“Ky rast po trajtohet në mënyrë intensive nga Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësitin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsion në Pejë. Në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informata”, shkruhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Pejës për rastin e gjashtëkatëshes afër kishës “Shën Katerina”, i cili zbërthen një zinxhir shkeljesh të institucioneve qendrore tok me ato komunale
Zyrtarët e Komunës së Pejës bashkë me ata të institucioneve të trashëgimisë kulturore, që diku me mbyllje të syve e diku me ndonjë trik administrativ kanë mundësuar punën për ndërtimin e një shumëkatësheje afër kompleksit të kishës katolike “Shën Katerina” në Pejë, janë duke u intervistuar nga hetues policorë dhe Prokuroria Themelore në Pejë. Me veprime e mosveprime, institucionet e trashëgimisë kulturore, përfshirë Ministrinë e Kulturës, i kanë hapur rrugë ndërtimit të gjashtëkatëshes në afërsi të monumentit e në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore. Përderisa institucionet e trashëgimisë kulturore me vonesa administrative i kanë dhënë hov ndërtimit, Komuna e Pejës ka lëshuar leje për ndërtim.
Por KOHA ka marrë vesh se, pas raportimit për këtë rast në marsin e vitit të kaluar, hetuesia pas afro një muaji kishte nisur mbledhjen e dokumentacionit. KOHA po ashtu është vënë në dijeni se javëve të fundit intensivisht ka pasur intervistime të zyrtarëve shtetërorë. Hetimet janë konfirmuar edhe zyrtarisht nga Prokuroria Themelore e Pejës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ky rast po trajtohet në mënyrë intensive nga Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësitin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsion në Pejë. Në këtë fazë nuk mund të ndajmë me shumë informata”, shkruhet në përgjigjen e zëdhënësit të kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.
Një seri dokumentesh e shkresash në të cilat KOHA është bazuar kur ka raportuar tregojnë se historia e këtij ndërtimi që është duke u bërë nga kompania “Intern Investment Group SH.P.K.”, me pronar Rahmon Shalën, ka nisur në pjesën e parë të vitit 2024. E ndërtimi vjet në mars ishte te kati i tretë. Tash ndërtimi i vrazhdë ka përfunduar, por janë duke u kryer punë të tjera.
Kompania ishte pajisur me leje për ndërtim nga Drejtoria e Urbanizmit në Pejë, që udhëhiqej nga Arta Nallbani, e cila ka heshtur me muaj. Leja ishte lëshuar pa qenë pala e pajisur me pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore edhe pse parcela ku zhvillohet ndërtimi është në zonën e mbrojtur të monumentit. Rrënimi i ndërtesave paraprake ishte bërë po ashtu pa pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Pasi Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore kishte evidentuar zhvillimet në atë pjesë, ishte aktivizuar. Kishte kërkuar pezullim të lejes nga Komuna e Pejës dhe kishte udhëzuar palën (ndërtuesin) që të pajisej me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Procedura kërkon që pala t’i drejtohet IKMM-së me kërkesë për pajisje me leje nëpërmjet Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore. Në këtë rast, asaj të Pejës.
Në bazë të shkresave të kësaj lënde, QRTK-ja kishte protokolluar kërkesën më 28 maj të vitit 2024. Sipas Procedurës Standarde Operative, kërkesat brenda 24 orëve i përcillen IKMM-së nëpërmjet postës elektronike, kurse brenda pesë ditësh në kopje fizike. Në këtë rast nuk ishte vepruar kësisoj. Sipas protokollit, QRKT-ja e ka përcjellë lëndën në IKMM më 3 qershor të vitit 2024, shtatë ditë pasi e ka pranuar atë. Në shkresë nuk qe cekur data e pranimit të lëndës.
Komisioni për shqyrtimin dhe vlerësimin e projekteve dhe kërkesave restauruese e konservuese të trashëgimisë kulturore në IKMM nuk e ka miratuar projektin.
