Në 30 fotografi, Reka këto ditë rrëfen dy dekada në Uashington. Në përvjetorin e 27-të të lirisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington ka hapur ekspozitën “Freedom” (Liria). Është një kronologji e ditëve me demonstrata të flakta në mbrojtje të të drejtave elementare, janë imazhe të grevës së minatorëve, delegacioneve amerikane në Kosovë, shkrepje të ditëve të luftës, atyre të lirisë dhe festimeve të Pavarësisë, edhe me flamurin amerikan që valonte në shenjë mirënjohjeje e falënderimi për Shtetet e Bashkuara
Historia e Kosovës, në fund të viteve ’80, do të hynte në një fazë të ashpër. Intervali kohor nga vitet ‘89 deri në qershorin e lirisë më 1999 dhe në shkurtin e 2008-s kur u shpall Pavarësia, përbën dy dekadat e zhvillimeve të mëdha. Greva e minatorëve më 1989, pastaj po në atë vit suprimimi i autonomisë që Kosova e gëzonte në kuadër të ish-Jugosllavisë, janë ngjarje që nisën praktikisht fundin e ish-Federatës. Sidomos prej 1989-s shqiptarët e Kosovës ishin në një luftë të përditshme për ekzistencë. E lufta e armatosur e 1998-s dhe 1999-s qe kulmimi i një shtypjeje sistematike të tyre. Me mbi 10 mijë viktima civile nga forcat e Serbisë e ndihmën e botës demokratike, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova e arriti lirinë e më pas më 2008 edhe pavarësinë.
Dy dekadat e dinamikave që sollën shtetin më të ri në Evropë rrëfehen në shumë mënyra. Ka studime, dëshmi e shumë materiale të tjera. Por krejt ata që duan të shohin çfarë ka ndodhur asokohe, nëse nuk merret për bazë edhe një adresë, s’e kanë rrëfimin e plotë. Ose u mungojnë dëshmitë më përmbajtjesore. Fotoreporteri Hazir Reka është kronisti vendas që arkivoi ngjarjet më të rëndësishme të dy dekadave që e bënë Kosovën shtet. Imazhet e shkrepura prej tij s’janë veç arkivim, pasi i shpalosën edhe botës atë që po ngjante në një vend ku shumica diskriminohej e vritej veç pse ishin shqiptarë. Ato shkrepje deshën guxim, mjeshtëri e vullnet të madh.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë 30 fotografi, Reka këto ditë rrëfen dy dekada në Uashington. Në përvjetorin e 27-të të lirisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington ka hapur ekspozitën “Freedom” (Liria). Është një kronologji e ditëve me demonstrata të flakta në mbrojtje të të drejtave elementare, janë imazhe të grevës së minatorëve, delegacioneve amerikane në Kosovë, shkrepje të ditëve të luftës, atyre të lirisë dhe festimeve të Pavarësisë, edhe me flamurin amerikan që valonte në shenjë mirënjohjeje e falënderimi për Shtetet e Bashkuara.

Ekspozita që është hapur në ditën e 16-të të këtij muaji ka pasur goxha vizitorë në hapje e po ashtu edhe në ditët në vazhdim.
“Një njeri i ka bërë krejt këto fotografi ndër vite?”, ka pyetur një diplomate sllovene stafin e Ambasadës së Kosovës në Uashington. Dhe përgjigjja qe e qartë: “Po, kronisti Hazir Reka”. Kronist atë e quajti edhe ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli.
“Në shumë aspekte, Hazir Reka është kronisti jozyrtar i historisë moderne të Kosovës. Përmes objektivit të tij, ai ndjek rrugën e gjatë dhe të mundimshme të popullit përgjatë suprimimit të autonomisë dhe represionit sistematik, rezistencës paqësore dhe luftës së armatosur, nga tmerret e gjenocidit deri te drita e çlirimit, rindërtimit dhe pavarësisë”, ka thënë ai në fjalën e mbajtur para të pranishmëve. Sipas Dugollit, në çdo kapitull të kësaj historie, Reka ishte i pranishëm, duke raportuar me zell e përpikëri, ndërsa këndvështrimi i tij mbeti përherë thellësisht njerëzor dhe poetik. Dugolli ka thënë se fotografitë e tij përbëjnë një kronikë vizuale – histori, dëshmi dhe vepër arti njëkohësisht.
