Zona e mbrojtur e lokalitetit arkeologjik “Kalaja në Kulinë”, në Teneshdoll të Prishtinës është gërryer me mjete të rënda pa kurrfarë lejeje nga Instituti Arkeologjik i Prishtinës. Krejt kjo është bërë në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore të mërkurën ka ndaluar punët e paautorizuara. “Në të dyja anët e kodrës ishin duke u zhvilluar punime ndërtimore në hapësirën e lokalitetit. Ky projekt është duke u zhvilluar nga Drejtoria e rrugëve – MMPHI. Këto punime kanë filluar rreth dy vjet më parë dhe është bërë një gërryerje e konsiderueshme e sipërfaqes”, shkruhet në procesverbalin e Inspektoratit
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës gjatë punimeve të rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë nëpërmjet kontraktorëve ka zhvilluar punime të paautorizuara në zonën e mbrojtur të trashëgimisë kulturore. Zona e mbrojtur e lokalitetit arkeologjik “Kalaja në Kulinë”, në Teneshdoll të Prishtinës është gërryer me mjete të rënda pa kurrfarë lejeje nga Instituti Arkeologjik i Prishtinës. Krejt kjo është bërë në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore të mërkurën ka ndaluar punët e paautorizuara.
Pas njoftimit që ka marrë nga Instituti Arkeologjik i Prishtinës, Inspektorati ka dalë në terren për të bërë konstatimin e gjendjes.
“Në të dyja anët e kodrës ishin duke u zhvilluar punime ndërtimore në hapësirën e lokalitetit. Ky projekt është duke u zhvilluar nga Drejtoria e rrugëve – MMPHI. Këto punime kanë filluar rreth dy vjet më parë dhe është bërë një gërryerje e konsiderueshme e sipërfaqes”, shkruhet në procesverbalin e Inspektoratit. Sipas këtij dokumenti, pala ka deklaruar se do të ndalohen punimet dhe do të informohen eprorët për t’i ndjekur procedurat.
“Po ashtu deklaroi se kjo ndalje e punimeve mund të paraqesë rrezik për shembjen e gurëve”, shkruhet në procesverbal. Në orën 12:15 inspektorët kanë bërë shqiptimin e masës.
“Ndalohen punimet. Vendosen shenjat zyrtare. Obligohet pala që në afat sa më të shpejtë të marrë aprovim nga IAK, në mënyrë që të parandalohet ndonjë fatkeqësi nga shembja e gurëve”, shkruhet në procesverbal. Ky aset i trashëgimisë kulturore i parahistorisë është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.
Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore të miratuar më 2008, as veprimtaritë bujqësore që prekin tokën në sipërfaqe nuk mund të zhvillohen pa leje me shkrim. Në rastin konkret është bërë alamet gërryerje me buldozerë.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, shkruhet në nenin e 4-t të Ligjit. Kurse në nenin paraprak saktësohet se dhënia e lejes ose lejimi për ndërtim ose veprimtari të tjera, që mund të ndikojnë në vlerat ose ndryshojnë tërësinë, ose strukturën e objektit të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, bëhet vetëm me miratimin me shkrim të institucionit kompetent. Në këtë rast, institucioni kompetent është Instituti Arkeologjik i Kosovës. KOHA të martën ka kërkuar informacion mbi këtë rast nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, por gjatë ditës nuk janë ofruar përgjigje.
Lokaliteti gjendet në fshatin e fundit të Prishtinës, në kufirin administrativ me Komunën e Podujevës. Lokaliteti arkeologjik i Kalasë së Teneshdollit, i njohur edhe si “Kalaja e Kulinës”, është një vendbanim i fortifikuar kodrinor shumështresor, i cili përmban material arkeologjik që nga periudha parahistorike deri në mesjetë. Kalaja ndodhet në juglindje të Teneshdollit, në anën e majtë të luginës së lumit Llap. Lokacioni ngrihet mbi kodrën në formë trekëndëshi dhe njihet edhe me emrin “Kulina e Vogël” dhe ka një sipërfaqe prej rreth 1.2 hektarësh. Fshati Teneshdoll shtrihet në një pozitë gjeografike të mirë dhe lidhet në magjistralen Prishtinë – Podujevë në kilometrin e 15-të nga Prishtina. Vendbanimi kufizohet në perëndim me fshatin Lupç i Poshtëm, në veri me fshatin Lluzhan, në lindje me fshatin Seroc, dhe në jug me atë Vranidoll.
Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore tashmë ka disa masa në fuqi në Komunën e Prishtinës. Ndalimi i punimeve vazhdon të jetë në fuqi edhe në qendër të qytetit, si bulevardin “George Bush”, rrugën “Qamil Hoxha” dhe për ishullin urban “Arbëri – Pallati i Rinisë”.
Historia e punimeve në “Xhorxh Bush” do të niste në mars të këtij viti, kur Komuna pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore synonte punime midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Komuna s’kishte marrë leje për ndërhyrje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si i vetmi institucion me mandat për miratimin ose refuzimin e projekteve që prekin trashëgiminë arkitekturore.
Komuna pa leje kishte nisur punimet në mars për të implementuar projektin që, sipas kontratës, ka kosto 18.4 milionë euro. Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 16 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. Inspektorati për këtë rast kishte ushtruar kallëzim penal në Policinë e Kosovës. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë, në mars, Komuna kishte bërë kërkesë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për pajisje me leje. Në ditën e 16-të të prillit, Komuna ishte njoftuar se projekti nuk i është miratuar.
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë rekomandime, duke kërkuar sqarime shtesë, siç është analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së e konfirmon edhe një synim të projektit: ndërtesat e reja që ngrihen midis monumenteve. Kjo zbërthehet te shkresa, ku Komunës i kërkohet që të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt. Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës. IKMM-ja ia ka bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe, si ai i Katedrales, i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi”, ai “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve. Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, si dhe brenda perimetrit të zonave mbrojtëse të monumenteve si Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio Kosova, hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës, është kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime.
Në shkresë bëhet e ditur se projekti parasheh ndërhyrje në aspekt urban dhe arkitektonik, në perimetër dhe zonë mbrojtëse të monumenteve, si Rektorati i UP-së dhe Radio Kosova, “duke cenuar integritetin hapësinor të këtyre monumenteve, respektivisht duke penguar kuadrin e dukshëm të përjetimit të tyre nga sheshi aktual dhe si të tilla nuk janë në pajtueshmëri me politikat për konservim dhe zhvillim të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të monumenteve”.
“Ndërhyrjet në aspektin arkitektonik (ndërtesat e reja) të projektuara në sheshin e Katedrales, i cili përfshin rrugën ‘Justiniani’, dhe sheshin e shkollës fillore ‘Faik Konica’ të propozohen me interpretime të dizajnit kontekstual”, shkruhet te rekomandimet. Nënvizohet se volumet për zgjerimin dhe zhvillimin e përdheseve në ndërtesat përgjatë rrugës “Garibaldi”, ndërtesa të identifikuara si ndërtesa kontribuuese të zonës, cenojnë tipologjinë e ndërtesave ekzistuese, peizazhin urban të zonës dhe hapësirën publike, trotuaret.
Pavarësisht se zyrtarët komunalë pohojnë se po presin miratim të projektit, ata nuk kanë dërguar në IKMM plotësimet e kërkuara.
“Ne pas rekomandimeve nuk kemi pranuar më kurrfarë plotësimi apo lëndë për këtë projekt”, kanë treguar në IKMM.
Zyrtarët komunalë në krye me kryetarin Përparim Rama e kontestojnë kufirin e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, e përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme prej vitit 2020. Komuna i referohet Studimit të fizibilitetit dhe planit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës që ende është duke u hartuar dhe thotë se institucionet e trashëgimisë kulturore po thirren në një draft-dokument. Por sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, kufijtë e zonës së mbrojtur të QHP-së janë miratuar bashkë me propozimin e vitit 2020 kur QHP-ja ka fituar statusin e monumentit nën mbrojtje të përkohshme. Lënda tashmë është në gjykatë. Gjykata Themelore nuk i ka dhënë të drejtë Komunës, përderisa ajo e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim.