Kulturë

Komuna me buldozerë e spektakël te “Xhorxh Bushi” afër zonës së mbrojtur

Xhorxh Bush

Komuna e Prishtinës i është kthyer punës për realizimin e projektit 18.4 milionë eurosh. Ka shfrytëzuar mundësinë ligjore që të nisë punimet veç në skajet e sheshit “Xhorxh Bush”, jashtë kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Driton Paçarada

Orarin zyrtar të punës, kryetari Përparim Rama tok me drejtorë e zyrtarë të tjerë, e kanë nisur në kafehane në pritje për të aktivizuar buldozerët në sheshin “Xhorxh Bush”. Kanë nisur punimet për të tretën herë, tash në variantin jashtë zonës së mbrojtur, ani pse projekti në tërësi nuk ka leje nga organet e trashëgimisë kulturore. Përkundër kësaj, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore s’e ka trazuar, përderisa kryetari ka futur në lojë edhe Policinë e Kosovës. “Post festum” i rinisjes së punimeve në sheshin 18.4 milionë eurosh, kanë qenë akuzat politike

Në anën e djathtë të asaj që ishte rrugë për makina – pjesa nga katedralja “Nëna Terezë” – Komuna e Prishtinës ka nisur të punojë për realizmin e projektit për sheshin “Xhorxh Bush”. Në anën e majtë të rrugës nuk mund të punohet, pasi bëhet fjalë për zonë të mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës dhe monumenteve përreth. Por krejt projekti brenda e jashtë zonës së mbrojtur, nuk ka leje të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Por kjo s’i çon hesap qeverisë së kryeqytetit.

Institucioni lokal ka shfrytëzuar këtë kufi për të nisur punimet që i janë ndalur dy herë për realizmin e projektit 18.4 milionë eurosh. Komuna s’ka leje të punojë brenda zonës së mbrojtur. Aktualisht punimet mund të zhvillohen në hapësirë që më pak se një e katërta e krejt sipërfaqes ku shtrihet projekti. Rifillimi i punimeve si zakonisht është bërë pretekst edhe për përplasje politike.

Paraditja e së hënës e ka gjetur kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, me një pjesë të madhe të kabinetit të tij në sheshin “Xhorxh Bush”. Pasi janë shërbyer me nga një kafe, i shoqëruar edhe nga inspektorati komunal dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, Rama ka urdhëruar që të rinisin punimet. Mjetet e rënda kanë nisur të gërryejnë shtresat e asfaltit. Nisja e punimeve ka qenë një shfaqje më vete.

Rama: E kemi Policinë dhe e çon Inspektoratin te shtëpia

I pyetur se si kanë ardhur deri te vendimi për rifillim punimesh pasi ato janë ndalur dy herë, Rama ka thënë se vendimin për nisjen e punimeve e “kanë marrë moti”.

“Punimet vetëm janë duke vazhduar, sepse jemi brenda kornizave ligjore në çdo aspekt. Andaj, punimet nuk do të ndalen derisa t’i përfundojmë këtu për të mirën e secilit qytetar të kryeqytetit”, ka thënë ai. Sipas tij, punimet kanë nisur me seriozitetin më të madh. Për faktin që punimet u janë ndërprerë dy herë, ka thënë se kanë marrë masa, duke aluduar në ushtrimin e kallëzimit penal ndaj inspektorit të trashëgimisë kulturore, Pajtim Zogaj. Sa i përket mundësisë që Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore të ndërhyjë prapë nëse punimet zhvillohen në zonë të mbrojtur, Rama ka pasur përgjigje të prerë.

“E kemi Policinë dhe i çon Inspektoratin te shtëpia. Ne punimet do t’i vazhdojmë”, ka thënë ai pak minuta pasi buldozerët janë vënë në punë. Ndaj deklaratës së tij shpejt ka reaguar edhe Policia. “Prezenca e zyrtarëve policorë në sheshin ‘Xhorxh Bush” në Prishtinë, sot ishte në asistim të Drejtorë së Inspeksionit të Komunës së Prishtinës për aktivitetet e planifikuara në kuadër të punës sekondare, aktivitete këto që nuk ndërlidhen me asistimin e kryerjes së punimeve në atë zonë”, shkruhet në reagimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.

Puna për këtë projekt nisi për të tretën herë. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka verifikuar nëse po shkelet zona e mbrojtur dhe ka bërë me dije se në atë pjesë nuk lejohen punimet. Para dy javësh, projekti i Komunës nuk është miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Të hënën janë rikthyer edhe përplasjet politike (Foto: Driton Paçarada)

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka arritur në vendpunishte nja një orë pasi ka filluar puna. Dy inspektorë, bashkë me kryeinspektorin Imer Hakaj dhe dy zyrtarë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë, fillimisht kanë vëzhguar zonën. Kanë konstatuar se Komuna nuk po prek zonën e mbrojtur. Më pas i janë afruar Ramës me bashkëpunëtorë.

