Kulturë

Epika si narrativë ballkanike dhe arnautët në Lindjen e Mesme

Epika si narrativë ballkanike dhe arnautët në Lindjen e Mesme

“Përmes epikes, mund të kuptojmë se si ka qenë situata sociale e ish-Jugosllavisë, e vendeve të Ballkanit, se si kanë qenë jetët e tyre. Shumica e tregimtarëve kanë qenë më profesionalë se të tjerët. Ramazani ka qenë festivali i tregimeve epike në Ballkan, dhe për t’u bërë narrator i tregimeve epike, duhej t’i dije 29 ose 30 tregime epike, për t’i kallëzuar ato nëpër kafene dhe kjo traditë ka vazhduar deri vonë”, ka thënë studiuesi Çobanoğlu

Me titull “Eposet heroike në kontekstin e Ballkanit dhe Albanologjisë” profesori universitar dhe akademiku turk, Özkul Çobanoğlu, të premten, ka mëtuar t’i informojë pjesëmarrësit në sallën e kuqe të Fakultetit të Filologjisë për ngjashmëritë dhe rrjedhjen kohore të tregimeve epike si zhanër i letërsisë gojore. Pas përfundimit të ligjëratës së profesorit turk, në sallën e kuqe janë mbledhur disa studiues për t’i paraqitur kumtesat e tyre para publikut të seminarit në tryezën e organizuar për studimet kulturore të arnautëve në Lindjen e Mesme

Lidhja e ngushtë e narrativës epike me zhvillimet shoqërore dhe kulturore ka qenë boshti rreth të cilit profesori universitar dhe akademiku turk, Özkul Çobanoğlu, e ka ndërtuar ligjëratën e tij në ditën e pestë të edicionit të sivjetmë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ai në mënyrë interaktive ka përshkruar dhe treguar proceset e narrativave epike. Me titull “Eposet heroike në kontekstin e Ballkanit dhe Albanologjisë”, kjo ligjëratë, të premten, ka mëtuar t’i informojë pjesëmarrësit në sallën e kuqe të Fakultetit të Filologjisë për ngjashmëritë dhe rrjedhjen kohore të tregimeve epike si zhanër i letërsisë gojore.

Në fjalën e tij, ai ka theksuar se epika, si formë e letërsisë gojore, është bartëse e kujtesës kolektive dhe mjet i të kuptuarit të shoqërive ballkanike ndër shekuj. Ligjëratën e ka drejtuar Nuran Malta-Muhaxheri, e cila ka lartësuar profilin e studiuesit dhe e ka falënderuar për praninë në këtë seminar.

“Ai është një nga studiuesit dhe shkencëtarët më të mëdhenj të studimeve letrare dhe kulturore në Turqi dhe e falënderojmë shumë për praninë e tij në Seminarin e Albanologjisë”, ka thënë ajo për profesorin universitar që në Kosovë vjen për herë të parë pas 25 vjetësh.

Özkul Çobanoğlu ka përfunduar studimet për gjuhë dhe letërsi turke në Ankara dhe ka vazhduar studimet në SHBA në Universitetin e Indianas në fushën e folklorit. Gjatë karrierës së tij akademike ka zhvilluar kërkime dhe ka ligjëruar në universitete të ndryshme të botës, duke kontribuuar në fushat e folkloristikës dhe kulturës popullore. Aktualisht vazhdon të ligjërojë në Universitetin Hacettepe në Ankara dhe është një nga figurat kryesore të folkloristikës turke.

“Shqiptarët kanë tregime epike të mrekullueshme”

Sipas tij, narrativat janë themeli i zhvillimit kulturor të njerëzimit, shumë përpara shkrimit dhe institucioneve të arsimit.

