Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Dy ura për librin e Kosovës në Leipzig dhe Washington

Biblioteka

Biblioteka Kombëtare e Kosovës e vazhdon traditën e përfaqësimit në Panairin e Librit në Lepizig ndërkaq librin shqip e dërgon edhe në Bibliotekën e Kongresit në Washington

Letërsia e Kosovës edhe sivjet do të prezantohet në një prej panaireve më të mëdha të Evropës. Panairi i Librit në Leipzig, i cili sivjet mbahet prej 19 deri më 22 mars, konsiderohet një prej ngjarjeve më të rëndësishme letrare në Evropë, ku çdo vit prezantohen autorë dhe perspektiva të ndryshme letrare, e me këtë edhe vetë kultura e një shteti. Një tjetër ngjarje nëpërmjet Bibliotekës Kombëtare i çon autorët shqiptarë në bibliotekën më të madhe të botës – Bibliotekën e Kongresit në Washington

Për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” është e qartë se qarkullimi i ideve dhe skenës kulturore luan rol të pazëvendësueshëm në ndërtimin e urave të komunikimit ndërkombëtar. Dy ngjarjet e fundit – pjesëmarrja e radhës në Panairin e Librit në Leipzig dhe zgjerimi i bashkëpunimit me Bibliotekën e Kongresit në Washington – e dëshmojnë këtë rol përmes shkëmbimit të librave.   
Letërsia e Kosovës edhe sivjet do të prezantohet në një prej panaireve më të mëdha të Evropës. Panairi i Librit në Leipzig i cili sivjet mbahet prej 19 deri më 22 mars,  konsiderohet një prej ngjarjeve më të rëndësishme letrare në Evropë, ku çdo vit prezantohen autorë dhe perspektiva të ndryshme letrare, e me këtë edhe vetë kultura e një shteti. 

Sivjet, fokusi tematik i Panairit lidhet me letërsinë e rajonit të Danubit dhe të Evropës Juglindore, duke krijuar një hapësirë të veçantë për zërat e kësaj pjese të kontinentit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, ka theksuar rëndësinë e kësaj teme për prezantimin e letërsisë kosovare.

“Tema e Leipzigut në përgjithësi është ‘Letërsia përreth brigjeve të Danubit dhe letërsia në Evropën Juglindore’. Diversiteti i kulturave përreth këtij rajoni faktikisht dhe ne kemi konsideruar që në panelet tona të kemi një shumësi prezantimesh”, ka thënë ajo. 

Në Panair do të marrin pjesë disa autorë dhe studiues që përfaqësojnë breza dhe përvoja të ndryshme të skenës letrare në Kosovë. Mes tyre janë autorja e re Jehona Kicaj, e cila me “ë” në gjermanisht, ka arritur sukses të dukshëm me librin e saj të parë. 

Gjithashtu, në Leipzig marrin pjesë: shkrimtarja e studiuesja Majlinda Bregasi, studiuesja dhe kritikja letrare Meliza Krasniqi, antropologia dhe poetja Eli Krasniqi, autorja shumëdimensionale Nerimane Kamberi si dhe poeti Arbër Selmani. 

Sipas Rogova-Gaxhës, përzgjedhja e autorëve nuk është bërë mbi baza gjinore, por mbi përfaqësimin e një spektri të gjerë zërash. 

“Nuk e kemi bërë diferencën në kuptimin e gjinisë, por thjesht kemi zgjedhur autorët që kanë qenë aktivë dhe që paraqesin diversitet të ndryshëm të skenës letrare shqipe në Kosovë, në mënyrë që t’i ofrojmë publikut gjerman dhe atij të huaj këtë ngjyrshmëri të zërave të letërsisë sonë”, është shprehur drejtoresha e BKK-së, duke bërë me dije se kanë dërguar ftesa te shkrimtarë të tjerë të cilët nuk kanë mundur të marrin pjesë. 

Programi i Kosovës në Panair përfshin katër panele diskutimi, dy të organizuara nga vetë Biblioteka Kombëtare dhe dy në bashkëpunim me rrjetin kulturor “Traduki”. Njëri nga panelet, me titull “Kujtesë e kontestuar, zëra të lidhur: Letërsia dhe politika në Ballkan” i cili trajton mënyrën se si përvojat e migrimit, identitetit dhe historisë ndikojnë në krijimtarinë letrare. Panelistë janë Jehona Kicaj, Majlinda Bregasi dhe Nerimane Kamberi. 

