Kulturë

Ikën balerina, Baleti në kërkimin e radhës pa shumë optimizëm

Baleti

Konkursi me të cilin kërkon vetëm një balerin a balerinë, nuk është tregues për nevojat e Baletit Kombëtar të Kosovës. Me konkurs, paga bruto për atë që do t’i bashkohet trupës, është 7115 euro

Foto: Driton Paçarada

Pas dy dekadash, njëra prej balerinave kryesore të Baletit Kombëtar të Kosovës, e ka lënë trupën, versioni zyrtar është “shkaqe personale” e institucioni më i lartë i baletit në vend, nëpërmjet konkursit, synon ta plotësojë vendin e saj ani pse ka nevojë për së paku 12 balerinë. Por me konkurset e fundit BKK-ja nuk është fort optimiste, ka përherë e më pak cilësi e interesim, mungesa e shkollës së baletit përmendet si njëra prej arsyeve përderisa për shfaqje të mëdha, angazhohen pjesëtarë nga jashtë

Të gjithë ata që synojnë t’i bashkohen trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, kanë afat edhe pak orë, por udhëheqës të këtij institucioni, janë zhgënjyer me atë se çfarë po ngjan me konkurrentët.

Përderisa në institucionet e tjera kulturore vartëse të Ministrisë së Kulturës, konkurset për plotësim pozitash vërshojnë prej kandidatëve, BKK-ja jo shpesh e ka mundësinë të zgjedhë midis tyre. Konkursi i fundit i këtij institucioni për katër pozita pati vetëm gjashtë kandidatë. Ata që u pranuan u desh të trajnohen. Baleti ka hapur sërish konkurs për një balerinë a balerin si rrjedhojë e lirimit të një pozite. Mërgime Morina, njëra prej balerinave kryesore që i takon gjeneratës së re, është larguar, arsye zyrtare është “për shkaqe personale”, vetë balerina ka thënë se do ta sqarojë me një komunikatë, por s’e ka bërë këtë tash e gati një muaj.

Për produksione më të mëdha, siç është “Arrëthyesi” nga Tchaikovsky, e të cilin Baleti e ka bërë traditë, institucionit i duhet që përherë të angazhojë staf shtesë nga vendet e tjera. Konkursi me të cilin kërkon vetëm një balerin a balerinë, nuk është tregues për nevojat e institucionit shtetëror të vallëzimit. Me konkurs, paga bruto për atë që do t’i bashkohet trupës, është 715 euro.

“Parimisht ne kemi nevojë edhe për nja gjashtë çifte, që domethënë 12 balerinë. Kemi nevojë edhe për balerinë të tjerë për produksione të mëdha, por për shkak se nuk kemi vende në kodin tonë si institucion, e që janë shumë të rralla dhe na i lëshon Ministria e Financave, nuk mund të marrim balerinë të rinj. Edhe për shkak se nuk ka balerinë të rinj, kjo është një e vërtetë tjetër”, ka thënë drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi. 

Për konkursin që është i hapur edhe sot (e premte), Kajtazi ka thënë se “është liruar një vend, një balerinë është larguar nga Baleti”. Qysh muajin e kaluar balerina Mërgime Morina, është larguar pas një karriere të suksesshme duke luajtur në shfaqjet kryesore të Baletit viteve të fundit. Ishte pjesë e Baletit prej vitit 2004. 

Kajtazi ka një tjetër hall edhe me konkurset që po hapen së fundmi. 

“Niveli i cili na vjen në konkurse lë shumë për të dëshiruar, por këta balerinë të rinj në momentin që kanë hyrë, sigurisht se e kanë mundësinë të ushtrojnë me balerinët e trupës, mirëpo edhe të punojnë me pedagogë e koreografë ndërkombëtarë, e që natyrisht që shihet progres te ta”, ka thënë Kajtazi duke u shprehur se institucioni po ndjek procedurat përkundër se dihet se nuk ka balerinë. 

“Sapo të na hapen vendet e lira në kod të institucionit tonë, sigurisht se do të hapen prapë konkurse. Sado që e them se nuk është se ka balerinë, për fat të keq, kjo është evidente, por ne i ndjekim procedurat tona dhe në momentin që kemi pozita të lira natyrisht se prapë do të shpallim konkurs”, është shprehur ai. 

Në gusht balerinët e rinj të angazhuar në Baletin Kombëtar të Kosovës, Blerta Fanaj dhe Ensar Luta qëndruan në Itali për të ndjekur trajnime intensive në fushën e baletit klasik. 

Por lajmi i mirë për Baletin këtë vit kanë qenë shtatë anëtarë të rinj në stafin e përgjithshëm të institucionit.

