Kulturë

Miratimi me faza – propozim kompromisi për sheshin “Xhorxh Bush”

Sheshi Xhorxh Bush

Punimet për sheshin “Xhorxh Bush” përtej kufirit të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës (djathtas) do të mund të vazhdonin nëse Komuna e Prishtinës dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve do të bien dakord për miratimin e projektit me faza.

Prej pranverës së vjetme kur sheshi “Xhorxh Bush” u nda përgjysmë e punimet vijuan kohë pas kohe deri në kufi me zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, projekti prej 18.1 milionë eurosh ka mbetur pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore, të cilën s’e kishte as kur nisën e u ndaluan punimet, përderisa përplasjet thelloheshin edhe më. Tash, një formulë që është hedhur në tavolinë është miratimi i projektit me faza që do t’u hapte rrugë punimeve në sipërfaqe, përderisa çështja e lokaleve – që mbetet njëra prej pikave kryesore të refuzimit të projektit – të presë një tjetër zgjidhje

Komuna e Prishtinës dhe institucionet e trashëgimisë kulturore kanë hyrë në një fazë të re që do të mund ta zgjidhte çështjen e projektit për sheshin “Xhorxh Bush”. Gati një vit pas fillimit të përplasjeve për projektin madhor, institucioni lokal, ka zgjedhur një rrugë tjetër: atë të bashkëpunimit. Kanë dalë edhe propozime të reja për mundësimin e nisjes së punimeve në hapësirën që gjendet në qendër të Prishtinës. 

Në mars të vitit të kaluar, Komuna pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore synonte punime midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Komuna s’kishte marrë leje për ndërhyrje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si i vetmi institucion me mandat dhe të drejtë vetoje për miratimin ose refuzimin e projekteve që prekin trashëgiminë arkitekturore. Punimet ishin ndërprerë. 

Në fund të vitit të kaluar, zyrtarët komunalë kanë kërkuar takim me zyrtarët e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Takimi është zhvilluar këto ditë. 

KOHA është informuar për hollësi të këtij takimi. Zyrtarët komunalë kanë shprehur gatishmëri që të përgatisin lëndën e plotë për të kërkuar miratim të projektit. 

“Takimi ishte shumë konstruktiv dhe ne sqaruam se do të veprojmë ashtu siç e përcakton Ligji për trashëgimi kulturore”, kanë bërë të ditur në IKMM. 

Punimet e nisura pa leje ishin ndërprerë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore duke pamundësuar projektin për të cilin Komuna e Prishtinës ka lidhur kontratë me peshë financiare 18.1 milionë eurosh. Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 16 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. Punimet vazhduan duke e ndarë sheshin përgjysmë. Në të majtë të katedrales, është shtruar pllaka e betonit, në atë që njihet edhe si “Tre Sheshirat” janë ngritur edhe lokalet.

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore për këtë “Xhorxh Bush” kishte ushtruar kallëzim penal në Policinë e Kosovës. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë në mars, Komuna kishte bërë kërkesë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për pajisje me leje.  Në ditën e 16-të të prillit, Komuna ishte njoftuar se projekti nuk i ishte miratuar.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë rekomandime duke kërkuar sqarime shtesë, siç janë analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së e konfirmon edhe një synim të projektit: ndërtesat e reja që ngrihen midis monumenteve. Kjo zbërthehet te shkresa, ku Komunës i kërkohet që të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt.  Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës. IKMM-ja ia ka bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe si: ai i Katedrales, i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi”, ai “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve. Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, si dhe brenda perimetrit të zonave të  mbrojtura të monumenteve si: Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio-Kosova, hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës, është kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime. Në shkresë bëhet e ditur se projekti parasheh ndërhyrje në aspekt urban dhe arkitektonik, në perimetër dhe zonë mbrojtëse të monumenteve si Rektorati i UP-së dhe Radio-Kosova, “duke cenuar integritetin hapësinor të këtyre monumenteve, respektivisht duke penguar kuadrin e dukshëm të përjetimit të tyre nga sheshi aktual dhe si të tilla nuk janë në pajtueshmëri me politikat për konservim dhe zhvillim të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të monumenteve”.