Sipas drejtoreshës së BKK-së, aty shfaqen pikëvështrimet e autorëve dhe integrimi i tyre në një kulturë të re. 

“Ndoshta këto tri diversitete përbëjnë, japin pikërisht ngjyra të ndryshme, të cilat na ndihmojnë neve të kuptojmë dhe prezantojmë më shumë se si letërsia në Ballkan apo në Evropë lidhet dhe gërshetohet gjithnjë me politikën. Ndaj ne jemi munduar që këto zëra, pra të autorit që është gjithnjë i mërguar apo një i huaj në një vend tjetër, ai t’i paraqesë  përvojat e veta, pikëvështrimin e vet, integrimin e vet në një kulturë të re dhe mënyrën se çfarë ai autor përcjell, pra nga Kosova në një letërsi e një skenë tjetër”, është shprehur ajo. 

Ndërkohë, paneli tjetër me temë “Gjuhë të vogla, histori të mëdha: Letërsia shqipe në kontekst global” diskuton sfidat dhe potencialin e letërsisë së vogël shqipe në kontekstin global. Panelistë janë Arbër Selmani, Meliza Krasniqi dhe Eli Krasniqi

“Ne e dimë se letërsia shqipe është pak apo aspak e përkthyer në gjuhë të tjera. Dhe ku qëndron kjo letërsi e vogël, e cila ka ide të mëdha realisht dhe vepra të jashtëzakonshme në kontekstin global? Këtyre pyetjeve përpiqemi t’u japim përgjigje përmes këtij paneli”, ka theksuar Rogova-Gaxha.
Përveç diskutimeve, në stendën e Kosovës do të prezantohen më shumë se njëqind tituj të përzgjedhur nga botimet e fundit të krijuesve vendorë si dhe të institucioneve shkencore dhe shtëpive botuese në vend. Kjo përzgjedhje synon të paraqesë një panoramë të plotë të prodhimit libror në Kosovë, nga letërsia artistike deri te studimet shkencore dhe periodiku.

“Ky panair është një mundësi shumë e mirë për Republikën e Kosovës për të krijuar ura komunikimi dhe bashkëpunimi me shtete të tjera në Perëndim”, ka konsideruar tutje drejtoresha Rogova-Gaxha, duke shtuar se interesimi për kulturën dhe letërsinë kosovare po rritet nga viti në vit. 
Panairi me traditë prej vitit 1632 e në formatin aktual që prej vitit 1946 pritet të zhvillohen më shumë se dy mijë ngjarje. 

Sipas drejtoreshës, titujt që do të prezantohen janë zgjedhur aso që e përfaqësojnë më së miri krijimtarinë letrare të vendit dhe jo vetëm. 

“Veprat ma reprezentative si në fushën e letërsisë, si në fushën e kritikës letrare, si në fushën e historisë, pra shkencore në studimet shoqërore. Apo kryesisht studimet shoqërore, por edhe periodikun, pra revista që botohen gjatë vitit, në revista kemi numër më të vogël, kemi përzgjedhur ato që botohen në periudha të caktuara”, ka thënë ajo. 

Bazuar në edicionin e kaluar të Panairin në Leipzig ku Kosova kishte marrë pjesë, edhe sivjet pritet interesim i madh për letërsinë e vendit. Siç ka thënë udhëheqësja e institucionit më të lartë të librit në vend, në Panair do të marrin pjesë edhe ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, zëvendësministrja Nora Arapi-Krasniqi dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti ku do të kenë takime me platforma ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në rrjetin letrar “Traduki”. 

Një tjetër ngjarje nëpërmjet Bibliotekës Kombëtare i çon autorët shqiptarë në bibliotekën më të madhe të botës – Bibliotekën e Kongresit në Washington. Me institucionin më të vjetër kulturor federal në Shtetet e Bashkuara të themeluar në vitin 1800, BKK-ja për dy vjet radhazi shkëmben tituj librash. Janë 41 tituj që Biblioteka e Kongresit i ka kërkuar nga BKK-ja. E kjo e fundit, për ta plotësuar numrin e titujve, ka plotësuar listën me gjithsej 87 tituj. 

