Me ekspozitë të romaneve grafike e karikatura, shfaqje filmash, punëtori e aktivitete edukative, mysafirë të botës së romanit grafik në Prishtinë, kanë pasur në fokus kufijtë e lirisë. Se telashet me kufij janë vërdallë është dëshmuar të shtunën kur është dashur të anulohet konferenca me temë “An Iranian freedom fighter”. Karikaturisti Kianoush Ramezani, i cili jeton midis Parisit dhe Helsinkit, ishte ndaluar në Maqedoninë e Veriut dhe nuk u lejua të udhëtonte për në Prishtinë. Por ky s’qe i vetmi rast ku liria u testua në edicionin e sivjetmë
Me nënshkrime librash nga autorë të shquar të romanit grafik është mbyllur festivali ndërkombëtar që i dedikohet këtij zhanri letrar. “Gran Fest” ka mbyllur edicionin e shtatë të dielën në mesditë. Nën temën “Kufijtë e lirisë” që do ta trajtonte nëpërmjet ngjarjeve, tema është konfirmuar edhe në praktikë dhe kjo ka qenë midis të veçantave të sivjetme.
Me ekspozitë të romaneve grafike e karikatura, shfaqje filmash, punëtori e aktivitete edukative, mysafirë të botës së romanit grafik në Prishtinë, kanë pasur në fokus kufijtë e lirisë. Se telashet me kufij janë vërdallë është dëshmuar të shtunën kur është dashur të anulohet konferenca me temë “An Iranian freedom fighter”. Karikaturisti Kianoush Ramezani, i cili jeton midis Parisit dhe Helsinkit, ishte ndaluar në Maqedoninë e Veriut dhe nuk u lejua të udhëtonte për në Prishtinë. Nga Irani ka ikur në vitin 2009 dhe më 2010 i ishte miratuar azili politik në Francë. Siç shkruhet, kundërshtimi i tij ndaj ajatollahëve e bëri të pamundur kthimin e tij në Iran.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDrejtori artistik i “GranFestit”, Gani Jakupi, ka thënë se ngjarja e ka konfirmuar temën e edicionit.
“Jemi shumë të kënaqur se si ka shkuar, por kemi pasur edhe shumë probleme që kanë qenë bash në frymë të temës ‘Freedom boundaries’. Kemi pasur një karikaturist prej Iranit, që është themelues i shoqatës ndërkombëtare të karikaturistëve, është shumë i rëndësishëm. Kemi menduar që është më praktike ta sjellim nëpërmjet Shkupit, nga Helsinki. Por në Shkup e kanë arrestuar, kam biseduar me autoritet. Ai ka lejeqendrim në Francë dhe me të ka ardhur. Ka pasaportë të refugjatit e cila pranohet në çdo vend të botës. Kur e merr atë, duhet të heqësh dorë prej pasaportës kombëtare dhe ata ia kërkonin pasaportën e Iranit”, ka thënë Jakupi.
Ai është shprehur se asnjë liri nuk është e fituar përgjithmonë duke përmendur se është censuruar edhe ekspozita e festivalit e cila qe hapur më 8 maj në Galerinë e Arteve të Prishtinës në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve. Vepra e një artisti rus është dashur të shkëputet nga ekspozita sepse, sipas Jakupit, është keqkuptuar mesazhi i saj.
“Kjo tregoi kufirin e amshueshëm të lirisë. Asnjë liri nuk është e fituar gjithmonë, nganjëherë humbet. Gjithashtu kemi pasur edhe një pengesë, një reagim të punimit të një artisti rus i cili është oponent i Putinit, por njerëzit nuk e kanë kuptuar këtë. Ai madje i kritikon serbët duke i konsideruar më rus se rusët, kjo na konvenonte, por njerëzit nuk e kanë kuptuar dhe e kemi hequr”, ka thënë Jakupi.
Për “GranFestin” ka paralajmëruar program edhe gjatë vitit. Ka thënë se ndër pikat e festivalit është që të formësohen artistët e rinj.
“I kemi porositur katër artistë tanë të punojnë romane të shkurta grafike që do të mblidhen ne një botim të përbashkët. Synojmë të përfundojë në shtator e që është më e mira që mund ta përkthejmë edhe në frëngjisht, sepse jemi të ftuar në një nga festivalet më të mëdha në Francë. Mbahet në nëntor dhe duhet të jetë i përfunduar deri atëherë”, ka thënë ai tutje.
Me nënshkrime librash, të cilët ndahen falas, tradicionalisht edhe është mbyllur edicioni i sivjetmë. Në librarinë “Dukagjini” kanë qenë të shumtë të rinj e të rritur që kanë pritur për të marrë librat e nënshkruar.
Aty ka qenë edhe një nga autorët më të njohur francezë dhe më gjerë, Régis Loisel, i angazhuar edhe në “Walt Disney Studios” për filmat e njohur të animuar “Atlantis” dhe “Mulan”. Ka nënshkruar veprën e tij “Peter Pan” e cila edhe është promovuar në kuadër të festivalit.
