Një kartolinë, prodhim i dinastisë “Marubi”, kushton prej 3 deri në 7 euro në ankandin e shtëpisë së ankandeve “LevantAntika” të Stambollit, por imazhi bart në vlerë shumëfish më të madhe për nga rëndësia historike e artistike. Aty paraqitet një inskenim përditshmërie nga Shkodra e fundshekullit të 19-të, e cila vjen mes shumë artefakteve të tjera të listuara në një ankand online
Është e qartë se studioja ku është shkrepur fotografia është përshtatur t’i ngjasojë një berberhaneje të kohës, me brisqe, gërshërë e pasqyra si rekuizita. Tri subjektet qëndrojnë në qendër të fotografisë, në të majtë një berber, në mes me kokën e ulur një burrë duke iu rruar koka. Djathtas “çiraku” që duket se pret me nënshtrim urdhrat e ustait. Poshtë fotografisë është mbishkrimi “Kujtim nga Shqypënia”, ndërsa në anën e prapme të kartolinës figuron “Marubi” dhe vendi “Scutari (Albanie)”. Në të gjendet dhe një shënim i shkurtër në osmanishte.
Kartolina që paraqet një inskenim të një përditshmërie në një berberhane në Shkodrën e fundshekullit të 19-të, mund të blihet prej 3 deri në 7 euro në ankandin online të shtëpisë së ankandeve “LevantAntika” në Stamboll të Turqisë. Me një traditë njëshekullore në tregti me antikuarë ajo ofron gjësende me vlerë antike, duke filluar nga veprat artistike e deri te kartolinat e rëndomta në gjykim të parë, por me rëndësi të padiskutueshme. E listuar mes kartolinave të tjera me titullin “Periudha Osmane, Profesioni i berberit, kartolinë” ka dimensione 13,8 me 8,9 centimetra.

Studio “Marubi” e themeluar në vitin 1856 nga Pietro Marubi, piktor dhe fotograf italian, u kthye në një dinasti dhe pikë referimi për dokumentimin fotografik të historisë shqiptare për shekuj me radhë. Prodhimet e kësaj studioje kanë lënë ndikim të pashlyeshëm në historinë e fotografisë shqiptare. Fotografitë, të cilat dallonin për qasjen artistike dhe vëmendjen ndaj detajeve, janë vlerësuar kaherë për përshkrimin e kulturës, peizazheve dhe shoqërisë shqiptare gjatë një periudhe transformuese e të ngjeshur me zhvillime politike e shoqërore. Është vështirë të kalohen pa u spikatur veçantia e tyre. E tillë është edhe “Kujtim në Shqypënia”.
Pavarësisht se kartolina në fjalë është rrallë e hiç, për Muzeun “Marubi” në Shkodër, që ruan trashëgiminë historike nëpërmjet fotografive, kjo kartolinë është e njohur dhe e evidentuar, pavarësisht se kanë dyshimet e tyre mbi autorësinë e saj.
“E kemi në arkivat tona negativin e origjinalit, por interpretimi mbi këtë imazh është i koklavitur. Kjo, për shkak dhe të autorësisë, sepse mendohet se është shkrepje nga Kolë Idromeno e jo Marubi”, ka thënë për KOHËN Luçjan Bedeni, drejtor i muzeut kombëtar të fotografisë “Marubi” në Shkodër.
Kolë Idromeno (15 gusht 1860 – 12 dhjetor 1939) piktor, arkitekt e fotograf nga Shkodra, si pionier në fusha të ndryshme artistike mësimet e para rreth fotografisë i kishte marrë nga fqinji i tij Pjetër Marubi, teksa me pikturën kishte filluar qysh në moshën 11-vjeçare.
E këto enigma rreth këtij imazhi veç se i shtojnë vlerën historike asaj, teksa lehtësisht mund të bëhet pronë e koleksionistëve edhe në të tilla ankande si ai i “LevandAntikas”.
Përtej çmimit të ulët të kësaj kartoline, ky proces i kërkimit në ankande vë në shprehje ndërgjegjësimin ndaj rëndësisë që u ofrohet gjësendeve që kanë një histori për të treguar, e aq më tepër kur ato kontribuojnë në narrativa të mëdha.