Kulturë

Muzeu Kombëtar i Jemenit pëson nga sulmet izraelite

sana

Dritaret dhe dyert e ndërtesës janë thyer plotësisht, ndërsa pankartat promocionale që shfaqnin vepra nga koleksioni i saj janë shpërndarë në oborr

Dritaret dhe dyert e ndërtesës u thyen nga sulmi i 10 shtatorit, ndërsa një profesoreshë vendase ka shprehur shqetësimin se koleksioni mund të jetë tani në rrezik. Pamjet e publikuara nga “Associated Press” tregojnë sheshin e Muzeut Kombëtar të mbushur me mbeturina. Sulmet që janë pjesë e përplasjes mes forcave izraelite dhe militantëve Houthi, që vazhdon që nga fillimi i luftës në Gazë, vranë më shumë se 45 persona dhe plagosën 165 të tjerë

(The Art Newspaper ) – Një seri sulmesh ajrore izraelite mbi Jemenin dëmtuan Muzeun Kombëtar në kryeqytetin Sanaa, sipas Ministrisë së Kulturës.

Sulmet që janë pjesë e përplasjes mes forcave izraelite dhe militantëve Houthi, që vazhdon që nga fillimi i luftës në Gazë, vranë më shumë se 45 persona dhe plagosën 165 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Houthive. Ato goditën Sanaan, si dhe provincën veriore Al-Jawf.

Pamjet e publikuara nga “Associated Press” tregojnë sheshin e Muzeut Kombëtar të mbushur me mbeturina. Dritaret dhe dyert e ndërtesës janë thyer plotësisht, ndërsa pankartat promocionale, që shfaqnin vepra nga koleksioni i saj, janë shpërndarë në oborr.

“Është e vërtetë që videoja e qarkulluar tregon vetëm oborrin. Megjithatë, dëmi është shtrirë edhe në sallën kryesore të muzeut, ku janë të ekspozuara disa artefakte dhe fotografi, si edhe te dyert, dritaret dhe dhomat e depozitimit të muzeut”, ka treguar Amida Sholan, arkeologe dhe profesoreshë në Universitetin e Sanaas.

Sholan, e cila ndodhej jashtë Jemenit kur ndodhi sulmi, ka treguar se ende nuk ka mundur të konfirmojë me kolegët nëse artefakte janë dëmtuar. Ajo paralajmëroi, megjithatë, se dëmet strukturore kanë kompromentuar sigurinë, duke e vënë koleksionin e Muzeut në rrezik. “Shqetësimi ynë më i madh për momentin është rreziku i grabitjeve, sidomos pasi të gjitha dyert dhe dritaret janë shkatërruar plotësisht”, ka thënë ajo. Sholan theksoi se vetë ndërtesa e fillimit të shekullit XX është një monument historik.

Muzeu Kombëtar, i themeluar fillimisht në vitin 1971, u mbyll për rreth 10 vjet për shkak të luftës në Jemen dhe u rihap për publikun në maj, 2023. Ai është shtëpi e dhjetëra e mijëra eksponateve, duke përfshirë artefakte të lashta, dorëshkrime dhe skulptura nga periudhat paraislame, si edhe objekte që dokumentojnë historinë islame dhe të kaluarën më të afërt të Jemenit.

“Ne mirëpresim çdo përpjekje për të dokumentuar dëmet, pasi kjo ndihmon të tërhiqet vëmendja e komunitetit ndërkombëtar mbi seriozitetin e situatës dhe nevojën urgjente për të mbrojtur trashëgiminë e Jemenit”, ka thënë Sholan.

Qyteti i vjetër i Sanaas, një aset i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ndodhet gjithashtu pranë shpërthimeve, por nuk duket të jetë dëmtuar. Metropoli, i banuar për mbi 2 mijë e 500 vjet, u bë një qendër e mbretërisë jemenite në shekullin e 2-të para erës sonë dhe më vonë një nyjë e rëndësishme tregtare tokësore. Arkitektura e qytetit reflekton ndikimin e krishterë nën sundimin abisinian, shndërrimin e qytetit në qendër të islamit nga shekulli i 7-të, si edhe rindërtimet osmane.

Një zëdhënës i UNESCO-s ka thënë se organizata pezulloi të gjitha aktivitetet në zonat nën kontrollin e Houthive, pasi katër nga punonjësit e saj u arrestuan nga autoritetet de facto dhe mbeten në paraburgim.

“UNESCO ende nuk ka mundur të verifikojë dëmet ndaj trashëgimisë kulturore, pasi organizata nuk ka prezencë në Sana”, ka thënë zëdhënësi.

Shumica e veriperëndimit të Jemenit është nën kontrollin e Houthive qëkur ata rrëzuan ish-presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi në vitin 2014.

Ministria e Kulturës ka bërë thirrje që UNESCO të dënojë sulmin dhe të ndërhyjë për të ndihmuar në mbrojtjen e ndërtesave historike dhe koleksioneve të tyre. UNESCO nuk iu përgjigj kërkesës së “The Art Newspaper” për koment deri në momentin e publikimit.

Sholan shtoi se ndërsa sulmet kishin në shënjestër ndërtesat qeveritare, ato prekën gjithashtu zonat e banuara dhe një “rrugë kryesore shumë të frekuentuar zemrën e tregjeve, me trafik të rënduar, stacione autobusi, dyqane dhe tregje tregtare”.