Kulturë

“Madama Butterfly” në kinema, sjell në Prishtinë magjinë e Londrës

Madama Butterfly

Edhe pse e largët nga përjetimi i një performance nga afër, ideja e të qenit dëshmitar i kësaj ngjarjeje në çfarëdo mënyre vjen si një mundësi e mirë për ta ndier magjinë e “The Royal Opera House” me “Madama Butterfly” në kinema

Direkt nga “The Royal Opera House”, publiku në Kosovë ka pasur mundësinë ta ndiqte “Madama Butterfly” në ekranin e një kinemaje në Prishtinë. Tragjedia e trishtë e një geishe e shkruar në vitin 1904 nga Giacomo Puccini zbërthehet në operën treaktëshe. Vepra që kryeson listën e klasikëve operistikë në botë edhe këtë vit, siç ndodh tradicionalisht në kryeqendrën e operës në Londër, bëri bashkë admiruesit e lirikës prej katër anëve të botës për ta ndier tisin e magjisë së skenës prestigjioze

Një mbrëmje e veçantë nga ato të zakonshmet në peizazhin e ngjarjeve kulturore në kryeqytet u realizua në kinemanë e njërës prej qendrave tregtare. Publikut iu soll premiera e operës “Madama Butterfly”, produksion i të famshmit “The Royal Opera House”, nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë në ekran kinemaje. Pavarësisht veçantisë, të martën mbrëma në “CineStar”, ka bërë bashkë vetëm një grusht njerëzish. 

Me t’u rehatuar në ulëset e tyre, nis lidhja e drejtpërdrejtë nga “The Royal Opera House” në Londër, ku njoftohet se për pak minuta do të nisë shfaqja, teksa jepen sekuenca të intervistave me ekipin e saj. Në ekranin gjigand shfaqen edhe pamje nga salla e të famshmes “The Royal Opera House”, me një histori që shtrihet prej shek. XVIII e që vazhdon të jetë aktive deri në ditët e sotme. Auditoriumi, një epitomë e arkitekturës klasike që karakterizohet nga opulenca, mes perdeve nga plishi bojëgjaku dhe shandanëve që përshkojnë ballkonet me fasadat e praruara të sallës janë prolog i përshtatshëm, i cili manifeston seriozitet, si një pasqyrë e asaj se çfarë do të pasonte me vetë nivelin e shfaqjes. 

Me një biletë që ofrohet me çmim prej tetë eurosh, audienca modeste që kishte zgjedhur këtë aktivitet ka mundësi të zhytet në premierën e kësaj opere klasike për vitin 2024, e sjellë për ta nga një shtëpi produksioni prestigjioze, 120 vjet pas premierës së parë që ishte mbajtur në “La Scala” të Milanos. 

Edhe pse e largët nga përjetimi i një performance nga afër, ideja e të qenit dëshmitar i kësaj ngjarjeje në çfarëdo mënyre vjen si një mundësi e mirë për atë se çka ofron jeta kulturore në Kosovë. Teknologjia, po se po. 

Historia tragjike e Madama Butterfly ndjek rrugën e një dashurie të zjarrtë në Japoni në fillim të shekullit XX. Epilogu është i trishtë. Në tre aktet e saj, me regjisor Moshe Leiser dhe Patrice Caurier u jetësua një shfaqje e arrirë në çdo nivel, duke filluar nga performancat e solistëve e deri te ndriçimi dhe skenografiaHistoria tragjike e Madama Butterfly ndjek rrugën e një dashurie të zjarrtë në Japoni në fillim të shekullit XX. Epilogu është i trishtë. Në tre aktet e saj, me regjisor Moshe Leiser dhe Patrice Caurier u jetësua një shfaqje e arrirë në çdo nivel, duke filluar nga performancat e solistëve e deri te ndriçimi dhe skenografia

Historia tragjike e Madama Butterfly ndjek rrugën e një dashurie të zjarrtë në Japoni në fillim të shekullit XX. Epilogu është i trishtë. Në tre aktet e saj, me regjisor Moshe Leiser dhe Patrice Caurier u jetësua një shfaqje e arrirë në çdo nivel duke filluar nga performancat e solistëve e deri te ndriçimi dhe skenografia, si dëshmi e trajtimit serioz që u bëhet produksioneve të tilla në botë. 

