritmet e muzikës elektronike. Efektet me drita e laserë janë ftesa për t’u bashkuar në festën e bienales edhe për ata që gjenden në qendër a përreth.
Producenti italian, Manuele Roberto, i njohur në skenë si Ma Nu dhe DJ Oda Haliti, kanë argëtuar publikun e Bienales së artit bashkëkohor në Prizren deri në orët e vona.
Me të dalë në skenë Haliti, publiku është ndezur edhe më. Setin e saj e ka përshtatur me konceptin e bienales.
“Gjithmonë kujdesem që çdo set të jetë specifik për vendin ku luaj, pasi mendoj që publiku meriton të ketë çdo eksperienca unike muzikore. Seti ka qenë i kuruar veçanërisht për temën e këtij edicioni të bienales të kuruar nga Erzen Shkololli – ‘The Pulse of Time’. E kam nisur me ritmet e rrahjes së pulsit - duke miksuar muzikë eksperimentale dhe elektronike. Kam miksuar gjithashtu produksionet e fundit që i kam publikuar. Ishte ekstra kënaqësi me pa publikun duke m’i këndu traqet. Ne përgjithësi muzika ka qenë 'Leftfieled' e miksuar me ‘techno’”, ka thënë Haliti.
Është shprehur se për të është kënaqësi që të jetë pjesëmarrëse në ngjarje të tilla me muzikën e saj sepse, siç ka thënë, muzika i bashkon më së shumti njerëzit.
“Performanca e së shtunës shënon të tretën herë që performoj në Bienale, ndaj ishte rikthim i dyfishtë pasi kisha kohë që nuk performoja për publikun vendas, e ky moment rastisi edhe me një moment të veçantë në skenën e artit bashkëkohor në Kosovë, siç është kjo bienale që sa vjen e më shumë rritet në mënyrë cilësore. Jam shumë e nderuar që kam qenë pjesë e rrugëtimit të kësaj bienaleje që vijimisht ka pasur sukses në të sjellit artistë dhe eksperienca me shumë vlerë, sikurse ishte edhe ky vit pa dyshim”, ka thënë Haliti, e cila e ka rifreskuar publikun vendorë e të huaj me muzikën e saj.
“Kisha kohë që nuk performoja në Kosovë dhe më kishte marrë malli për publikun tonë, por siç ndodh në këto raste audiencat janë mikse dhe surprizuese, si nga vendi e nga bota. Komentet janë ato që secili artist i dëshiron pas performancës dhe gjithmonë i jam mirënjohëse publikut që di të shijojë e të gëzojë e kërcejë me muzikën time”, është shprehur DJ Oda Haliti më tej.
Edicioni i pestë i “Autostrada Biennale” po zhvillohet nën temën “Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës” dhe është kuruar nga kuratori e artisti Erzen Shkololli. Deri më 5 tetor, kur mbyllet ky edicion, do të zhvillohen programe edukative, shfaqje filmash në bashkëpunim me festivalin ndërkombëtar të filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest” si dhe me “Kontakt Collection” nga Vjena, midis ngjarjeve të tjera.
Të shtunën, kuratori Erzen Shkololli, artist e kurator i skenave të rëndësishme të artit ndërkombëtarisht, kishte thënë se tema e sivjetme i fton artistët të reflektojnë mbi kohën si përvojë personale dhe kolektive.
“Veprat janë zhvilluar pas një procesi kërkimor në Prizren dhe lidhen ngushtë me historinë, arkitekturën dhe tensionet e hapësirës. Çdo ndërhyrje është një përgjigje ndaj vendit dhe momentit – nga instalacionet që lidhen me trupin e artistit, te vizatime që përballin me kujtesën dhe identitetin. Ato nuk janë vetëm ekspozime, por pjesë të një rrëfimi që zhvillohet brenda qytetit”, kishte thënë ai.
Duke theksuar se ngjarja për të parën herë është kuruar nga një kurator vendor, qe shprehur se edicioni nuk synon spektaklin, por anën përmbajtjesore.
“Këtë edicion e bën të veçantë fakti se është konceptuar nga brenda — për herë të parë nga një kurator nga Kosova — me një ndjeshmëri të thellë ndaj kontekstit lokal. Kemi zgjeruar Bienalen në tre hangarë të rinj në ITP Prizren dhe kemi aktivizuar hapësira historike në qytet, duke krijuar një marrëdhënie të gjallë midis artit, arkitekturës dhe komunitetit. Përvoja ime në projekte të mëparshme na ka ndihmuar ta ndërtojmë një format që nuk sillet rreth spektaklit, por rreth procesit, përkatësisë dhe dialogut”, kishte shtuar ai.
Jo pak përmbajtjesore janë veprat e shpalosura në mega-galerinë e “Autostradës...”.
Veçohet programi publik që shënon mbylljen me programin treditor në bashkëpunim me Bienalen e Berlinit, të Stambollit e të Vjenës, si rrjedhojë e bashkëpunimit me Asociacionin Ndërkombëtar të Bienaleve, institucion ky ku bienalja nga Prizreni u anëtarësua në tetor të vitit të kaluar.