Kulturë

Ministrja ia ndërron Këshillin Drejtues edhe Qendrës Kinematografike

Gati gjashtë muaj më herët, Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës i është shkurtuar mandati. Përbërja e re e këtij këshilli pason “fshesën” e Ministrisë së Kulturës në shkurtimin e mandateve të këshillave drejtues të institucioneve që ka në varësi.

Të enjten, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka takuar drejtorin e QKK-së, Arben Zharku, dhe anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues.

Nga mandati paraprak, vetëm regjisori Luan Daka ka mbetur në strukturën e re, e cila tashmë ka në përbërje Arbnesha Grabovcin, aktore, Jeton Zogjanin, aktor, Linda Shalën, afariste, si dhe Burim Reçicën, përfaqësues i MKRS-së.

Në takimin e mbajtur me këtë rast, ministrja Vlora Dumoshi ka falënderuar ish-Këshillin paraprak për angazhimin, teksa anëtarët e rinj i ka njoftuar me gjendjen aktuale të kinematografisë dhe me sfidat e QKK-së.

“Ju pret një sfidë e madhe, e cila kërkon mund dhe angazhim dhe kjo patjetër që do të arrihet me profesionalizëm dhe përkushtim”, ka thënë Dumoshi, përcjell kumtesa e MKRS-së.

Teksa ka shprehur zotimin për përkrahje të QKK-së në anën profesionale dhe atë financiare, ajo ka theksuar se “filmat tanë po tregohen të suksesshëm në kinematografi evropiane duke sjellë çmime të njëpasnjëshme”.

Në takim është folur edhe për Ligjin e ri të QKK-së, i cili së shpejti pritet të procedohet në Qeveri për miratim.

Edhe tre vjet më parë kishte qenë pothuajse e njëjta histori, kur ministri i asokohshëm i Kulturës, Kujtim Gashi, e kishte emëruar një përbërje të re në Këshillin Drejtues të këtij institucioni.