Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Miniaturat e Adriatikut” në hapje portash të anës së magjishme të botës

“Miniaturat e Adriatikut” është ftesë për të përjetuar qetësinë, dritën dhe emocionin e detit si kujtime që mbeten të gjalla në fotografi

“Miniaturat e Adriatikut” është ftesë për të përjetuar qetësinë, dritën dhe emocionin e detit si kujtime që mbeten të gjalla në fotografi

Në një kohë trazirash e luftërash gjithandej globit, “Miniaturat e Adriatikut” është kontrasti. Fotografitë e Tonçi Saniçiqit e shpien publikun nëpër bregdet, si në një udhëtim ku hapen portat e bukurive dhe anës së magjishme të botës. Ekspozita e tij është një ikje nga përditshmëria e zymtë, estetika është aty siç e ka falur natyra. Imazhet në miniaturë janë një ftesë për ta përjetuar të bukurën. Apo siç ka thënë filozofi e kritiku Shkëlzen Maliqi, se “arti mbetet kujtesë për vlerën e jetës dhe të bukurisë

Pesëdhjetë fotografi me imazhe nga bregdeti i Splitit, peizazhe deti, arkitekturë të trashëgimisë kulturore dhe skena nga përditshmëria e qytetit dhe ishujve të Dalmacisë, janë tema qendrore e ekspozitës “Miniatura e Adriatikut”. Artisti e diplomati Tonçi Staniçiq, përmes një qasjeje estetike dhe emocionale, i fton vizitorët të zbulojnë bukurinë e Adriatikut në detaje të vogla, por domethënëse – në miniatura që përmbledhin shpirtin e një hapësire të tërë.

Në kafe-galerinë “Hani i dy Robertëve”, të enjten mbrëma është hapur ekspozita fotografike që sjell atmosferën e ditëve të nxehta në bregdet. Ka sjellë vapën e verës në prag të pranverës. Aty peizazhi i detit shfaqet në gjithë bukurinë dhe gjallërinë e tij. Në këto imazhe, rrezet e diellit përqafojnë sipërfaqen e ujit dhe krijojnë një lojë të ndritshme reflektimesh, ndërsa uji i kristaltë zbulon poshtë tij gurë shumëngjyrësh që duken si një mozaik natyror.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në horizont shfaqen siluetat e velave, të qeta dhe elegante, që lëvizin lehtë mbi një det kryesisht të qetë, por që herë pas here shfaq edhe anën e tij më të fuqishme e të zemëruar. Motorët e varkave, lopatëzat dhe balona që lëkundet pranë bregut shtojnë ritmin e jetës verore dhe kujtojnë lirinë dhe energjinë e ditëve pranë ujit. Zgjojnë edhe nostalgji. Drita e zjarrtë e diellit dhe momentet e perëndimit, kur qielli zbutet dhe ngjyrat bëhen më të thella, krijojnë një atmosferë poetike ku natyra dhe njeriu bashkëjetojnë në harmoni.

Në këtë hapësirë vizuale nuk mungojnë as gjurmët e trashëgimisë kulturore, objekte dhe elemente që dëshmojnë historinë dhe identitetin e qytetit bregdetar kroat.

Fotografitë janë zgjedhur si koleksion midis 60 albumeve me rreth pesë mijë fotografi të autorit. Por ai ka veçuar tekstin e ekspozitës para fotografive i cili është shumë i çmuar për të.

“Është një tekst i shkruar në këtë katalog. Në vitin 2011, një poet shumë i famshëm kroat, Jaksha Fiamengo, e shkroi për mua. Ndoshta për gjeneratat e reja ai nuk është i njohur, por për ne njihej si njeriu që shkruante tekste për këngët më të bukura. Ky është ai dhe unë isha shumë i lumtur dhe i nderuar që ai shkroi tekst për ekspozitën time. Fatkeqësisht vdiq para disa vitesh”, është shprehur artisti e diplomati Tonçi Staniçiq, i njohur për fotografitë e tij minimaliste dhe që sjellin atmosferë nëpërmjet imazheve.

Shquhet për kapjen e asaj që quhet si “histori vizuale minimaliste” që fokusohet në ndërveprimin e dritës dhe hijes, veçanërisht në lidhje me bregdetin e Adriatikut. Puna e tij përshkruhet si poetike, duke kapur atmosferën e peizazhit. Ai njihet pikërisht për ekspozitën “Miniaturat e Adriatikut” të cilën e kishte hapur edhe në Shkup.

Ekspozita ka sjellë vapën e verës në prag të pranverës. Aty peizazhi i detit shfaqet në gjithë bukurinë dhe gjallërinë e tij

Para se të fokusohej në fotografi, Stançiq kishte karrierë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë nga viti 1992 deri në vitin 2019. Ai shërbeu si diplomat i lartë, duke përfshirë pozicionet si zëvendësambasador dhe ambasador në disa vende evropiane.

