Koncerti i “InterBalkan Choir” ka qenë si një udhëtim që nis nga Ballkani, prej tij merr krejt ngjyrat e muzikës, nuk mjaftohet vetëm me prezantimin që ia bën botës, por i harmonizon ato edhe me vepra vendesh të tjera. Ky në fakt është edhe misioni i këtij kori, qe të gërmojë në tradita e t’i bashkojë në zëra. Shumica e veprave të luajtura në kuadër të “PriVocalFest” kanë qenë premierë në Kosovë
Me muzikë moderne e të impresionizmit, vendore e ndërkombëtare, festivali ndërkombëtar i vokalit “PriVocal Fest” në natën e dytë të edicionit të tetë ka sjellë magjinë e zërave në kor. “InterBalkan Choir” ka sjellë kultura e stile të ndryshme muzikore, ku fryma e tradita ballkanike bashkohen me literaturën botërore. Sipas drejtuesve të formacionit, shumë prej veprave kanë qenë premierë në Kosovë.
Në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë koncerti ka nisur me këngën popullore iso-polifonike “Janinës ç’i panë sytë” nga kori i fëmijëve “Okarina”, drejtuar nga sopranoja Elikona Hysaj-Shala. Interpretimi ka qenë për t’u admiruar, por sa ka përfunduar vepra dhe anëtarët e tij kanë zënë vend në ulëse, ka pasuar zhurma e pengesa në koncert gjatë daljeve të tyre nga salla së bashku me familjarët.
Megjithëkëtë, ai që në shqip merr emrin si kori “Ndërballkanik”, ka qenë i mahnitshëm me repertorin e zgjedhur dhe punën e dirigjentëve: Hajrullah Sylës dhe grekes Mary Konstantinidou.
Rrugëtimi nëpër magjinë e veprave vokale ka nisur me “Ballade to the moon” dhe “Lullaby” nga cikli “Three Nocturnes” nga Daniel Elder. Kanë qenë si hyrje të qeta e përrallore, ndërsa pjesa e dytë në të njëjtën frymë, por paksa më e gjallë.
“Madrigal” nga francezi Gabriel Fauré me zëra harmonikë përcjell një temë si dialog midis grupit të grave dhe atij të burrave. Ngjan në debat.
“Yver, vous n'estes qu'un villain” nga francezi Claude Debussy ka nisur me një tingull të mprehtë të pianos dhe përcillet me një temë thellësisht melankolike. Pasi pianoja prezanton temën, kori e përcjell me vokal të njëjtën natyrë të veprës.
Pianisti Andi Duraku, i cili ka shoqëruar korin, ka thënë se secila prej veprave ka qenë e stileve të ndryshme.
“Prej gjithsej 11 pjesëve që u interpretuan, shtatë ishin me përcjellje prej pianos dhe secila pjesë ishte stil ndryshe. Programi ka qenë i ndërtuar në atë formë që të prezantojë sa më shumë kultura dhe stile. Është hera ime e parë që bashkëpunoj me këtë kor dhe më të vërtetë është kënaqësi të punoj, sidomos me dy dirigjentët Maryn dhe Hajrullahun”, është shprehur ai.
Më pas janë interpretuar veprat “Salve regina” nga Kushtrim Gashi dhe “Me to lyxno tou astrou” nga greku Mikis Theodorakis. Kjo e fundit ka pasuar me një zë tejet të ulët dhe zhvillohet duke kulmuar. Uljet dhe ngritjet e intonacionit janë shpesh të papritura. Loja solo është nëpër partet e veprës.
“I love my love” nga kompozitori anglez Gustav Holst ka qenë tejet harmonike, e këndshme, tingëllimë e bukur. Kryesisht e ndërtuar me fjalët e titullit të këngës. “Caprice” nga amerikania Emma Lou Diemer ka qenë atraktive, ndërsa “Damjan tanec vodi” nga bullgari Alexander Morfov me plot ngjyra të muzikës popullore.
Dirigjentja Mary Konstantinidou ka thënë se ideja e programit ka qenë të përfshihen pjesë të të gjitha vendeve të Ballkanit, si dhe të ketë edhe muzikë nga yje botërore. E ky program do të vazhdojë prezantimin.