Mes emocionesh nisi uvertura e operës nga orkestra e “The Royal Opera House” nën dirigjimin e gjermanit Kevin John Edusei, për të pasuar hapja e perdeve me aktin e parë të operës. 

Në fillim të veprës audienca ndeshet me fillet e historisë së Cio-Cio-San, e njohur si Madama Butterfly e luajtur nga sopranoja lituane, Asmik Grigorian. Ajo është një vajzë japoneze e cila martohet me oficerin amerikan Pinkerton, rol i jetësuar nga tenori amerikan Joshua Guerrero. Ndërsa Madama Butterfly është e lumtur për këtë lidhje, ajo gjen veten në një botë totalisht të re për të dhe shpreson se kjo lidhje do të jetë e përjetshme. Akti i parë kulmin e arrin me skenën e dasmës së Pinkerton dhe Madama Butterfly, ndërkaq përfundon me një atmosferë euforike, por edhe me një ndjenjë tensioni, e cila e bën të mistershme vazhdimësinë e fabulës. 

Menjëherë pas aktit të parë u njoftua për një intermexo pesëmbëdhjetë minutash, e cila nisi me shërbimin e shampanjës për të pranishmit, si detaj që përkon me natyrën e ngjarjes. 

Audienca, e cila përbëhej nga një përzierje mes shikuesve vendas shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë, qe pasqyrë se si dhe nga kush pranohen aktivitete të tilla alternative kulturore në vend.

Carina Lobbezoo, ambasadorja e Holandës në Kosovë e pranishme në këtë shfaqje, u shpreh se për të një aktivitet i tillë përbën veçanti. 

“Është hera ime e parë që ndjek një transmetim direkt të një opere. Jam këtu me shoqen time, e cila më ftoi si një mënyrë e mirë për të kaluar kohë bashkë duke ndjekur këtë vepër operistike me një kastë të klasit botëror. Është e rrallë si mundësi dhe është mirë që njerëzit të kenë mundësinë të përjetojnë një eksperiencë të tillë, të veçantë”, ka thënë ajo në një prononcim për KOHËN gjatë pushimit, para se të niste akti i dytë i operës. 

Me t’u rehatuar në ulëset e tyre, nis lidhja e drejtpërdrejtë nga “The Royal Opera House” në Londër, ku njoftohet se për pak minuta do të nisë shfaqja, teksa jepen sekuenca të intervistave me ekipin e saj

Se skena kulturore në vend ka nevojë për ngjarje të tilla e tha edhe mikesha e saj Giovanna Ottaviani Aalmo, sekretare e përgjithshme e Federatës së Ragbit në Kosovë, e cila ndau detaje për lidhjen e saj me botën operistike. 

“Gjyshja ime ka qenë pianiste dhe ka luajtur në shumë opera në Romë, andaj opera mua më pëlqen shumë. Është shumë mirë që kemi mundësinë ta shohim këtë operë në një ambient të pazakontë dhe shumë të rehatshëm. Iniciativa e kësaj kinemaje që të sjellë këtë program është shumë e qëlluar pasi që kontribuon në skenën kulturore në Prishtinë”, ka thënë Ottaviani Aalmo. Gjithashtu ofroi një analizë të shkurtër për skenën kulturore në Prishtinë si rezidente e kryeqytetit. 

“Opera është diçka që na mungon në Kosovë. Unë e kam parë ‘La Traviatan’ nga Opera e Kosovës para dy vjetësh, e cila ka qenë shumë eksperiencë e mirë, por besoj që duhet të jenë më të shpeshta pasi që njerëzit e kërkojnë atë”, ka thënë ajo. 