Ndër veprat e kërkuara nga biblioteka me nam, janë “Kthimi i Xhemë Gostivarit” nga Teki Dervishi, “Rrjetet e kulturës: mbylljet dhe hapjet në Kosovë” nga Ibrahim Berisha, “Letërsi përtej mureve” nga Osman Gashi, “Modaliteti, veçoritë thelbësore në folklorin muzikor shqiptar”, “Veprat për orkestër harqesh të kompozitorëve kosovarë, 1958-2009” nga Kujtim Nushi, kompleti me vepra nga Arif Demolli, “Jetë e vdekje përqafuar” nga Agim Vinca dhe shumë të tjera. 

Në listën e titujve që do të bëhen pjesë e rafteve të bibliotekës në Washington janë edhe botimet e KOHËS. Aty janë “Ishte luftë” dhe “Të shtunën nga zgafellja” nga Flaka Surroi, “Viti i qirinjve” nga Veton Surroi, “Veç edhe sot” nga Eroll Shporta, “Unë vdiqa brigjeve të Jonit” nga Fatos Arapi, “Fadil Vokrri: Legjenda që nuk shuhet kurrë” nga Bekim Aliu, “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë” nga Enver Robelli dhe shumë të tjera. 

Ky komunikim ka nisur vitin e kaluar dhe tashmë po jep rezultatet e para konkrete. Sipas bibliotekares Gresë Maliqi, e cila ka hartuar listat, procesi funksionon përmes përzgjedhjes reciproke të titujve. 

“Është një komunikim që ka filluar vitin e kaluar. Fillimisht ua dërgojmë një listë me shumë tituj, ata i përzgjedhin librat që u interesojnë, ndërsa edhe ne marrim titujt që ata na i sugjerojnë. Në shkëmbimin e parë biblioteka jonë ua dhuroi njëzet e tre tituj”, ka bërë me dije ajo. 

Në këtë proces, siç ka thënë ajo, Biblioteka Kombëtare është përpjekur të përzgjedhë botime të reja dhe përfaqësuese për Kosovën, veçanërisht libra të autorëve shqiptarë të botuar në gjuhën angleze ose në gjuhë të tjera të huaja.

“Është një këmbim shumë i frytshëm i titujve, sepse për ne është shumë e rëndësishme që autorët shqiptarë të gjenden në Bibliotekën e Kongresit, gjë që nuk është e thjeshtë, sidomos për autorë që përpiqen të dalin përtej kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka theksuar Maliqi. 

Bashkëpunimi realizohet në koordinim me bibliotekaren e seksionit për Evropën Juglindore në Librarinë e Kongresit, Bilana Milenkoviq, dhe përfshin edhe koordinimin logjistik për dërgimin e librave me postë. 

“Është shumë gjë e mirë sepse Biblioteka e Kosovës edhe e Kongresit e bëjnë njëfarë shkëmbimi, i cili vazhdon sikur tash. Ne jemi prapë duke e rifilluar këtë këmbimin e titujve. Fillimisht ne ua kemi propozuar rreth njëqind tituj që jemi munduar t’i përcjellim prej shtëpive të ndryshme botuese dhe jemi munduar të përcjellim tituj më të rinj, tituj më interesantë, titujt që janë të shkruar për Kosovën, por në gjuhën angleze, ose në gjuhë të tjera, të autorëve shqiptarë”, ka thënë Maliqi. 

Ky rrjet bashkëpunimesh po zgjerohet gradualisht edhe me institucione të tjera prestigjioze ndërkombëtare. Një shembull është komunikimi i nisur me Bibliotekën e Univeristetit të Harvardit e cila ka kërkuar koleksionin “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe”, një vëllim i rëndësishëm dokumentues që përmbledh intervista me të mbijetuarit e kësaj tragjedie historike. Projekti i BKK-së qe promovuar vitin e kaluar. 

“Kur jemi te bibliotekat, po e përmendi edhe Bibliotekën e Harvardit. Ne e kemi filluar një komunikim me ta. Ata e kanë kërkuar prej nesh vëllimin e ‘Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe’, vëllim me dhjetë libra ku janë të mbledhura dyqind intervista që janë realizuar me të mbijetuarit e Masakrës së Krushës së Madhe dhe ne veç i kemi nisur, kështu që besoj që shumë shpejt do të mund t’i pranojnë”, ka thënë Gresë Maliqi nga BKK-ja. 

Pjesëmarrja në Panairin e Leipzigut dhe shkëmbimi me Bibliotekën e Kongresit janë hapa konkretë drejt qarkullimit të autorëve dhe historisë së Kosovës në bibliotekat e botës.