Projekti 18.1 milionë eurosh shtrihet edhe te Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio-Kosova, hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës përderisa parasheh edhe ngritje objektesh të reja

Zyrtarët komunalë në atë takim s’kanë thënë se do të hiqet dorë nga lokalet që synohet të ndërtohen e të cilat edhe janë arsye e fortë për refuzim të projektit nga IKMM-ja. 

“Ne kemi propozuar një zgjidhje shumë praktike: Mund të sillet për shqyrtim dhe miratim faza e parë e projektit, instalimet e ndërhyrjet e tjera që janë nën sipërfaqe dhe në sipërfaqen e tokës. Të miratohen fillimisht ato dhe të vazhdojë puna në mënyrë që të hapet ai shesh e të mos ngelet ashtu siç është”, kanë bërë të ditur në IKMM. Sipas zyrtarëve të IKMM-së, zyrtarëve komunalë u ka pëlqyer ky propozim dhe ngelet të shihet se si do të veprohet. 

“Mund të kryhen instalimet të bëhet shtrimi i sipërfaqes dhe të mos ngelet ashtu rruga apo sheshi i bllokuar”, kanë treguar në IKMM. 

Paraprakisht KOHA ka raportuar se do të ketë një takim për këtë çështje. 

“Por ka lëvizje të punës”, kishte thënë drejtori i Drejtorisë së Transformimit në Komunë, Gëzim Kastrati. KOHA ka kërkuar informacion nga Kastrati pas takimit të mbajtur, por ai nuk është përgjigjur. 
Pas zhvillimeve të pranverës së kaluar dhe përplasjeve të forta edhe politike midis Komunës dhe Ministrisë së Kulturës, Komuna lëndën e kishte dërguar në gjykatë duke kërkuar pezullimin e vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore e më pas edhe shqyrtim të ligjshmërisë së ndalimit të punimeve. Gjykata e ka refuzuar pezullimin dy herë radhazi. Edhe pasi Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim.

Në arsyetim, Gjykata ka cituar pikën e 8-të të nenit të 3-të të Ligjit për trashëgimi kulturore, i cili përcakton se “dhënia e lejes (lejimi) për ndërtim ose veprimtari të tjera që mund të ndikojnë në vlerat ose ndryshojnë tërësinë ose strukturën e objektit të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, bëhet vetëm me miratimin me shkrim të institucionit kompetent”. Komuna nuk ishte pajisur me leje nga IKMM-ja.

Komuna i ka po ashtu punimet e ndaluara edhe për projektin “Ishulli Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”, projekt që ka kosto 6.4 milionë eurosh. 

Zyrtarët komunalë në krye me kryetarin Përparim Rama e kanë kontestuar kufirin e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, e përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme prej vitit 2020. Komuna i referohet draftplanit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës që ende s’është miratuar dhe thotë se institucionet e trashëgimisë kulturore po bazohen në një draft-dokument. Por, sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, kufijtë e zonës së mbrojtur të QHP-së janë miratuar bashkë me propozimin e vitit 2020, kur QHP-ja ka fituar statusin e monumentit nën mbrojtje të përkohshme. Kurse sipas draftit të Planit të Menaxhimit të Qendrës Historike të Prishtinës, kufijtë e zonës së mbrojtur shkojnë edhe më tej. Prekin edhe katedralen “Nënë Tereza”.
Së fundmi ka marrë epilog zhbllokimi i rrugës “Qamil Hoxha” ku Komuna po ashtu kishte ndërhyrë pa leje. Muajin e kaluar i janë drejtuar IKMM-së dhe kërkesa është trajtuar me urgjencë duke zhbllokuar situatën.