Ka vendosur të thyej rregullin e tij në Prishtinë. Prej vitesh kishte hequr dorë nga rituali i të vizatuarit një figurë pranë nënshkrimit. Në Prishtinë, pranë dedikimeve të ndjera për lexuesit, firmosi edhe nga një “mini-karikaturë”.
“E nisa sërish për shkak të fëmijëve sepse atyre nuk mund t’ua shpjegoj përse nuk vizatoj më, sepse duhet t’i ruaj ndjenjat e tyre. Pasi nisa po e vazhdoj. Ky është rast i jashtëzakonshëm”, është shprehur Loisel, një nga autorët më të hershëm të romanit grafik. Me të merret që nga vitet ’70.
Stili që Loisel përdori për serinë e tij të famshme 'La Quête de l'Oiseau du Temps' është bërë një standard për artistët evropianë që punojnë në këtë zhanër. Në vitin 1972, Loisel debutoi në revistën “Pieds Nickelés”, ndërsa ndiqte kurse komike në Vincennes. Në vitin 1975 ai iu bashkua “Serge Le Tendre” në krijimin e versionit të parë të “La Quête de l'Oiseau du Temps” në “Imagine”. Ai punoi me “Walt Disney Studios” në filmat e animuar “Atlantis” dhe “Mulan”.
Për veprën e shpërndarë “Peter Pan” të përkthyer në shqip nga Gazmend Bërlajolli, ka thënë se është kritikë e rëndë sociale.
“Është libër për adoleshentë, por niset prej një rrëfimi për fëmijë, sepse edhe ‘Disney’ e ka trajtuar këtë. Pretendimi im nuk është të dërgoj mesazhe. Unë rrëfej tregimin, pastaj ata le ta kuptojnë atë. Qasja ime nuk është ‘Walt Disney’ edhe pse disa vizatime duken ashtu, por është një rrëfim shumë i rëndë për fëmijët e varfër në Londër. Duket zbavitëse, por në fakt është një kritikë sociale shumë e rëndë”, është shprehur ai derisa ka qenë duke nënshkruar e vizatuar në një libër që po e dhuronte.
Sipas tij, liria nuk ka kuptim nëse nuk është universale.
“Të gjithë duhet ta kenë lirinë të shprehen, të veprojnë, të jetojnë. Do të ishte ideale që të gjithë njerëzit të jenë të lirë në botë, por kjo, fatkeqësisht, nuk po ndodh”, është shprehur Liosel në fund.
Ai është themelues i shoqatës ndërkombëtare të karikaturistëve “United Sketches”. Jakupi e ka konsideruar si autor shumë të kërkuar.
“Është ndër më të mëdhenjtë në Francë për momentin. Seritë e tij shiten deri në dy milionë kopje. Kemi provuar ta sjellim për tre vjet, unë e njoh që nga vitet ’90. Është shumë i kërkuar. Publiku ka interes për veprën e tij në ngjarjen e fundit të këtij edicioni”, ka thënë ai.
Autori i skenarëve të romaneve grafike, belgu Denis Lapière, ka thënë se tema e festivalit është po ajo që trajton edhe në veprat e tij. Ka thënë se tash i intereson historia e kufijve të Kosovës.
“Një temë që i jam qasur në shumë prej veprave të mia të romaneve grafike. Njëkohësisht e kam zbuluar edhe më mirë historinë e Kosovës. E kuptoj atë më mirë dhe jam i interesuar të mësoj edhe më shumë. Këtu ka shumë çfarë të thuhet për kufijtë rreth Kosovës”, ka thënë Lapière i cili e ka vizituar Kosovën për herë të parë.
“Jam i lumtur që e zbuloj një qytet dinamik. Sa për festivalin, ndihem keq vetëm që nuk e di mjaftueshëm anglishten që të bisedoj sa më shumë me njerëzit. Jam autor e skenarist i romanit grafik. Janë mbi 15 vepra të punuara nga unë dhe unë prapë kam probleme me anglishten”, është shprehur ai.
Gjithashtu janë dhënë falas edhe veprat “Llavstori” nga Alcimar Frazão dhe Lobo e “Pilulat e Kaltra” nga Frederik Peeters.
“GranFest” është hapur të premten pasdite dhe ka zhvilluar programin edhe gjatë gjithë ditës së shtune.
Festivali ndërkombëtar i romanit grafik e nisi rrugëtimin e tij për herë të parë më 2019 bashkëthemeluar prej mjeshtrit të këtij zanati, Gani Jakupi. Nisi me idenë për të ringjallur artin e komikeve, por njëherësh duke refuzuar idenë e krijuar nga të rinjtë se librat komikë janë përshtatje e kinematografisë me superheronj apo të tilla si mangat japoneze.