Gati dy vjet pasi Komunës së Prishtinës i janë ndaluar punimet për atë që si projekt është “Ishulli urban”, që lidh “Arbërinë” me Pallatin e Rinisë dhe Sportit, kjo çështje është kontekstualizuar sërish. Ani pse ka tentuar të pajiset me leje, por i është refuzuar – pasi hapësira është brenda zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës dhe parcelat që preken nga projekti, vetë Komuna i ka ndarë për Teatrin e Operës dhe Baletit që në vitin 2022 – aty është tentuar të punohet sërish, është reprizuar ndalja e punimeve, janë rikthyer shiritat, e kryetarin Përparim Rama e enjtja e ka gjetur në vendpunishte me akuzat e njëjta se Qeveria po e bllokon
Sa më shumë që afrohet fushata elektorale për zgjedhjet e 7 qershorit, aq më i madh është polarizimi dhe akuzat. S’u shpëtojnë as institucionet e trashëgimisë kulturore. Kampioni i përplasjeve me to është Komuna e Prishtinës.
Gati dy vjet pasi këtij institucioni i janë ndaluar punimet për atë që si projekt është “Ishulli urban”, që lidh “Arbërinë” me Pallatin e Rinisë dhe Sportit, kjo çështje është kontekstualizuar sërish. Komuna e Prishtinës, pasi i janë ndaluar punimet në nëntor të vitit 2024, ka tentuar të pajiset me leje, por i është refuzuar, pasi hapësira është brenda zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës dhe parcelat që preken nga projekti, vetë Komuna i ka ndarë për Teatrin e Operës dhe Baletit që në vitin 2022.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor Komuna ka tentuar sërish të punojë dhe, sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore.
“Qeveria vazhdon, për çështje puro politike, ta bllokojë kryeqytetin, derisa në të njëjtën kohë u jep leje sektorit privat. Çfarë hipokrizie”, ka thënë kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të enjten paradite. Mëngjesi e ka gjetur pikërisht në atë lokacion, duke e akuzuar Qeverinë për bllokada.
Këto deklarata kanë ardhur vetëm pak ditë pasi është mbledhur Grupi Koordinues Ndërinstitucional për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore pikërisht për këtë çështje, për të shqyrtuar pse nuk po ndërmerren veprime nga shteti, pasi Komuna, sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, po shkel ligjin me atë projekt.
Reagimi i kryetarit Rama është bërë një ditë pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i ka ndaluar sërish punimet në atë lokacion.
Inspektorët, pas njoftimit që kanë marrë për punime në atë vend, të martën në orën 11:00 kanë dalë në vendin e ngjarjes. Kanë konstatuar se, përkundër faktit që vendimi i ITK-së për ndalim punimesh është në fuqi, Komuna e Prishtinës ka vazhduar punimet në hapësirën e aseteve të trashëgimisë kulturore, siç janë zona e mbrojtur e Qendrës Historike të Prishtinës dhe Pallati i Rinisë dhe Sportit.
“Punimet janë zhvilluar pa leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore”, është konstatuar në procesverbal. Personi përgjegjës në vendpunishte, L.Sh., ka deklaruar se punimet kanë filluar më 16 janar të këtij viti, pas takimit të mbajtur në zyrën e kryetarit Rama.
“Të zbatohet vendimi i ITK-së, i cili është në fuqi”, është masa e shqiptuar në bazë të procesverbalit të mbyllur në orën 11:30. Më pas, inspektorët i kanë vendosur shiritat që ndalojnë punimet.
Në fund të tetorit të vitit 2024, Qeveria ka themeluar Grupin Koordinues Ndërinstitucional për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, pjesë e të cilit janë Ministria e Kulturës, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Policia e Kosovës. As ky grup s’po bën punë.
Prej shkurtit 2025, Ministria e Kulturës ka dorëzuar kallëzim penal për Komunën.
Më 2022, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte ndarë hapësirën prapa Pallatit të Rinisë si lokacion për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Projekti është duke u detajuar dhe ka kosto 2.5 milionë euro. Janë tri parcela. Ato preken nga “Ishulli urban”. Por marrëveshja ndërinstitucionale nuk ka ecur mirë gjatë rrugës.
Në nëntor të vitit 2024, Komuna kishte nisur realizimin e “Ishullit…” duke manovruar me vendin ku planifikohej të nisnin punimet. Tabelat informuese për projektin Komuna i kishte vendosur matanë hekurudhës dhe rrugës automobilistike. Aty qenë pozicionuar edhe mjetet e rënda për të inauguruar punimet. Por hekurudha është vija kufitare midis “Arbërisë” dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.
Meqenëse edhe Pallati i Rinisë dhe Sportit mbrohet si monument, Inspektorati i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i kishte ndaluar punimet që me vendosjen e tabelave, pasi Komuna nuk kishte përfillur përcaktimet ligjore për marrjen e pëlqimeve nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Pasi i ishin ndërprerë punimet, nëpërmjet të cilave Komuna po bëhej gati për inaugurimin e projektit, institucioni kishte gjetur një zgjidhje: kishte zhvendosur tabelat matanë rrugës dhe hekurudhës dhe i kishte nisur punimet në “Arbëri”. Më pas kishte aplikuar për pëlqim, por Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve e ka refuzuar projektin me arsyetimin se është duke u hartuar Plani i konservimit të Zonës Historike të Prishtinës dhe se projekti i Komunës duhet rishikuar. “Ishulli…” kalon nëpër hapësirën e dedikuar për Teatrin e Operës dhe Baletit.
“Ne kemi qenë të detyruar që atë projekt ta dërgojmë në Prokurori në formën e kallëzimit penal. Komuna as nuk mund të nisë procedurë të prokurimit pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Faktet janë të qarta, andaj presim veprimet e organeve të drejtësisë”, kishte thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në shkurt të vitit 2025, kur ishte prezantuar projekti i “BIG Partners LTD” dhe “Alb Architects” për Teatrin e Operës dhe Baletit. Kallëzimi, sipas tij, është bërë për cenim të 2.5 milionë eurove, sa kushton edhe projekti.
Ligji për Trashëgiminë Kulturore, i miratuar që nga viti 2006, përcakton se për çdo intervenim në pronat e trashëgimisë kulturore duhet të kërkohet pëlqim ose leje nga institucioni kompetent. Në këtë rast, institucioni kompetent është Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
“Cilado ndërhyrje që ndikon në tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore.
Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme, për një periudhë të pacaktuar kohore, të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitekturor, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturore, ose që ndikon në mjedisin e një ansambli, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.
Në kallëzim penal, Ministria e Kulturës pretendon se, pavarësisht parregullsive, Komuna ka lidhur kontratë me punëkryesin e “Ishullit” në vlerë prej 6.5 milionë eurosh dhe deri në shkurt të vitit 2025 ka paguar 1 milion e 156 mijë euro. Ndërsa të enjten, kryetari Rama publikisht e ka akuzuar Qeverinë se po pengon një projekt që lehtëson jetën e mbi 30 mijë banorëve të “Arbërisë”.