“Refuzohet kërkesa për ndërtimin e objektit banesor B+P+5K në parcelën kadastrale nr. 06337-0, rr. ‘Nëna Terezë’, me investitor ‘Intern Investment Group Sh.P.K.’, pasi që parcela ku planifikohet ndërtimi gjendet brenda zonës mbrojtëse të monumentit...”, shkruhet në pikën e parë të vendimit të protokolluar më 3 korrik 2024. Sipas vendimit, refuzimi është bërë pasi “krijohet vëllim i madh duke penguar në masë të madhe vizurat në raport me asetin e trashëgimisë kulturore, Kisha e Shën Katerinës në Pejë, duke qenë në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore”.
Projekti që është në zhvillim e sipër parasheh ndërtim me dy blloqe dhe merr formën e shkronjës T. Blloku “A” shtrihet në dimensione 22.6 metra me 17.7 metra. Kurse blloku “B” mban dimensione 20.9 metra me 50 metra. Sipas projektit, nga ana perëndimore do t’i zihet pamja në tërësi asetit të trashëgimisë kulturore, që është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në një pamje paralele të projektit, maja e kambanores së Kishës, që është rreth 27 metra, do të tejkalojë krejt pak lartësinë e ndërtesës afariste banesore.
Ndërmarrësi në këtë rast ka shfrytëzuar të drejtën që të ankohet për këtë vendim. Ankesat drejtohen në atë që njihet si shkalla e dytë në Ministrinë e Kulturës. Në këtë rast komisioni – në përbërje të Milot Mustafës, kryesues dhe anëtareve Merita Augustini-Ndrecaj dhe Jehona Bashota – ka nxjerrë vendim, nëpërmjet të cilit e ka aprovuar si të bazuar ankesën e investitorit. Po nëpërmjet këtij vendimi, ky komision ka shfuqizuar vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Investitori në ankesë kishte tri pretendime. Prej tyre, dy i janë hedhur poshtë, kurse atij për mosmarrje të përgjigjes brenda afatit i është dhënë të drejtë. Në arsyetim të këtij vendimi shkruhet se sipas Ligjit për trashëgimi kulturore afati për vendosje për leje, për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural nga ana e institucionit kompetent është 15 ditë nga data e pranimit të kërkesës. Aty sqarohet se pala e ka dorëzuar kërkesën më 25.5.2024, ndërsa QRTK-ja e ka dorëzuar kërkesën në IKMM më 3.6.2024. IKMM-ja ka nxjerrë vendim për shtyrje të afatit për t’u përgjigjur më datë 14.6.2024 dhe përgjigjja përfundimtare i ishte dhënë palës më 3.7.2024.
“Komisioni pas analizimit të dokumentacionit të dorëzuar nga IKMM dhe provave që posedon, konstaton se edhe vendimi për shtyrjen e afatit, por edhe vendimi final është nxjerrë me vonesë”, shkruhet në arsyetimin e vendimit të shkallës së dytë. Pasi nëpërmjet dispozitivit të vendimit në njëfarë forme i hapej rrugë ndërtimit, ky komision kishte treguar se IKMM-ja ka veto mbi dhënien e lejes së ndërtimit për ndërtesa ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti.
Anëtarët e Komisionit – Milot Mustafa, Merita Augustini-Ndrecaj dhe Jehona Bashota – më vonë në një përgjigje të përbashkët pas serisë së teksteve, kishin thënë se “ndërtimi i ndërtesës shumëkatëshe në zonën e mbrojtur të monumentit kisha katolike ‘Shën Katerina’ në Pejë, nuk është rrjedhojë e vendimit të Komisionit të Shkallës së Dytë, por i shkeljes së afateve ligjore për shqyrtim të lëndës nga ana e IKMM-së në radhë të parë, dhe nga dhënia e lejes nga institucioni jokompetent Komuna e Pejës në radhë të dytë…”.