“Do të kemi koncerte në vendet ballkanike me të njëjtin program, sepse na pëlqen ideja e korit ballkanik duke kënduar së bashku jo vetëm këngë nga këto vende, por edhe nga literatura ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Ka vlerësuar kualitetin e anëtarëve të korit.
“Kam bashkëpunim shumë të mirë me Hajrullah Sylën, kemi mendime shumë të përbashkëta dhe për tre vjet kam qenë gjashtë herë këtu. Kam bërë miq shumë të mirë. Më pëlqejnë niveli, kualiteti i këngëtarëve dhe gjithçka”, ka thënë ajo.
E lindur në Selanik, studimet i mbaroi në Shkollën Shtetërore të Muzikës në këtë qytet, ku diplomoi për piano dhe dirigjim koral. Bashkëpunoi me Operën Kombëtare të Greqisë, Festivalin Grek, Teatrin Kombëtar të Greqisë së Veriut, Operën e Selanikut, Orkestrën Simfonike Shtetërore të Selanikut, Orkestrën Simfonike të Qytetit të Selanikut, Orkestrën Shtetërore të Athinës, e shumë të tjera institucione.
Ka fituar çmimin “B” në konkursin Ndërkombëtar të Dirigjentëve të Rinj të Korit, në Pragë, më 1995. Konstantinidou udhëheq Korin Miks të Selanikut që nga themelimi i tij; ndër shumë çmime të fituara ata kanë marrë një medalje ari, dy argjendi dhe tri bronzi në garat ndërkombëtare të Athinës, Romës dhe Langollen, ndërsa ka drejtuar edhe shumë institucione të tjera muzikore.
E dirigjenti Hajrullah Syla ka thënë se koncerti ka qenë i planifikuar kaherë.
“Këtë koncert, me Maryn e kemi pasur në plan qe sa kohë, duke pasur parasysh që ‘InterBalkan Choir’ është themeluar në vitin 2022 me iniciativën e ne të dyve. Ky koncert në Prishtinë ka qenë gjatë i menduar. Kemi pasur paraqitje me këtë kor në Selanik dhe disa paraqitje kanë qenë me program shumë voluminoz dhe disa me Orkestrën Shtetërore të Selanikut”, ka theksuar ai.
Ka thënë se shumica e veprave janë interpretuar në Prishtinë për herë të parë.
“Ky program është mjaft i veçantë, sepse gati të gjitha veprat ishin premierë për publikun kosovar. Vepra dhe stile jo shumë të shpeshta që i hasim në koncertet tona. Shpresoj që publiku e shijoi”, ka thënë Syla, drejtor i festivalit “PriVocal”.
Kori Ndërballkanik është themeluar në mars të vitit 2022 me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Greqisë. Sipas prezantimit për Korin, ideja e formacionit qëndron në bashkimin e këngëtarëve nga vendet ballkanike, ku polifonia është shumë e zhvilluar, dhe ku karakteristikat idiomatike të zërave ballkanikë ndajnë elemente të përbashkëta ritmike, thellësi emocionale, arsim të avancuar muzikor, tradita të pasura dhe një prani të rëndësishme të kompozitorëve bashkëkohorë.
Koncertet në Greqi ishin shumë të suksesshme, duke përfshirë këngë tradicionale dhe vepra nga repertori ndërkombëtar koral.
Tenori grek Dimitris Rakkas, anëtar i korit “InterBalkan”, ka thënë se koncerti ka qenë rrugëtim i mrekullueshëm.
“Ishte shumë e lehtë të këndohet në gjuhën shqipe. Dirigjenti i korit ishte shumë i mirë, i shkëlqyeshëm në fakt. E kemi shijuar këtë rrugëtim, ishte shumë i mirë bashkëpunimi me anëtarët e tij”, është shprehur ai.
Nga fundi i koncertit janë interpretuar edhe veprat “Dëbora zbardhi mallet” nga Edmond Doko, “To sit and dream” nga kompozitorja amerikane Rosephanye Powell dhe “Time” nga amerikania Jennifer Lucy Cook, e cila ka qenë tejet atraktive. Për kohën që fluturon dhe tiktaket e transmetuara nëpërmjet vokalit.
Festivali ka hapur edicionin e sivjetmë më 17 tetor me koncertin ku kanë interpretuar sopranot Mirlinda Koci e Kejsi Haxhija dhe tenori Ismet Vejseli, të shoqëruar nga pianisti Michael Pandya.