“Kjo formë që kemi tani për 300 mijë vjet dhe sipas disa shkencëtarëve, vetëm në 50 mijë vjetët e fundit, e kemi të folurit, e kemi gjuhën. Më parë, çfarë kemi përcjellë dhe si jemi zhvilluar kulturalisht, si jemi edukuar dhe si kemi mësuar nga gabimet tona? Në atë rast, narrativat, sidomos ato epike, janë mjetet e vërteta që kemi mbledhur. Kemi mësuar prej gabimeve dhe kemi mbajtur në mend”, është shprehur Çobanoğlu, i cili ka botuar një numër të madh veprash, duke përfshirë libra të rëndësishëm mbi teorinë e folklorit, traditat epike dhe letërsinë gojore dhe është autor i mbi 400 artikujve dhe kumtesave shkencore.

Një copëz e ligjëratës së tij është përqendruar te ngjashmëritë e mëdha të eposeve në rajonin e Ballkanit, ku të njëjtët heronj dhe tregime shfaqen në kultura të ndryshme, duke dëshmuar për një trashëgimi të përbashkët gojore.

“E dimë që shqiptarët kanë tregime epike të mrekullueshme, kanë edhe boshnjakët, serbët, kroatët, të gjithë, dhe nganjëherë heroi i njëjtë ose tregimi i njëjtë ka versione të ndryshme në secilin vend. Ju e keni ‘Mujin dhe Halilin’, e kanë edhe boshnjakët; ju e keni ‘Gjergj Elez Alinë’, e kanë edhe boshnjakët dhe të tjerët... prandaj këto versione janë shumë normale”, ka shtuar ai.

Kumtesat për arnautët në Lindjen e Mesme kanë rikujtuar se historia e shqiptarëve shpeshherë është shkruar larg vendlindjes. Përmes burimeve arkivore, raporteve dhe dëshmive të shpërnguljeve, studiuesit kanë sjellë në vëmendje një realitet që tregon se identiteti shqiptar është ruajtur dhe shfaqur edhe në kontekste të tjera kulturore e politike

Fleksibiliteti i narratorëve për përshtatje me audiencën

Sipas folkloristit, epika mund ta shpjegojë edhe jetën shoqërore të ish-Jugosllavisë dhe vendeve të tjera të rajonit, ku tregimtarët epikë kanë qenë figura kyçe të jetës publike.

“Përmes epikes, mund të kuptojmë se si ka qenë situata sociale e ish-Jugosllavisë, e vendeve të Ballkanit, se si kanë qenë jetët e tyre. Shumica e tregimtarëve kanë qenë më profesionalë se të tjerët. Ramazani ka qenë festivali i tregimeve epike në Ballkan, dhe për t’u bërë narrator i tregimeve epike, duhej t’i dije 29 ose 30 tregime epike, për t’i kallëzuar ato nëpër kafene dhe kjo traditë ka vazhduar deri vonë”, ka thënë Çobanoğlu teksa herë pas here bënte edhe ndonjë shaka të vogël për ta bërë publikun të qeshë.

Një tjetër dimension që ai ka spikatur ka qenë fleksibiliteti i tregimtarëve për ta përshtatur përmbajtjen e eposeve sipas audiencës.

“Shumica prej këtyre tregimtarëve i recitonin të njëjtat tregime epike në versione të ndryshme, varësisht prej audiencës. Nëse audienca ishte katolike, ata i ndërronin disa gjëra për t’iu përshtatur audiencës, nëse ishin myslimanë, ndërrohej versioni për ta. Audiencat përbëheshin prej burrave dhe tregimet ishin të dizajnuara për ta, më vonë kur botoheshin, i blinin gratë më shumë, dhe sigurisht kur recitoheshin më vonë, dilnin tregimet e njëjta me version tjetër të përshtatshëm edhe për gra”, ka thënë studiuesi i eposit.

Ligjërata e tij, e cila është pritur me interes të madh nga pjesëmarrësit e seminarit, ka ofruar një perspektivë të re mbi mënyrën se si epika nuk është thjesht një art i së kaluarës, por edhe një pasqyrë e gjallë e dinamikave shoqërore, kulturore e identitare të rajonit ballkanik. Ka shpalosur edhe rëndësinë e epikes si pasqyrë e shoqërive ballkanike në periudha të ndryshme, përveç dimensionit folklorik të saj, duke i vendosur tregimet epike në një kornizë krahasuese rajonale.

