Filli i “Exile” është te ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri, ku trazirat përhapën një valë të re të ikjes duke i bërë shqiptarët azilkërkues në vende të ndryshme të Evropës. Por përtej kësaj, shfaqja mbërthen më vete edhe historinë e shqiptarëve të Kosovës, që më 1999 rreth një milion u deportuan dhunshëm nga forcat serbe. E, ky është rrëfimi që BKK-ja do ta shpalosë në Osaka të Japonisë. “Është një moment historik për institucionin tonë dhe një hap i rëndësishëm në drejtim të ndërkombëtarizimit të Baletit Kombëtar të Kosovës”, ka thënë drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi
S’ka shumë ditë që janë kthyer në New York dhe shpejt do t’ia mësyjnë një cepi tjetër të botës. Japonia është nikoqiri i radhës për balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës. Në Osaka do të interpretojnë shfaqjen “Exil”, nën koreografi të Eno Peçit. Në ditën e 11-të të këtij muaji do të interpretojnë në skenën e “ExpoOsaka 2025” një ngjarje tradicionale që bashkon njerëz nga e gjithë bota, në një prej panaireve më të mëdha që njeh globi. Performancat artistike janë po ashtu pjesë e programit.
Balerinët nga Kosova në këtë ngjarje do të dërgojnë një rrëfim ballkanik që do të interpretohet nga dhjetë balerinë. Filli i “Exile” është te ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri, ku trazirat përhapën një valë të re të ikjes duke i bërë shqiptarët azilkërkues në vende të ndryshme të Evropës. Por përtej kësaj, shfaqja mbërthen më vete edhe historinë e shqiptarëve të Kosovës që më 1999 rreth një milion u deportuan dhunshëm nga forcat serbe duke u bërë refugjatë në vendet e rajonit e përtej tyre. Shfaqja që premierën e kishte në dhjetorin e vitit 2019 në Prishtinë, mban vulën e një prej balerinëve e koreografëve me nam në Evropë, Eno Peçit.
“‘Exil’ ka lindur nga një ide, ka qenë një festival në Zvicër ku drejtori i asaj ngjarjeje donte të dinte për fëmijërinë time, dolëm te trazirat e viteve 1997-1998 dhe ai donte që unë të zhvilloja një koreografi me këtë koncept. Ky ishte fillimi i parë. Premierën e pati në Zvicër, pasi përfundoi, thashë se do ta bëjmë patjetër në Tiranë, pas Tiranës thamë se kjo pjesë patjetër do të shkojë në Kosovë”, do të shpjegonte Peçi, solist i Teatrit të Operës dhe Baletit në Vjenë.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka thënë se pjesëmarrja në një ngjarje kaq të madhe ndërkombëtare, ku popujt e ndryshëm prezantojnë kulturën dhe identitetin e tyre, është një mundësi unike për ta bërë të njohur zërin artistik të Kosovës në skenën botërore. Ka sqaruar se shfaqja “Exil”, me koreografi nga Eno Peçi, trajton temën universale të emigrimit.
“Një rrëfim që është thellësisht i njohur për historinë tonë si popull. Përmes gjuhës së trupit dhe emocioneve, ‘Exil’ sjell në skenë përvojat, sfidat dhe shpresat e atyre që largohen nga vendlindja e tyre. Kemi besuar se kjo vepër prekëse përçon me forcë mesazhin e përbashkët njerëzor – atë të kërkimit për dinjitet dhe jetë më të mirë”, ka thënë Kajtazi. Sipas tij, kjo do të jetë hera e parë që Baleti Kombëtar i Kosovës do të performojë në Japoni. E ka përshkruar si moment historik.
“Është një moment historik për institucionin tonë dhe një hap i rëndësishëm në drejtim të ndërkombëtarizimit të Baletit Kombëtar të Kosovës”, ka thënë Kajtazi.
Sipas organizatorëve, “ExpoOsaka 2025” është një ngjarje që bashkon njerëz dhe inovacione nga e gjithë bota, me qëllim që të adresohen çështjet me të cilat përballet njerëzimi në shkallë globale.
“Ekspozita më 1970, e para ndonjëherë në Japoni dhe Azi, u bë simbol i rritjes së shpejtë ekonomike të Japonisë dhe një nga ngjarjet më të lavdëruara të vendit”, shkruhet në ueb-faqen e këtij organizimi. Sivjet pritet që të kthehet komuniteti ndërkombëtar në Japoni nëpërmjet ngjarjes që ka nisur më 13 maj dhe vazhdon deri më 13 tetor. Synimet janë që nëpërmjet kësaj ngjarjeje të bëhet bashkimi i mendjeve botërore, përfshirë teknologjitë novatore, për të krijuar dhe komunikuar ide të reja. Po ashtu synohet zgjerimi i investimeve brenda vendit dhe jashtë bashkë me krijimin i inovacionit përmes aktivizimit të ndërveprimit njerëzor.
“Gjallërimi i ekonomive rajonale dhe i ndërmarrjeve të vogla e të mesme bashkë me mundësinë për të parë nga afër kulturën japoneze janë në mesin e qëllimeve”, shkruhet në ueb-faqen e organizatorëve. Mysafirët e këtij panairi ndërkombëtar, pos kulturës japoneze do të kenë mundësi që të shohin pak nga kultura shqiptare, nga institucioni i Baletit të shtetit më të ri në Evropë.
Muajin e kaluar balerinët kanë interpretuar në New York. Fryma e netëve të vallëzimit tango është rikthyer në metropolin botëror me një rrëfim ku vallëzimi tradicional i Amerikës Latine dhe nuancat e baletit modern janë në një gjuhë të përbashkët. Mozaikun e kësaj narrative e thurin balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës në bashkëprodhim me “Ajkun Ballet Theatre” për shfaqjen “Tango Nights”. Në teatrin “St. Jean” në New York, BKK-ja u kthye pas premierës që kishte atje pikërisht me këtë shfaqje në qershorin e vjetëm. Shfaqja qe pjesë e repertorit të “Ajkun Ballet Theatre”. Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës ndër vite kanë shpërfaqur punën e tyre në vende të ndryshme. Pos vendeve të rajonit ata kanë interpretuar edhe në skena të Francës, Zvicrës, Gjermanisë, Italisë, Austrisë Finlandës e deri në Kore të Jugut. Vjet serinë e debutimeve, BKK-ja me fragmente nga baleti klasik “Halili e Hajria” dhe veprat e fundit bashkëkohore “Aeon” dhe “Tango Nights” çoi traditën gjysmëshekullore në shtetin aziatik, pas debutimit në New York e në Lisbonë të Portugalisë. Në shtatorin e vitit të kaluar BKK-ja u prezantua në qytetin Cheonan që ndodhet rreth 80 kilometra larg kryeqytetit, Seulit. Festivali i vallëzimit “Cheonan World Dance Festival” i mbajtur prej 25 deri më 29 shtator, qe adresa e institucionit nga Kosova.