Në jo pak vende ka shëtitur shfaqja “Nën hijen e një peme u ula dhe qava”, e Osloja do të jetë stacioni i radhës për të vazhduar nëpër Evropë e përtej, deri në SHBA. Do të ngjitet në “Teatrin Black Box” më 12 dhe 13 qershor 2026, nga ora 19:00, si pjesë e festivalit prestigjioz “Heddadagene” të cilin qendra “Multimedia” si bashkëprodhuese e shfaqjes, në komunikatën për media e ka cilësuar si “një prej ngjarjeve më të rëndësishme teatrore në Norvegji”. Është në mesin e 43 produksioneve të teatrit dhe të baletit. Në shfaqjen me tekst të Jeton Nezirajt, në regji të Blerta Nezirajt luajnë aktorët e mirënjohur shqiptarë Arben Bajraktaraj, Ilire Vinca, Amernis Nokshiqi dhe një ansambël i gjerë artistësh nga Kosova dhe Afrika e Jugut.
“Në hijen...”, ka në fokus Aksionin e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë në vitin 1990, si dhe Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin në Afrikën e Jugut në vitin 1995. “Nisi si një nismë e vogël pajtimi në Kosovë u shndërrua shpejt në një lëvizje mbarëkombëtare. Në tubime publike, nëna, baballarë dhe anëtarë të familjeve ngjiteshin në skenë para mijëra njerëzve dhe falnin gjakun e të afërmve të tyre. Gjatë këtij procesi u mbajtën dhjetëra tubime pajtimi dhe u falën 1,275 gjaqe dhe ngatërresa”, shkruhet në komunikatë duke shtuar se mbi gjysmë milioni njerëz morën pjesë në tubimin përmbyllës të pajtimit në vendin e quajtur Verat e Llukës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Mediat ndërkombëtare e kanë vlerësuar lart shfaqjen. ‘Deutschlandfunk Kultur’ nga Gjermania e përshkroi kështu: ‘Një produksion i rëndësishëm... Energjia dhe humori janë të shkëlqyera... Në ‘Nën hijen e një peme u ula dhe qava’, aktorët nga të dy vendet ndajnë skenën, por nuk ka konsensus se kush ka bërë sakrificat më të mëdha”, ka shkruar “Multimedia”, bashkëprodhuese e shfaqjes tok me “The Market Theatre” të Johanesburgut, bashkë me plot bashkëpunëtorë të tjerë. U dha premierë botërore në Teatrin e Gjilanit në tetorin e vjetëm.
“Hije që shtrihet mbi dy vende me tetë mijë kilometra në mes. Nën atë hije, kujtesa nuk pushon së foluri. Pëshpërit për gjakun që është falur e dhimbjen që ende nuk është shuar, për dorën që është zgjatur mbi plagë e për heshtjen që është bërë lutje. Ajo pemë, midis Kosovës dhe Afrikës së Jugut, bart dy rrëfime që ndajnë tri dekada e krah për krah nisen drejt një pike të përbashkët: faljes. Shfaqja ‘Nën hijen e një peme u ula dhe qava’, me tekst të Jeton Nezirajt dhe nën regji të Blerta Nezirajt, ka sjellë në të njëjtën skenë figurën e Anton Çettës dhe Desmond Tutus, për ta vendosur në një dialog të përbashkët atë që historia e ka mbajtur të ndarë”, kishte shkruar KOHA pas premierës.
Në prillin e këtij viti, “Nën hijen...” pati turne në Afrikën e Jugut. “Është jubileu i Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit në Afrikën e Jugut. Rrëfimet e shpalosura para tri dekadash qenë të tmerrshme. E sivjet ato u shpërfaqën në Johanesburg nëpërmjet një shfaqjeje që ka shkuar nga Prishtina në kryeqytetin e vendit jugafrikan. ‘Nën hijen e një peme u ula dhe qava’ prej ditës së 9-të të prillit është duke u dhënë ‘The Market Theatre’. Deri më 19 prill kjo shfaqje ka reprizat e njëpasnjëshme në 50-vjetorin e themelimit të këtij institucioni të pavarur. Shfaqja është duke u pritur me kritika tejet vlerësuese”, kishte shkruar KOHA për këtë turne, duke cituar edhe disa prej kritikave. “Për ata që tashmë kanë parë shfaqjen në Johanesburg, “Nën hijen e një peme u ula dhe qava” është produksion që sjell para publikut thellësinë njerëzore nëpërmjet teatrit. Samantha Nupen, e cila mban faqen online ‘SamSays’ dhe merret me kritikë arti e promovim të ngjarjeve artistike ka shkruar se nuk dinte gjë për gjakmarrjet në Kosovë. ‘Nuk dija për gjakmarrjet në Kosovë. Nuk e dija sa brutale ishin vrasjet, apo sa thellë, brez pas brezi, shtrihen ciklet e hakmarrjes. Nuk e dija. Nuk kam jetuar kurrë në Kosovë dhe nuk e dija. Nuk e dija tmerrin e torturave gjatë Aparteidit... Unë jetoj këtu… dhe megjithatë, nuk e dija’”, kishte shkruar KOHA.
“Multimedia” ka bërë të ditur se pas prezantimit në Afrikën e Jugut shfaqja do të vazhdojë turneun e saj evropian gjatë vitit 2026 dhe do të prezantohet në New York në mars të vitit 2027.
E, dhënies së shfaqjes në “Heddadagene” – që daton prej vitit 2017 – do t’i paraprijë edhe një panel diskutimi. Në përkthim festivali i bie “Ditët e Heddës”, edhe çmimi mban emrin e Heddës, personazhit kryesor të dramës së “Hedda” vjen nga personazhi kryesor i dramës së famshme “Hedda Gabler” të dramaturgut norvegjez Henrik Ibsen. Kësisoj emri “Hedda” konsiderohet simbol i teatrit dhe arteve skenike në Norvegji.