Teksti nga poeti Jaksha Fiamengo (1947-2018) është shkruar në vitin 2011 për ekspozitën me titull “Hap përtej realitetit”.

Në këtë tekst shkruhet se fotografitë “alternohen si një varg palimpsestesh me përfundime të paparashikueshme koloristike, në një orkestër të plotë ngjyrash, të cilat nuk kanë hequr dorë nga lëvizja, por sikur vazhdojnë të shkruajnë ligjin e përjetshëm dhe të gjithëpranishëm të ndryshimit”.

Filozofi dhe kritiku i artit Shkelzen Maliqi, në fjalën e tij hapëse, ka theksuar rëndësinë e kësaj ekspozite dhe veçantinë e autorit. Sipas tij, fotografitë e ekspozitës krijojnë një përjetim të veçantë estetik, duke e shndërruar hapësirën e galerisë në një panoramë të bukurish natyrore.

“Mendoj se do të bini dakord që galeria jonë sonte është e mbushur me skena parajse. Këto fotografi na zbulojnë se sa i bukur është planeti ynë dhe sa është tmerrësisht, dhembshurisht, papërmbajtshëm, papërsëritshëm dhe në mënyrë sublime – magjik”, është shprehur Maliqi.

Siç është shprehur, në kohën e trazuar për botën, arti mbetet kujtesë për vlerën e jetës dhe të bukurisë.

“Me lindi nevoja t'i rendisja të gjitha këto epitete për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet bota jonë sot. Në kushtet e krizës aktuale politike dhe ekonomike globale dhe luftërat njëpasnjëshme, sot të gjithë jemi në rrezik ekzistencial. Ka zëra serioze që paralajmërojnë se ndoshta Lufta e Tretë Botërore ka filluar tashmë. Ka edhe zëra që profetizojnë kataklizmën një luftë bërthamore që do të shkatërrojë jetën në tokë. E di që jemi në rrezik, por nuk dua t'u besoj këtyre profecive të errëta. Kjo është arsyeja pse kjo ekspozitë më duket si një kërkesë dhe lutje e dëshpëruar që zezona të mos ndodhë”, është shprehur ai.

Edhe drejtori i fotografisë Afrim Spahiu e ka vlerësuar ekspozitën si përmbledhje të arrirë artistike që reflekton pasurinë natyrore të Adriatikut.

“Me një përmbledhje të një koncepti të quajtur ‘Miniatura të Adriatrikut’ ka reflektuar në mënyrë të denjë gjithë pasqyrimet e asaj begatie që natyra ia ka dhuruar atij ambienti dhe atyre qasjeve që ai i ka përjetuar në shkrepjet e çasteve të veçanta, duke na ofruar kompozicione të përkryera me një reflektim të një koloriti dhe të një formati të strukturuar të një koncepti të përsosur. Prandaj, përgëzimet e mia janë aq shumë të mëdha, saqë e ndiej që duhet të reflektojmë në gjeneratat tona, që i keni këtu me numër të mirë fotografët rinj”, ka thënë ai.

Ka theksuar se fotografia e peizazhit dhe e detajeve të detit zgjon emocione të veçanta, sidomos për ata që kanë kujtime nga brigjet e Adriatikut.

“Fotografia e peizazhit apo fotografia e detajeve janë disi më të afërta për të gjithë ata që e adhurojnë këtë fushë të artit pamore. Por këtu siç duket, ky kompozicion, kjo tërësi e reflektuar, është shumë e ngrohtë, shumë më e kapshme për ne, ngase kemi ndoshta edhe emocione nga kohët kur ne, flas për gjeneratën time, kemi gëzuar ato bukuri, ato pasuri që i ka pasur Deti Adriatik në kohë”, ka thënë Spahiu më tej duke konsideruar se mënyra e ekspozimit të fotografive është menduar me kujdes estetik.

“Është diçka inovative mënyra e ekspozimit të tablove në një përmbledhje kuadrati të një hapësire harmonike, me një thjeshtësi të bukur të një kornize të bardhë, në një prapavijë të një sfondi të zi, që qëndron dhe reflekton në mënyrë spotike për të thelluar të gjitha ato mendime, të gjitha ato ndjenja që ne mund t’i përjetësojmë nga ajo kornizë”, ka thënë ai në fund.

Në ceremoninë e hapjes ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq, ka vënë në pah aftësinë e autorit për të vërejtur detajet e bukurisë së vendit të tij.

“Të jesh njeri dhe diplomat i shkëlqyeshëm sikurse ai, sikurse edhe fotograf i shkëlqyeshëm, duhet të kesh sy për detaje. Ai ka detajet më të bukura të vendit tonë. Për ata që nuk kanë qenë ende në Split, shpresoj që këto fotografi do t’ju bindin për ta parë qytetin me syrin tuaj nga afër”, ka thënë ajo para se të shpallte ekspozitën të hapur.

Ekspozita është ftesë për të përjetuar qetësinë, dritën dhe emocionin e detit si kujtime që mbeten të gjalla në fotografi.