“Ngjarjet dhe përpjekjet e paraqitura në to duken të përmbledhura në thelbin e tyre, ashtu si një poezi që çlirohet nga çdo fjalë e panevojshme, duke krijuar imazhe që flasin një gjuhë universale. Përmes tyre, ne shohim historinë e një vendi, por edhe fitojmë një kuptim më të thellë të vetë domethënies së lirisë”, ka thënë ai. Sipas ambasadorit, kjo ekspozitë flet edhe për miqësinë midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka marrë shembull fotografinë e realizuar në qendër të Prishtinës më 30 gusht 1990.
“Qindra qytetarë ishin mbledhur për të pritur delegacionin e parë të Kongresit amerikan që vizitonte Kosovën, të udhëhequr nga senatori Bob Dole. Pavarësisht përpjekjeve të policisë serbe për ta shpërndarë masën e qytetarëve, një burrë qëndroi ulur qetësisht në rrugë, duke refuzuar të largohej”, ka thënë ai. Ka treguar se ai u rrah, u tërhoq zvarrë dhe u përball me policinë, derisa një heroinë e panjohur, një grua me një fëmijë të vogël në krah, doli përpara për ta mbrojtur.
“I fiksuar vetëm nga syri i Hazir Rekës, ky moment flet për guximin e individit, por edhe më shumë për shpresën e thellë kolektive që përfaqësonte ajo vizitë, sepse, veçanërisht gjatë atyre viteve të errëta, sytë e shqiptarëve në Kosovë ishin drejtuar përtej Atlantikut. Fotografitë si kjo mbesin rikujtim i fuqishëm i rrugëtimit të Kosovës dhe i marrëdhënieve të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ambasadori Dugolli.
Maestro Reka, i cili midis të tjerash ka punuar edhe për agjencinë prestigjioze “Reuters”, për arsye objektive s’ka mundur të marrë pjesë në hapje. Derisa ka rrëfyer për përzgjedhjen e fotografive për këtë ekspozitë, ka thënë se problemi i Kosovës nuk fillon me luftën.
“Ose thënë ndryshe, lufta ka nisur më herët. Paralufta ka qenë disi më e vështirë. Në luftë ke zgjedhur një anë e para luftës gjithnjë ke qenë në mes. Kemi përjetuar vrasjen e njerëzve në demonstrata”, ka thënë ai nga perspektiva e fotoreporterit. Në ekspozitë rrumbullakon me finesë dydekadëshin para Pavarësisë. Për ilustrim ka ekspozuar edhe një foto të ambasadorit William Walker në Reçak të Shtimes më 2014. Ka dashur të tregojë fytyra në liri e pavarësi. Walker në janar të vitit 1999 alarmoi botën se në Kosovë po bëheshin krime kundër njerëzimit, pasi pa nga afër viktimat e Masakrës së Reçakut. Reka qe edhe aty. E dokumentoi edhe atë ditë.
“Është Prekazi, Reçaku, Stankoveci. Ilustrohen krejt ngjarjet. Ka fotografi dokumentare dhe aso pak më artistike. Janë 30 fotografi”, ka thënë Reka. Me idenë që rrëfimi të jetë sa më i plotë, në ekspozitë ilustrohen kronologjikisht shumë ngjarje. Aso të ditëve të shtypjes, kur Adem Demaçi çan kordonin policor më 1992 në protestën për Universitetin, më pas ditët e luftës, lirisë e Pavarësisë. Ilustrohet Kosova si shtet e edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vend që, bashkë me aleatë, i mundësoi një populli të jetojë në vendin e vet.