“Vetëm brenda vitit janë pranuar pesë balerinë, është pranuar ko-repetitori në shtatorin që shkoi, pasi nuk kemi pasur një të tillë dhe një asistente administrative. Pra brenda vitit janë punësuar shtatë veta në Baletin Kombëtar të Kosovës. Ky fakt më ka gëzuar shumë, e konsideroj si diçka shumë të mirë që i ka ndodhur Baletit”, ka thënë Kajtazi. 

Në konkursin e shpallur nga Ministria e Kulturës, detyrat e përmendura janë që kandidatët të ofrojnë mundësitë e tyre në fushën e baletit, në të gjitha rolet e caktuara nga koreografi, regjisori i shfaqjes apo drejtori i institucionit; të marrë pjesë në prova, ushtrime për çdo shfaqje që do të jetë në repertorin e BKK-së; të marrë përgjegjësi specifike pa mbikëqyrje për interpretimin dhe zbatimin e një numri të caktuar të roleve, të caktuara paraprakisht nga koreografi apo regjisori i shfaqjes si dhe; të kryejë detyra të tjera në fushën profesionale specifike të cilat, sipas konkursit, mund të kërkohen në mënyrë të arsyeshme, kohë pas kohe. 

Kandidatët do t’i nënshtrohen një audicioni që e organizon komisioni që caktohet nga Baleti Kombëtar. 

Ndonëse një prej kritereve të konkursit është që kandidatët të kenë arsimin e përvojën e punës profesionale, në vend mungon shkolla e baletit. Kjo sipas Kajtazit shkakton mungesë të kuadrove të baletit. 

“Mungesa e shkollës sjell me automatizëm mungesë të kuadrove, kështu që, në vazhdimësi kam kërkuar dhe e kam ngritur si çështje, madje edhe në Ministrinë e Arsimit, që të bëhet diçka në këtë drejtim. Deri tash nuk kemi diçka konkrete”, ka thënë drejtuesi i institucionit të Baletit. 

Duke e parë këtë mungesë të balerinëve profesionistë në vend, vetë trupa e institucionit në gjysmën e parë të vitit 2023 pati organizuar falas klasa baleti. Balerinët Jeta Musolli dhe Fatmir Smani ishin në krye të këtyre klasave që ishin hapur për të rinjtë nga mosha 14 deri 18 vjeç. Ishte thirrja e radhës për shkollë baleti, kërkesa të kahershme të institucionit shtetëror të baletit. 

Qysh prej marsit të vitit 2017 ishte paralajmëruar nisja e realizimit të projektit për objektin e shkollës së baletit. Ministri i atëhershëm i Arsimit, Arsim Bajrami, e kishte premtuar një gjë të tillë atëkohë e në shtator të po atij viti ishte deklaruar se ishte e pamundur. Fillimisht premtimet ishin që punimet të nisnin në pjesën e dytë të vitit 2016. Projekti i shkollës së baletit nuk kishte ekzistuar as në Ligjin për buxhetin e vitit 2017. Por në nëntor të 2016-s ish-ministri Bajrami i kishte thënë “Kohës Ditore” se pavarësisht kësaj ndërtimi do të nisë.

Ndërtimi i shkollës së baletit ishte rikthyer edhe në dhjetor të vitit 2018, kur ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i ishte drejtuar me një letër për këtë çështje ish-ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili e kishte vlerësuar të nevojshme themelimin e shkollës. Do të paralajmëronte edhe formimin e një komisioni ekspertësh. Me Bytyqin po atë muaj ishin takuar ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj tashmë i ndjerë, dhe balerini Sinan Kajtazi, që asokohe ishte edhe kryetar i Këshillit Drejtues i këtij institucioni e tash drejtor.

Edhe në gusht të 2022-tës ishte hapur konkurs për balerinë të rinj në trupën rezidente të institucionit.

Ndërsa me raste kur Baleti ka pasur produksione më madhore se zakonisht është hapur konkurs për pjesëmarrës në projekte të veçanta. Kështu pati ngjarë edhe me “Arrëthyesin”. Në tetorin e 2023-tës qe hapur konkursi për shtatë balerinë profesionistë dhe joprofesionistë (fëmijë). Prapë Baletit iu desh të ftonte solistë nga jashtë vendit si Julind Dërvishin nga Tirana e dyshen hungareze Nikola Hadjitanev dhe Marta Petkova.

Në fillim të vitit trupës rezidente të Baletit iu bashkuan katër balerinë të rinj – Isa Gjocaj, Blerta Fanaj, Rigon Krasniqi dhe Erza Limani –  nga gjashtë sa kishin aplikuar në konkursin e shpallur në nëntor të vitit të kaluar.