Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Ferizaj të hënën ka vizituar atë që e konsideron si monumentin më të vjetër të Komunës, “Shtëpinë e Hasan Fazlisë”. Kanë konstatuar se është në rrezik dhe kanë njoftuar Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore. Në anën tjetër ka reaguar edhe Ministria e Kulturës, duke deklaruar se sivjet do të ndërhyhet në këtë ndërtesë të shekullit XIX.
KOHA të dielën ka raportuar se pos që monumenti i marrë nën mbrojtje nga shteti më 2012 rrezikon të shembet, aty, po ashtu, rrezikohet edhe familja që është pronare.
Feim Fazliu, pronar i shtëpisë-kullë, ka thënë se në mëngjesin e së hënës kanë marrë premtime se ndërtesa do të restaurohet me urgjencë.
“Ne i kemi mirëpritur dhe e kanë parë gjendjen e objektit, i cili po e rrezikon edhe familjen time që jetojmë në një oborr të përbashkët me këtë objekt. Nga zyrtarët e shtetit kemi marrë premtime se do të rindërtohet me qëllim që objekti të mos paraqesë rrezik të shembjes dhe as për familjen, andaj sipas tyre një gjë e tillë do të ndodh me urgjencë”, ka thënë Fazliu.
Përgjegjësi i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Ferizaj, Nexhat Shahini, ka thënë se e kanë vizituar këtë familje për ta parë gjendjen teknike të objektit.
“Ditë më parë ne e kemi marrë një iniciativë për identifikimin e monumenteve që janë të rrezikuara, andaj për vitin 2023 e kemi futur edhe shtëpinë-kullë të familjes Fazliu, në mënyrë që të merren hapa konkretë. Pas vizitës së disa monumenteve të tjera të rrezikuara, ka qenë radha që ta vizitojmë edhe monumentin te familja Fazliu. Ndërkohë gjatë ditës kemi shkuar aty për ta parë gjendjen, andaj e kemi parë se bazamenti është dobësuar dhe larguar për 20 centimetra jashtë objektit, shkaku se lagështia që ka rrjedhë nga lart”, ka thënë ai. Ka treguar se të hënën i kanë bërë kërkesë urgjente Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për të dalë në terren dhe për ta parë gjendjen faktike. Sipas tij, shkresa i është dërguar Inspektoratit që të merren masa urgjente lidhur me këtë objekt.
Të hënën ka reaguar edhe Ministria e Kulturës. Ky institucion nuk i kishte kthyer përgjigje KOHËS prej 13 shkurtit, kur edhe nëpërmjet postës elektronike është pyetur për hapat që do të ndërmerren.
“Të nderuar. Për informimin tuaj ky monument është përfshirë në programin për trashëgimi kulturore në rrezik për vitin 2023, dhe gjatë këtij viti do të intervenohet”, ka komentuar MKRS-ja në postimin e Koha.net, nëpërmjet të cilit është shpërndarë lajmi.
Ndërkaq, në njërën nga shkresat e familjes Fazliu, e cila është deponuar në Ministrinë e Kulturës, midis të tjerash, shkruan se prej vitit 2012 u është premtuar se objekti do të restaurohet me qëllim që të ruhet trashëgimia kulturore, mirëpo deri më tash një gjë e tillë nuk ka ndodhur. “Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore ka insistuar që ky objekt të ruhet dhe ne kemi vendosur për hir të së kaluarës historike dhe numrit të vogël të këtyre shtëpive që ta lejojmë këtë monument, gjithmonë duke u bazuar në premtimet e dhëna nga ish-zyrtarët e lartë të MKRS-së. Ndërkohë kemi kontaktuar edhe me zyrtarët e Qendrës Rajonale, më saktësisht me zyrtarin N.SH. për të parë se ku ka ngecur projekti, andaj ai është munduar ta justifikojë kohën e papërshtatshme të pandemisë COVID- 19”, shkruhet midis të tjerash në kërkesën e familjes Fazliu drejtuar MKRS-së në qershor të vitit 2021.
Familja Fazliu i kishte dërguar disa shkresa MKRRS-së. Sipas të dhënave të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Ferizaj, krahas vlerave arkitekturore, shtëpia ka edhe vlera historike.
Zyrtari i QRTK-së, Nexhat Shahini, kishte thënë se gjatë periudhës së sundimit osman, në fshatin Koshare dhe në këtë shtëpi janë mbajtur shumë takime, mbledhje e kuvendime nga patriotë të asaj ane.
“Në këtë shtëpi është mbajtur edhe takimi i fshehtë i vitit 1908 lidhur me organizimin e një mitingu në vendin e quajtur Fusha e Gjerë, te vendi ku ndodhet sot QMI-ja te udhëkryqi i cili bashkon rrugët që vijnë nga Prizreni dhe Ferizaj për në drejtim të Prishtinës”, kishte thënë ai. Sipas Shahinit, edhe në periudhën e sundimit serb, po në këtë shtëpi kishte mbajtur takime të fshehta Ahmet Shtimja, një patriot i kohës që asnjëherë nuk e ndali aktivitetin për liri.
Ai kishte përmendur një serë personalitetesh që nga kjo shtëpi kanë organizuar rezistencë kombëtare.
“Kjo shtëpi paraqet një rëndësi edhe historike, gjë që u mbetet historianëve për ta ndriçuar”, kishte thënë Shahini.
Sipas tij, për shkak se është ndërtesa më e vjetër deri më sot e identifikuar në rajonin e Ferizajt, është nevojë emergjente ndërhyrja për ta mbrojtur atë.