Por Ministria e Kulturës varësisht nga rastet vepron ndryshe. MKRS-ja në një tjetër rast në Pejë – sikurse ndërtimi që ka nisur afër xhamisë “Taftali”, për të cilin KOHA ka raportuar këtë javë – edhe pse IKMM-ja është vonuar rreth tetë muaj në përgjigje, ka bërë kërkesë-padi dhe dy herë Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendim për masë sigurie. Por për rastin te Kisha Katolike, ku pjesë e “pazarit” është edhe vetë Kisha – e cila ka shkëmbyer pronë për të përfituar metra katrorë në ndërtim – Ministria e Kulturës ka heshtur. As Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore s’ka dalë për t’i ndalur punimet.
Ndërtesa me dy blloqe, që bashkë kanë gjatësi mbi 70 metra, e mbulon pamjen e kompleksit kishtar fund e krye nga ana perëndimore. Distanca midis Shtëpisë së Motrave brenda kompleksit kishtar dhe objektit në ndërtim është rreth 10 metra. Ligji për trashëgimi kulturore përcakton krejt të tjera rregulla.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, shkruhet në nenin 4 të këtij Ligji. Në ligj përcaktohen edhe zonat e mbrojtura.
“Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit. Kjo zonë e mbrojtjes mund të zgjerohet ose ngushtohet dhe përcaktohet në planin e institucionit kompetent dhe në planet hapësinore relevante në pajtueshmëri me nenin 2 të Ligjit nr. 2003/14 për planifikim hapësinor”, shkruhet në nenin 6.
KOHA kishte pyetur drejtoreshën e asokohshme të Urbanizmit në Pejë, Arta Nallbani, se përse i është dhënë leje ndërtimore kompanisë që realizon projekt ndërtimor afër monumentit. Po ashtu nëpërmjet postës elektronike Nallbani qe pyetur se përse vazhdojnë punimet në të njëjtën ngastër kadastrale, megjithëse projekti s’ka pëlqim nga ana e IKMM-së. Por ajo nuk është përgjigjur, plot 11 muaj. Për pyetjet KOHA ka vënë në dijeni edhe kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri. Pas më shumë se një muaji, Muhaxheri qe përgjigjur në fund të prillit të vjetëm duke pretenduar se ndërtimi bëhet jashtë perimetrit të zonës së mbrojtur.
“Leja ndërtimore për ‘Intern Investment Group SH.P.K’ në ngastrën kadastrale 06337-0 është lëshuar në përputhje të plotë me Hartën Zonale të Komunës së Pejës. Objekti në fjalë nuk u nënshtrohet rregullave të zonës së mbrojtur, pasi ndodhet jashtë rrethit prej 50 metrave të përcaktuar si zonë e mbrojtur për kishën katolike ‘Shën Katarina’”, shkruhet në përgjigjet e tij. Kryetari Muhaxheri kishte bërë me dije edhe diçka.
“Gjithashtu, vlen të theksohet se kisha katolike ‘Shën Katarina’ është një nga bashkinvestitorët në këtë projekt, gjë që ka kontribuar në harmonizimin e plotë të projektit me kërkesat dhe standardet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, shkruhet në përgjigje.
KOHA ka marrë vesh se Kisha katolike ka “harmonizuar standardet” edhe brenda MKRS-së në mënyrë që shkalla e dytë ta shfuqizonte vendimin e nxjerrë nga IKMM-ja, i cili nuk lejonte zhvillimin e projektit. KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga Kisha katolike, por s’ka pranuar asnjëherë përgjigje, njësoj tash e 11 muaj.
Fundjava ishte asokohe midis arsyetimeve të Qendrës Rajonale për Trashëgiminë Kulturore në Pejë, kur flitej për vonim të procedimit të lëndës. E Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, që asokohe udhëhiqej nga Gjejlane Hoxha, arsyetohej se duhej të vepronte Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. KOHA në mars të vitit të kaluar ka komunikuar me investitorin Rahmon Shala. Ai kishte dhënë disa sqarime në raport me investimin e tij. Pas bisedës, në një telefonatë të dytë, qe tërhequr nga deklarata. Më pas nëpërmjet disa telefonatave kishte bërë “sqarime e presion miqësor” që KOHA të mos merret me këtë çështje. Sipas projektit që tash edhe në praktikë posedon bodrum, kat përdhese dhe pesë të tjerë sipër, janë rreth 90 njësi banimi.