Para disa vjetësh, organizatorët e kishin gati të pamundur që të krijonin qoftë edhe një kontakt me disa emra që synonin, e në edicionin e 16-të ata vijnë me koncerte recitale. “Chopin Festi” tashmë e ka hartuar programin, sjell pianistë me nam, por mbi të gjitha një ngjarje si kjo, në edicionin e 16-të, e bën Prishtinën në pikëtakim rrugëtimesh muzikore botërore. Ka disa arsye për këtë
Prishtina sërish do të jetë qendër e muzikës klasike në pranverë, kur “Chopin Piano Fest” hap programin e edicionit të 16-të. Publiku do të ketë mundësi të përjetojë një udhëtim të pasur me koncerte që sjellin në skenë pianistë dhe artistë të njohur ndërkombëtarisht, duke e shndërruar kryeqytetin në pikëtakim të kulturave dhe traditave muzikore. Datat tashmë janë lansuar: prej 7 majit deri më 10 qershor.
Si gjithmonë, festivali mbetet i përkushtuar ndaj botës së pianos dhe repertorit të pasur që ky instrument ka krijuar ndër shekuj. Kësisoj, festivali vjen dukshëm me emra të mëdhenj të botës pianistike. Kontaktet e reja si rrjedhojë e pranisë së dy pianisteve udhëheqëse, Lejla Pula dhe Besa Luzha, në mbledhjen e Federatës së Shoqatave Chopin kanë ndikuar në programin e edicionit të sivjetmë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ne patëm biseduar kur ishim në mbledhje të Federatës se si po vlerësohet puna e Shoqatës Kosovare dhe mandej pianistët e njohur që ashtu-kështu frekuentojnë këto festivalet e këtyre shoqatave të tjera. Tashmë kanë fituar një besim, një siguri dhe për ‘Chopin Piano Fest’ në Prishtinë, dhe po flas për disa që para disa vjetëve s’kemi mundur as t’i kontaktojmë, e që sivjet i janë përgjigjur pozitivisht ftesës sonë për të marrë pjesë”, ka thënë drejtoresha e përgjithshme e festivalit, Besa Luzha.
Në tetor të vitit të kaluar, arritjet e “Chopin Piano Fest” bashkë me prezantimin e artit në Kosovë ishin shpalosur në federatën ndërkombëtare të shoqatave “Chopin”, ku festivali nga Prishtina është i anëtarësuar. Në Asamblenë e Përgjithshme të saj, dy pianistet udhëheqëse të tij, Lejla Pula dhe Besa Luzha në vendlindjen e Frédéric Chopinit, Żelazowa Wola në Poloni, patën ndarë përvoja e patën promovuar trashëgiminë muzikore të vendit, në institucionin prestigjioz muzikor, peshën e të cilit e dëshmon anëtarësia në Këshillin Ndërkombëtar të Muzikës në UNESCO.
Sipas Luzhës, kështu programi po pasurohet, sofistikohet e po rritet niveli i tij. “Në bazë të edicioneve të kaluara dhe emrave të shquar që kanë marrë pjesë, po rritet edhe interesimi i pianisteve dhe i muzikantëve të tjerë për të marrë pjesë në festival”, ka thënë ajo.
Kësisoj, festivali do të hapet me koncertin e dyshes italiane “Duo Gazzana”. Violinistja Natascia Gazzana dhe pianistja Raffaella Gazzana do të sjellin një program që bashkon elegancën e violinës me thellësinë e pianos, duke i dhënë festivalit fillim artistikisht të fuqishëm.
Unik për skenën vendore të muzikës klasike dhe përjetim i veçantë paralajmërohet të jetë koncerti “Chopin in Vienna”, ku do të interpretojnë pianistja Natalia Rehling dhe sopranoja Zuzanna Mika, një bashkëpunim polako-austriak që ndërthur traditën romantike me elegancën vokale.
Luzha e ka konsideruar atë si mbrëmje interesante e mbase edhe premierë në Kosovë.
“Dy polake që jetojnë në Vjenë, pianiste dhe soprano, e kombinojnë konceptin e tyre edhe me veprat për piano, por sopranoja i këndon këngët e Chopinit. Chopin, siç e dimë, ka shkruar shumë për piano, por e ka edhe një cikël të këngëve solo, që janë shumë të veçanta dhe këtu asnjëherë deri tash nuk i kemi pasur të performuara prej dikujt”, ka thënë ajo, duke theksuar se në kuadër të këtij edicioni të “Chopin Fest” në Prishtinë gjithashtu po zbatohen propozimet e mbledhjes së Federatës së Shoqatave Chopin për shkëmbim artistik.
