Me Natascia Gazzanan në violinë dhe Raffaella Gazzanan në piano, publiku ka nisur përjetimin muzikor të asaj që është përshkruar si nata italiane e festivalit në hapje të edicionit të 16-të të “Chopin Piano Festit”. Ka qenë një dialog harmonie nëpër një itinerar stilesh e periudhash muzikore në ngjarjen e cila tejkalon formatin e një feste muzikore duke ngritur ura midis kulturave
Tashmë hyn te ngjarjet e mëdha dhe me traditë në vend. “Chopin Piano Fest” i sjell Prishtinës tingujt e skenave ndërkombëtare. Qysh në natën e hapjes së edicionit të 16-të, vërehet pesha që ka festivali me pianon në fokus. Në sallën e mbushur plot në Amfiteatrin e asaj që është Biblioteka Universitare në kryeqytet, festivali ka nisur rrugëtimin e ri njëmujor me 12 mbrëmje koncertale. Fjalimet përshëndetëse, jo të shkurtra, i kanë hapur rrugën përmbajtjes, ku dyshja italiane e njohur si “Duo Gazzana” ka nisur interpretimin.
Me Natascia Gazzana në violinë dhe Raffaella Gazzana në piano, publiku ka nisur përjetimin muzikor të asaj që është përshkruar si nata italiane e festivalit. Dyshja ka zgjedhur që mbrëmjen ta nisë me “Homazhin për Bachun” të kompozitorit ukrainas, Valentyn Silvestrov. Ai është një prej kompozitorëve bashkëkohorë ukrainas dhe në këtë vepër sjell melodi kontemporane që gjithnjë bazë e kanë klasiken. Bëhet fjalë për një vepër me doza minimaliste e ngjyrime që testojnë publikun, por edhe vetë instrumentistët.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDyshja italiane, e njohur për një karrierë të suksesshme dhe që prej Prishtinës ka udhëtuar drejt Varshavës për një tjetër koncert, i kanë sjellë “Chopin Piano Festit” veprën e Silvestrovit në kohë kur bota u bën homazhe edhe viktimave ukrainase si pasojë e agresionit rus në këtë shtet. Dyshja italiane s’e ka ndërruar shpejt gjeografinë, por stilin. “Sonata në G-dur, Op. 100” e Antonín Dvořákut, një prej veprave të njohura të tij për violinë dhe piano, ka ardhur si e dyta në program. Dvořáku shquhet për kompozimet e tij me bazë evropiane, por në këtë rast kjo vepër është punuar gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vërehen doza të ndikimit të atjeshëm. Bëhet fjalë për melodi të ngrohta dhe një dialog të barabartë midis violinës dhe pianos. Me atmosferë më intime e gjallëri jo aq të madhe, por gjithnjë me thellësi emocionale, vepra nën interpretimin e dyshes ka marrë vëmendjen e duhur. Aq sa mund të marrë vëmendje një interpretim në një sallë që veç për koncerte s’është menduar dhe me një publik ku muhabetet në dyshe s’janë të rralla edhe gjatë koncerteve. Madje, të enjten mbrëma, në një rast anëtarë të publikut, për t’i lënë muhabetet anash, kanë konsumuar edhe imtësira si kikirikët, duke shtuar “notat” e qeses së arroreve.
Dyshja, me njëfarë homazhi për traditën italiane, mbrëmjen e ka vazhduar me “Sonatën në A-dur” të Niccolò Paganinit, që është një vepër e cila pasqyron stilin virtuoz dhe brilant të kompozitorit, i njohur si një nga violinistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve. Sonata, edhe nëpërmjet lojës së motrave Gazzana, ka ardhur me virtuozitet, pasazhe të shpejta dhe sfiduese e melodi që kërkojnë goxha mjeshtëri për t’i nxjerrë në pah të gjitha ornamentet. Te kjo vepër fokusi kryesor është te violina, kurse pianoja shërben si mbështetje harmonike. Por, me pianon e re të sallës, sikur të dy instrumentet kanë ecur paralelisht.

Dyshja i është kthyer prapë gjeografisë së Evropës Lindore me “Pesë meloditë” e Sergei Prokofievit. E kompozuar në vitin 1920 si “Pesë këngë pa fjalë”, vepra është përshtatur nga vetë kompozitori i njohur rus për violinë dhe piano, duke i dhënë instrumentit të violinës rolin e “zërit” që këndon pa tekst. Shquhet për një stil lirik dhe intim, melodi të buta, shpesh melankolike, harmoni moderne dhe një dialog të ndjeshëm. Prokofievi hyn te kompozitorët që i sollën ngjyra moderne muzikës klasike. Edhe dyshja, që këtë vepër e luan jo rrallë, nxori me mjeshtëri detajet e kompozimit. Këtë vepër e kanë pjesë të albumit të fundit, të incizuar para dy javësh. Janë instrumentiste me shumë përvojë dhe qytetit i kanë sjellë “rikrijime” në interpretim të veprave. Por, ndoshta edhe për shkak të sallës, sikur s’ka pasur një magji shkëlqyese koncerti.
