Hap i rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e “Forum 26” dhe në fuqizimin e zërit të autorëve shqiptarë në një platformë globale kushtuar të drejtave të autorit, lirisë së shprehjes dhe bashkëpunimit letrar ndërkombëtar është cilësuar anëtarësimi i këtij Forumi të Shkrimtarëve Shqiptarë, i themeluar e zyrtarizuar në shkurtin e sivjetmë. Lajmi për anëtarësim është bërë i ditur të martën, në një kumtesë për media. “Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – ‘Forumi Përmes Fjalëve’ – ‘Forum 26’ është pranuar zyrtarisht si anëtar i International Authors Forum (IAF), një prej rrjeteve më të rëndësishme ndërkombëtare që përfaqëson dhe mbron të drejtat e autorëve në mbarë botën”, shkruhet në kumtesë duke shtuar se vendimi është miratuar nga Bordi Drejtues i IAF dhe i është komunikuar “Forum 26” përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Kevin Fitzgerald, dhe Sekretariatit të IAF, pas shqyrtimit të aplikimit dhe takimit prezantues të zhvilluar online më 16 qershor 2026 mes drejtorit ekzekutiv të “Forum 26”, Granit Zela, dhe Serena Barone, përfaqësuese e Sekretariatit të International Authors Forum (IAF). Po aty shkruhet se emri dhe profili i “Forum 26” tashmë janë përfshirë në faqen zyrtare të IAF-së si organizatë anëtare, ndërsa anëtarësimi i plotë do të ratifikohet në Asamblenë e Përgjithshme të IAF. “Gjatë takimit dhe komunikimit pasues me IAF u identifikuan disa fusha prioritare bashkëpunimi. Ky zhvillim shënon një moment të rëndësishëm jo vetëm për ‘Forum 26’, por edhe për letërsinë shqipe, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim, përfaqësim dhe prani ndërkombëtare të autorëve shqiptarë”, shkruhet në kumtesë.
International Authors Forum (IAF) është organizatë ndërkombëtare që përfaqëson interesat e autorëve në mbarë botën. Ajo bashkon shoqata të shkrimtarëve, skenaristëve, artistëve vizualë dhe organizata të tjera që mbrojnë të drejtat e autorëve. Sipas IAF, organizata përfaqëson mbi 700 mijë autorë në mbarë botën. U themelua më 2013 me seli në Londër.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Forum 26” qe zyrtarizuar të premten e 6 shkurtit në në Tiranë kur ishte zgjedhur edhe kryesia. Përveç Stefan Çapalikut si president, Ag Apolloni ishte zgjedhur zëvendëspresident, ndërsa Granit Zela mban pozitën e drejtorit ekzekutiv. Ishte konsideruar si hapësirë e përbashkët kulturore e letërsisë shqipe me autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe nga mërgata shqiptare. Krijimi i një hapësire të përbashkët reflektimi, bashkëpunimi dhe dialogu për shkrimtarët shqiptarë, mbetet shtylla kryesore e anëtarët përbashkohen në një institucion të vetëm, të sapokrijuar, pavarësisht se ku jetojnë e ku krijojnë. Nuk ishte cilësuar thjesht si hapësirë formale e bashkimit, por një platformë dialogu, bashkëpunimi dhe krijimtarie. Aty fjala artistike fiton dimensione të reja dhe zëra që gjejnë jehonë. Formimi ishte cilësuar si përgjigje e domosdoshme ndaj nevojës për dialog, bashkëpunim dhe ruajtje të fjalës artistike shqipe në një kohë kur rrëshqitja prej saj po imponohet çdoherë e më shumë. Me rastin e themelimit shkrimtari e studiuesi Ag Apolloni kishte thënë se “në një kohë kur politikës po ia shohim veç sherrin, letërsisë ndoshta mund t’ia shohim hairin”.
Sipas tij, botën po e udhëheqin rrëfimet, e mbi to po merr formë politika. Sipas shkrimtarit Apolloni, “Forumi...” do ta ndryshojë politikën shqiptare që injoron vlerat e letërsisë.
“Nuk duhet të harrojmë që, edhe pse flitet sikur lexohet pak, jemi një kohë kur rrëfimi është më i rëndësishëm se gjithçka. Mirë që studiohen edhe profesionet e tjera, sigurisht, por botën po e udhëheqin rrëfimet, mbi të cilat pastaj po merr formë edhe politika. Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë do të ndikojë që letërsia, si nëna e rrëfimeve, të mos jetë margjinale. Besoj se të gjithë jemi mbledhur me qëllimin më të mirë, që ta ndryshojmë këtë realitet të pervertuar politik shqiptar që injoron vlerat nga të cilat përfiton më së shumti kombi dhe shtetet tona”, kishte thënë ai.
E, shkrimtari Granit Zela, në cilësinë e koordinatorit të “Forum 26” kishte thënë se themelimi i tij ka ardhur duke e vendosur letërsinë shqipe si hapësirë të përbashkët kulturore.
“Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë është, para së gjithash, një projekt kolektiv, i ndërtuar mbi besimin, bashkëpunimin dhe vullnetin për ta menduar letërsinë shqipe si një hapësirë të përbashkët kulturore. Në këtë frymë, edhe roli im si koordinator është në funksion të vazhdimësisë së punës që kemi nisur së bashku me të gjithë kolegët e grupit themelues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe mërgata”, kishte thënë ai.
Një javë pas Tiranës, “Forum 26” ishte prezantuar edhe në Prishtinë. Ndër të tjera, kishte ardhur edhe me detaje shtesë sikurse çlirimi i librit shqip nga taksa.