”E veçantë është edhe sepse pianistja është zëvendëskryetare e Shoqatës së Chopinit në Vjenë. Kështu që kjo e shënon çfarë kemi thënë në Poloni, që tash shoqatat kanë marrë vendim të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën edhe pritet në të ardhmen që edhe ne ta çojmë një program në një vend tjetër”, ka thënë Luzha.
Programi vazhdon më 14 maj me një duet të veçantë instrumental: kitaristi slloven Timotej Kosovinc dhe violonçelistja greke Cristina Basili do të sjellin një mbrëmje me ngjyra të ndryshme tingujsh dhe dialog muzikor mes dy instrumenteve.
Në javët që pasojnë, skena e festivalit do t’u përkasë pianistëve solistë. Recitali i parë do të interpretohet më 18 maj nga pianisti francez, Ingmar Lazar. Më 21 maj do të performojë pianisti nga Mali i Zi, Boris Kraleviq, ndërsa më 25 maj publiku do të dëgjojë një nga pianistët më të spikatur të brezit të ri evropian, sllovenin Alexander Gadjiev. Po ai është ndër shembujt e produktivitetit të pjesëmarrjes në mbledhje të federatës.
Udhëheqëset e festivalit kishin provuar disa herë ta sillnin atë në Prishtinë. Sivjet ai përfundimisht u bë pjesë e listës së figurave të shquara që ndërtojnë mozaikun e programit të festivalit. Njëjtë ngjan edhe me pianistin nga Gjeorgjia, David Khrikuli, i cili mban koncert recital më 28 maj e më pas programi vazhdon po ashtu me koncert recital me pianisten hungareze, Alexandra Balog, më 31 maj, duke sjellë interpretime që pasqyrojnë stile dhe tradita të ndryshme pianistike.
Edhe këtë vit, festivali ruan disa prej ngjarjeve të tij tashmë tradicionale. Më 3 qershor do të mbahet mbrëmja kushtuar laureatëve të rinj, një platformë që promovon talentet e reja të muzikës klasike, ndërsa më 5 qershor rikthehet “Skena Iuvenis”, hapësirë ku artistët e rinj prezantojnë vizionin e tyre artistik.
Një nga momentet më të veçanta të edicionit do të jetë më 7 qershor, kur balerini i njohur Eno Peçi dhe balerina Mergime Morina do të performojnë nën tingujt e pianos së pianistes austriake, Maria Radutu, duke krijuar një ndërthurje të rrallë mes muzikës dhe baletit në skenën e festivalit.
Edicioni i 16-të do të përmbyllet më 10 qershor me koncertin tradicional në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës. Orkestra do të drejtohet nga dirigjenti francez, Aurelien Azan Zielinski, ndërsa solist në piano do të jetë pianisti virtuoz turk, Fazil Say, një nga emrat më të njohur të skenës ndërkombëtare.
Për Besa Luzhën, ky koncert është një lloj kulmimi i edicionit të sivjetmë të festivalit.
“Ajo që është si kulminacion i këtij edicioni, është që vjen pianisti turk Fazli Say, është tepër nivel i lartë, posaçërisht që ai është edhe kompozitor edhe pianist. Është prej atyre niveleve që përnjëmend vështirë e zë njeriu. Ka kërkesa. Do piano grande dhe sivjet të gjitha ia kemi siguruar. Është vështirë ta sigurojmë edhe financiarisht, por po bashkëpunojmë edhe me Ambasadën turke në Kosovë”, është shprehur ajo.
Luzha ka bërë me dije se sivjet në kuadër të festivalit, krahas koncerteve, do të ketë edhe një ekspozitë, panele diskutimi e punëtori që fokusohen në shëndetin mendor.
Me një program që ndërthur traditën me bashkëkohoren, emra të mëdhenj të muzikës klasike me artistë të rinj në ngritje mblidhen në “Chopin Piano Fest” në Prishtinë për të 16-n herë për ta lidhur publikun me artistët në gjuhën universale që flet me piano.