Arnautët në Lindjen e Mesme

Pas përfundimit të ligjëratës së profesorit turk, në sallën e kuqe janë mbledhur disa studiues për t’i paraqitur kumtesat e tyre para publikut të seminarit në tryezën e organizuar për studimet kulturore të arnautëve në Lindjen e Mesme. I pari e ka lexuar kumtesën e tij Elez Osmani, i cili ka treguar për kushtet e rënda pas shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi.

“Për gjendjen e arnautëve në Turqinë e re kemi një burim të dorës së parë në arkivin e patriotit Vasil Gërmenji, që e kam gjetur në Amerikë dhe e kam botuar vonë. Jeta e popujve tanë shqiptarë thuajse në të gjitha periudhat e rezistencës së saj, herë ka pasur vetëm njërën anë të drejtuar, herë tjetrën, kështu që ka mbetur nëpër arkivat e botës, pa u ndriçuar fare”, ka thënë Osmani në tryezën e përbërë nga shtatë studiues.

Feti Mehdiu ka prezantuar fill pas tij kumtesën me titull “Shqiptarët në Turqi: çështje që preokupon institucionet shkencore dhe obligon institucionet shtetërore” ku ka folur për karakteristikat e dy periudhave të vështruara me praninë e arnautëve në shtetin osman. Përmes kumtesës, janë paraqitur qasje të ndryshme të hulumtuesve dhe institucioneve shkencore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni ndaj pranisë së arnautëve në Turqi në shekullin XX, gjatë periudhës parakomuniste, komuniste dhe postkomuniste.

“Janë bërë botime të veçanta dhe botime sporadike, por në mbështetje të literaturës apo dokumenteve arkivore të gjetura në arkiva, pothuajse të dorës së dytë. Jam i bindur se tani janë krijuar kushtet që këto çështje të merren në shqyrtim mbi bazë të dokumenteve të dorës së parë, që ruhen në arkivat e Kryeministrisë në Stamboll, në Ankara, e të tjera”, ka thënë ai.

Pas tij kanë prezantuar edhe Ogur Bayraktar me kumtesën “Punonjësit e Perandorisë: Shqiptarët si të parregullt, të shquar dhe guvernatorë në epokën e vonë osmane”, Doğukan Oruç me kumtesën “Lindja e Mesme Osmane përmes syve të shqiptarëve: raporte, besnikëri dhe ndjeshmëri etnike në epokën hamidiane” dhe Muhamed Mufaku me temën “Prej Egjiptit deri në Siri: Historia dhe e tashmja e arnautëve”, teksa drejtues kanë qenë Abdulla Hamiti dhe Isa Memishi.

Kumtesat për arnautët në Lindjen e Mesme kanë rikujtuar se historia e shqiptarëve shpeshherë është shkruar larg vendlindjes. Përmes burimeve arkivore, raporteve dhe dëshmive të shpërnguljeve, studiuesit kanë sjellë në vëmendje një realitet që tregon se identiteti shqiptar është ruajtur dhe shfaqur edhe në kontekste të tjera kulturore e politike. Reflektimi mbi këtë temë e bën të qartë se studimi i diasporës shqiptare përveç se është çështje historike, është edhe një fushë e gjallë që pasuron të kuptuarit e lidhjeve ndërmjet Lindjes së Mesme dhe Ballkanit.

Në mbrëmje, po në sallën “Idriz Ajeti” ka mbajtur një ligjëratë studiuesja Eda Derhemi me temën “Fenomenet e ndryshimit gjuhësor me disa referenca për kallëzoren e lëkundur në disa të folme arbëreshe të rrezikuara”, teksa pas saj është shfaqur në “Kino Armata” një film artistik në gjuhën shqipe, në mënyrë që seminaristët e huaj të njihen më mirë me kulturën shqiptare.