“Duo Gazzana” ka lëvizur më në veri të Kontinentit të Vjetër për ta mbyllur mbrëmjen. “Sonata nr. 3 në c-mol, Op. 45” e norvegjezit Edvard Grieg është një nga veprat më të fuqishme dhe dramatike për violinë dhe piano në repertorin romantik. Bëhet fjalë për një kombinim të thellë mes ndjenjës nordike dhe formës klasike. Drama e fortë e veprës është shpalosur qartë në interpretim, bashkë me kontrastet e theksuara. Intensiteti emocional, me ngjyrime të muzikës popullore norvegjeze, është deshifruar mjeshtërisht nga instrumentistët.
“Ishim shumë të entuziazmuara, pasi publiku na përcolli dhe ishte shumë i ngrohtë. Kjo është hera e parë në Prishtinë dhe në Kosovë dhe është kënaqësi që ishim sonte në hapjen e koncertit në këtë bashkëpunim me Ambasadën e Italisë. Ne vazhdimisht luajmë sonata, por donim edhe pak muzikë bashkëkohore si Silvestrov, që është kompozitor ukrainas, dhe donim të kishim edhe një homazh për vendin tonë duke zgjedhur sonatën e Paganinit. Kurse ‘Pesë meloditë’ e Prokofievit tashmë janë pjesë e albumit tonë të fundit, të publikuar para dy javësh”, ka thënë violinistja Natascia Gazzana.
Edhe pianistja Raffaella Gazzana e ka përshkruar energjinë e mbrëmjes.
“Energjia ishte tejet e mirë dhe vërtet jemi kënaqur. Stafi është shumë i dedikuar. Ka bërë më të mirën për ne dhe kjo na ka bërë të ndihemi shumë mirë. Gjithçka ka shkuar mirë dhe audienca ishte shumë e ngrohtë. Besoj që të gjithë janë kënaqur”, ka thënë ajo.
Me mbështetjen e institucioneve vendore dhe një sërë përfaqësish diplomatike në vend, organizatorët sivjet sjellin një program të pasur. Tashmë, sipas tyre, bëhet fjalë për një ngjarje emblematike të Kosovës.
“‘Chopin Piano Fest Prishtina’, ndër vite, është shndërruar në një ngjarje emblematike kulturore në Prishtinë, e cila me përmbajtjen e pasur artistike ka krijuar një identitet të fuqishëm. Me qëndrueshmëri ka krijuar besueshmëri tek audienca dhe te komuniteti artistik, ndërsa me ndërkombëtarizimin e tij ka ndërtuar ura dhe lidhje kulturore me botën. Festivali ka nxitur respekt, frymëzim, reflektim dhe dialog, duke mundësuar lirinë e mendimit kritik dhe zgjerimin e horizonteve të reja të perceptimit muzikor”, ka thënë profesoresha e pianos, Lejla Pula, drejtoreshë artistike e festivalit.
Ngjarjet e tilla nuk shihen vetëm si mbrëmje koncertale. Lista e sponsorëve sivjet është shumë më e gjatë. Janë shfrytëzuar mundësitë ligjore që ofrohen për sponsorizim të aktiviteteve kulturore.
“Festivali ‘Chopin Piano Fest’ është më shumë se një festë muzikore. Është një përfaqësim i artit të mirëfilltë të pianizmit. Është gjithashtu një ngjarje që lidh shtete, vende dhe pianistë. Është një urë dhe një mjet për diplomaci kulturore për ta përfaqësuar Kosovën në skenën ndërkombëtare, por edhe një mjet zhvillimi, pasi në Kosovë, sidomos viteve të fundit, kemi filluar ta shohim sektorin e muzikës jo si një sektor të thjeshtë për relaksim, por si një sektor që zhvillon vendin, rrit kapacitetet dhe sjell përfitime në shoqëri, edhe në aspektin ekonomik”, ka thënë Besa Luzha, drejtoreshë menaxhuese e festivalit.
Të pranishmëve u janë drejtuar edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, si dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova. Këto dy institucione qenë mbështetësit kryesorë të kësaj mbrëmjeje.
Deri më 10 qershor, “Chopin Piano Fest” do të sjellë në Prishtinë emra të dëshmuar të pianos në skenën ndërkombëtare. Po ashtu, përmes programeve të ndryshme, do të krijojë mundësi edhe për të rinjtë e vendit që të paraqiten me talentin e tyre para publikut.