Akti i dytë ua mori vëmendjen të pranishmeve duke sjellë ndryshim drastik të ngjarjeve. Pinkerton largohet për në Amerikë. Pas një periudhe të gjatë të pritjes, Madama Butterfly vazhdon të qëndrojë besnike ndaj lidhjes së saj me Pinkerton, edhe pse ai është larguar. Pjesë kulmore e këtij akti pa dyshim që ka qenë performanca solo e sopranos me pjesën “Un bel dí vedremo”. E ngjyruar me melankoli e dhimbje ajo solli në mendje performancën e po të njëjtës pjesë nga i njëjti rol i luajtur nga sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, pikërisht në “The Royal Opera House” shtatë vjet më parë, performancë e vlerësuar lart nga kritika botërore. Madama Butterfly i gëzohet rikthimit të Pikertonit, por kupton se ai është martuar me një grua tjetër në Amerikë. Konflikti emocional kulmon me ardhjen e Pinkertonit dhe gruas së tij në kërkim të fëmijës që ai e kishte me Madama Butterfly. Pjesa përfundon me Madama Butterfly teksa ndihet e tradhtuar dhe e braktisur, nën ndriçimin e zbehtë skenik. Gjatë këtij rrëfimi lirik në gjuhën italiane të libreteve të Giuseppe Giacosa dhe Luigi Illicas, vërehen qartazi dhe ngjyrimet kulturore që i jepen veprës. Përtej një tragjedie me bazë romancën aty kuptohet dhe kompleksiteti i shoqërive njerëzore, mënyrat unike të jetesës dhe rëndësia që u japin virtyteve dhe aspekteve të ndryshme. 

Ndërsa zhvillohet akti i fundit, rëndësia e një shfaqjeje si “Madama Butterfly” evidentohet edhe më tej, jo vetëm si një vepër e shquar operistike, por edhe si një dëshmi e fuqisë të rrëfimit të përvojës njerëzore. Për më tepër, transmetimi i kësaj opere përfaqëson edhe rolin e shkëmbimit kulturor dhe globalizmit, si vënie e theksit te komunikimi nëpërmjet artit. 

Akti i tretë sjell kulmin dramatik të veprës që kurorëzohet me tragjedi. Derisa Madama Butterfly është e dërrmuar nga tradhtia e Pinkertonit, ajo ndjek traditat japoneze dhe vendos të vdesë me nder duke kryer ritualin e vetëvrasjes të njohur si “harakiri”. Muzika e Puccinit përforcon ndjesinë e tragjedisë të nuancuar me nota melodramatike. 

Kur bien perdet  në “The Royal Opera House”, në sallën e kinemasë ndizen dritat duke zbardhur edhe më përjetimet në distancë të një kryevepre të ekzekutuar me përpikëri. 

Alena Andrica, filantrope nga Rumania e cila jeton dhe vepron prej vitesh në Prishtinë, këtë praktikë ka kohë që e ushtron, teksa shpreson që herët e tjera publiku të jetë më i shumtë. 

“Unë e ndjek programin e ‘The Royal Opera House’ dhe në fakt është hera ime e tretë që vij, sepse nuk dua të më humb asnjë paraqitje e tyre. Për mua ky aktivitet është një luks që e kemi këtu në Kosovë, një eksperiencë fantastike që më mban mua në pritje gjithnjë për muajt në vazhdim. Kur kam ardhur në herën e parë u mërzita shumë. Fillimisht kisha frikë se nuk do të gjeja bileta dhe i kam blerë ato shumë më herët, por kur erdha në sallë ishin vetëm pesë persona”, ka thënë Andrica në një prononcim për KOHËN, duke sugjeruar se ngjarje të tilla duhen promovuar më shumë, madje edhe në shkolla, për të rinjtë dhe fëmijët që të edukohen rreth kulturës përmes aktiviteteve të tilla.