Në raste të tilla, kur punohet në kufi me zonën e mbrojtur, lajmërohen institucionet e trashëgimisë kulturore duke ua bërë me dije se ka ndërhyrje deri në kufi. Komuna nuk e ka bërë një gjë të tillë. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka dashur që të paktën nëpërmjet një bashkëbisedimi të mësojë synimet e Komunës.

Manaj: Po punojmë jashtë perimetrit

“Përse filluat kështu?”, ka pyetur kryeinspektori Imer Hakaj. Rama ka thënë se nuk është filluar të punohet, por është vazhduar puna. I pyetur se a janë duke punuar jashtë zonës së mbrojtur, Rama ka pasur përgjigje të prerë: “Jemi duke punuar në të gjitha zonat përbrenda kornizës ligjore. Asgjë të jashtëligjshme”, ka thënë ai.

Kryeinspektori Hakaj ka thënë se në raste të tilla duhet të bëhet një njoftim. Në këtë rast, Rama e ka akuzuar atë se po flet të pavërteta para qytetarëve. Anëtarë të kabinetit të tij aty për aty kanë zhvilluar një garë se kush po e mbron më shumë kryetarin. Në pyetjen e radhës se a është duke u punuar jashtë zonës së mbrojtur, fjalën e ka marrë nënkryetari i Komunës, Shkëmb Manaj.

“Kjo punë është duke u bërë në pajtim me vendimin e Drejtorisë së Urbanizimit, është jashtë perimetrit të zonës së monumenteve nën mbrojtje dhe gjithë puna që është duke u bërë tash është në pajtim me Ligjin. Për çështjen afër monumenteve ne kemi bërë kërkesat dhe presim që Komisioni profesional të japë pëlqimin”, ka thënë Manaj, i cili për disa vjet ka punuar në pozita të ndryshme në Ministrinë e Kulturës dhe kryeinspektorin e trashëgimisë kulturore kanë miqësi të vjetër. Më pas Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore është larguar me arsyetimin se punimet po zhvillohen jashtë zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Zyrtarët komunalë këtë e kanë përshkrua si një triumf. Por në realitet mund të punojnë vetëm në një skaj të sipërfaqes që parasheh projekti për të cilin, në tërësi, organet e trashëgimisë s’e kanë miratuar. 

Repriza e qasjes me “Ishullin Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”

Si të hënën në “Xhorxh Bush” – duke gjetur variante për të aktivizuar makineritë – zyrtarët komunalë kishin vepruar edhe në nëntorin e vjetëm. Kishin vendosur tabelat për nisjen e punimeve për “Ishullin Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”. Kur kishte ndërhyrë Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pasi punimet do të fillonin në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore pa u pajisur me leje, Komuna kishte zhvendosur tabelat matanë hekurudhës. Ishin përuruar punimet, për të mos vazhduar asnjë ditë deri më tash. Ai projekt ka kosto 6.5 milionë euro. Mbi një milion i janë paguar kontraktorit.

Në rastin e sheshit “Xhorxh Bush”, punimet ishin ndërprerë për të parën herë në mars. Komuna kishte mësyrë që të punojë midis monumenteve pa kurrfarë lejeje.

“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për trashëgimi kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.

“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.

Më pas Komuna kishte dërguar projektin për miratim në IKMM. Ende pa përfunduar afati ligjor për kthim të përgjigjes, Komuna do të riniste punimet më 15 prill. Po atë ditë ato do të ndaleshin nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore nën shoqërimin e Policisë. Pos kësaj për këtë tentim, Inspektorati ka ushtruar Kallëzim Penal ndaj Komunës.

Në ditën e 16-të të prillit, Komuna ishte njoftuar se projekti nuk i është miratuar.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë rekomandime, duke kërkuar sqarime shtesë siç janë analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së e konfirmon edhe një synim të projektit: ndërtesat e reja që ngrihen midis monumenteve. Kjo zbërthehet te shkresa, ku Komunës i kërkohet që të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt.

Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës

IKMM-ja ia ka bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe si ai i Katedrales, ai i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi” ai “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve. Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës si dhe brenda perimetrit të zonave mbrojtëse të monumenteve si Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio Kosova, Hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës, është kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime.

Në shkresë bëhet e ditur se projekti parasheh ndërhyrje në aspekt urban dhe arkitektonik, në perimetër dhe zonë mbrojtëse të monumenteve si Rektorati i UP-së dhe Radio Kosova “duke cenuar integritetin hapësinor të këtyre monumenteve, respektivisht duke penguar kuadrin e dukshëm të përjetimit të tyre nga sheshi aktual dhe si të tilla nuk janë në pajtueshmëri me politikat për konservim dhe zhvillim të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të monumenteve”.

“Ndërhyrjet në aspektin arkitektonik (ndërtesat e reja) të projektuara në sheshin e Katedrales, i cili përfshin rrugën ‘Justiniani’, dhe sheshin e shkollës fillore ‘Faik Konica’ të propozohen me interpretime të dizajnit kontekstual”, shkruhet te rekomandimet. Nënvizohet se volumet për zgjerimin dhe zhvillimin e përdheseve në ndërtesat përgjatë rrugës “Garibaldi”, ndërtesa të identifikuara si ndërtesa kontribuuese të zonës, cenojnë tipologjinë e ndërtesave ekzistuese, peizazhin urban të zonës dhe hapësirën publike, trotuaret.

Ministria e Kulturës i ishte drejtuar me shkresë Policisë së Kosovës duke përkuar që të nisin hetimet për katër projekte të Komunës, përfshirë atë për sheshin “Xhorxh Bush”.

Akuzat politike për dështim

Të hënën pasi Komuna ka rinisur punimet, kanë shpërthyer edhe akuzat politike. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se Komuna e Prishtinës, “u dha përgjigje dinjitoze bllokuesve të punës”.

“Vazhdoj me punë! Një Komision, diku në një Ministri, me një a dy inspektorë partiakë e idhnakë, vendos të bllokojë një Kryeqytet të tanë, me arsyet e mbrojtjes së trashëgimisë. Trashëgimi ky asfalt gërmadhë?! Punimet vazhduan! Nuk do të ndalen! Ai që ka mend punën nuk ndalet. Prishtina, nuk ndalet!”, ka shkruar ai në rrjete sociale. Sipas tij, të paaftit dinë vetëm bllokadë. Ka shkruar se duhet të jesh vërtet i mbrapshtë për një sjellje të tillë. “Duhesh të urresh shumë një qytet të tërë për ta bllokuar kaq shumë! Prishtina do të fitojë. Edhe tash, edhe në vjeshtë!”, ka shkruar ai.

Më vonë i ka replikuar ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku.

“Sa herë që Përparimi e bën fort bërllok punën, në ndihmë i vjen Lumiri. E para, sepse janë bashkë në marifetet e tyre të kundërligjshme, dhe e dyta, sepse e kanë nisur fushatën për Prishtinën, po e përgatisin mashtrimin e radhës”, ka shkruar ai. Sipas tij, dështimi spektakolar i qeverisjes në Prishtinë është dështim i Lumir Abdixhikut.

“Dhe pafytyrësia në këtë rast po merr dimension të ri. Në vend që të turpërohet nga kjo, ai mbron paligjshmëritë dhe paralajmëron vazhdimësi të keqqeverisjes edhe për një mandat”, ka shkruar Çeku. Sipas tij, mbrojtjen e ligjshmërisë po tentojnë ta shesin si bllokadë politike.

“Ne nuk do të heqim dorë për asnjë çmim nga mbrojtja e ligjshmërisë; as nuk e kemi këtë të drejtë. Të gjitha provat për shkelje ligjore dhe keqpërdorim të buxhetit të shtetit nga komuna i kemi dorëzuar në institucionet e drejtësisë. Çdo vonesë për t’i adresuar këto shkelje, do t'i kushtojë rëndë buxhetit e kryeqytetit”, ka shkruar ai. Ka sqaruar se kur Komuna e Prishtinës e ka respektuar ligjin dhe procedurën në projektin e sallës koncertale, përveç që i është dhënë pëlqimi, si Ministri kanë ndarë edhe dhjetë milionë euro buxhet si mbështetje për Komunën.

“Ne jemi për zhvillimin e Prishtinës, ne duam dhe mbështesim projektet që e rrisin mirëqenien e qytetarit. E vetmja kërkesë e jona është të respektohen ligjet e procedurat. Pse duhet të jetë kaq e vështirë përmbushja e detyrimeve ligjore?”, ka shkruar ai.

Punimet në sheshin “Xhorxh Bush” aktualisht mund të zhvillohen vetëm në një pjesë të vogël të sipërfaqes ku shtrihet projekti. Sipas Komunës, punimet nuk do të ndalen. E institucionet e trashëgimisë kulturore janë duke përcjellë situatën nëse do të kalohet në zonën e mbrojtur. Por projekti ende s’ka leje.