Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Pas një viti procedurash e ankesash hapet rruga për rinovimin e teatrit “Adriana” në Ferizaj

Teatri "Adriana" ,Ferizaj

Teatri i qytetit të Ferizajt, “Adriana”, si ndërtesë e viteve ’20 të shekullit të kaluar, u është nënshtruar intervenimeve disa herë. Para rreth 15 vjetësh qe bërë i fundit. Nevoja për ndërhyrje që ndërtesa të bëhet më e shfrytëzueshme është e kahershme

Foto: Driton Paçarada

Dy ankesa të reja të kompanive konkurruese në janar të këtij viti qenë të fundit që u bënë shkak për shtyrje të reja të nisjes së rinovimit. Kur punimeve u është hapur rruga nga vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, teatri “Adriana” ka gjetur një hapësirë modeste për periudhën e tranzicionit. Është ndërtesa ku gjendet Galeria e qytetit dhe aty do të improvizohet një skenë e vogël me rreth 80 karrige për publikun

Pas një viti procedurash i është hapur rruga rinovimit të teatrit “Adriana” në Ferizaj. Procedurat e prokurimit dhe ankesat e kanë mbajtur peng këtë nismë. Dy ankesa të reja të kompanive konkurruese në janar të këtij viti qenë të fundit që u bënë shkak për shtyrje të reja të nisjes së rinovimit. Kur punimeve u është hapur rruga nga vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, teatri “Adriana” ka gjetur një hapësirë modeste për periudhën e tranzicionit. Është ndërtesa ku gjendet Galeria e qytetit dhe aty do të improvizohet një skenë e vogël me rreth 80 karrige për publikun. 

Pas një procesi të gjatë, Ministria e Kulturës për 1 milion e 162 mijë euro zgjodhi që kompania “Eing Com Sh.P.K” të kryejë renovimin e institucionit teatror.  Në thirrjen publike të hapur në prill të vitit 2025 kanë aplikuar pesë kompani. Tri qenë eliminuar, kurse nga dy të mbetura, Ministria e Kulturës ka vendosur që tenderin t’ia japë kompanisë “Toni O.P.; N.N.P. ATC COM Sh.P.K” nga Malisheva për 1 milion e 187 mijë euro. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 1.2 milion euro. Por kompanitë “Eing Com Sh.P.K” dhe “Ideal Partners” kanë bërë ankesë në Ministrinë e Kulturës, duke kërkuar rishqyrtim me pretendimin se janë eliminuar pa pasur bazë për një gjë të tillë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Eliminimi është bërë pasi, sipas MKRS-së, ka shkarje te stafi i paraqitur i punonjësve, ku në një rast kontrata nuk është e nënshkruar, në një tjetër deklarimi i profesionit të punonjësit ka dallim me kontratën e punës me të dhe disa raste të tjera. Pasi MKRS-ja i ka hedhur poshtë këto ankesa, kompanitë janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Në dhjetor vendimi i OSHP-së e ktheu procesin në rivlerësim. Ankesat qenë aprovuar si të bazuara. Por pas rivlerësimit dhe përcaktimit të MKRS-së se “Eing Com Sh.P.K” të kryejë renovimin e institucionit teatror, qenë ankuar dy kompani. “Ideal Partners SH.P.K.” dhe “Toni O.P.; N.N.P. ATC COM Sh.P.K” pas ankesës në MKRS dhe refuzimit i qenë janë drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. E para pretendonte se MKRS-ja ka bërë shkelje pasi fituesi nuk posedon licencat e duhura ose ka në staf ish-punonjës të MKRS-së.

Pretendonte po ashtu se i është mohuar qasja në dokumentacion, kurse e dyta pretendonte se ka mospërputhje të të dhënave në dokumentacionin e fituesit sa u përket punonjësve, gjë për të cilën pretendonte edhe MKRS-ja krejt në fillim të vlerësimit të konkurrentëve. Por në fund të javës së kaluar OSHP-ja ka vendosur që ankesat janë pjesërisht të bazuara dhe ka lënë në fuqi vendimin e MKRS-së duke i hapur rrugë rinovimit. E MKRS-ja të hënën ka njoftuar për nënshkrimi e kontratës. 

Por në krejt këtë situatë ka pësuar teatri “Adriana”. Këtë e ka thënë vazhdimisht drejtori i këtij institucioni, Fatmir Hyseni. 

“Nuk e dimë se çfarë po ndodh. E dimë se nuk është vullnet i askujt që të shtyhet procesi, por kështu po ndodh”, kishte thënë Hyseni në janari. Kishte treguar se Komuna e Ferizajt u është përgjigjur pozitivisht që të shfrytëzojnë hapësirën që dikur ishte pjesë e Shtëpisë së Kulturës. Bëhet fjalë për një pjesë të ndërtesës ku funksionon Galeria e qytetit. 

“Tash bashkë me Komunën do të intervenojmë në atë hapësirë ku mund të rregullohet një skenë e vogël dhe nja 80 ulëse për publikun”, kishte thënë Hyseni. Sipas tij, për muajin shkurt repertori do të zhvillohet në ndërtesën e Teatrit, përderisa më pas mund të dalin te hapësira e re. 

“Aty mund të mbajmë aktivitete më të vogla, por hapësira edhe në të ardhmen mund të shërbejë si skenë alternative për zhvillimin e shfaqjeve kamertale”, kishte thënë ai.

Sigurimi i hapësirës së re e ka relaksuar situatën. Hyseni në dhjetor kishte thënë se janë pezull. 

“Ne jemi pezull. Tash po bëhemi gati ta lëshojmë ndërtesën, por nuk e dimë se kur do të nisin punimet”, kishte thënë drejtori i Teatrit, Fatmir Hyseni. Sipas tij, hall më vete është edhe hapësira e re ku duhet të punojnë, e cila, për të asokohe s’ishte e lehtë të gjendej. 

“Ne kemi qenë peng këtë vit, pasi shkaku i pritjes së renovimit deri tash kemi punuar vetëm dy shfaqje”, kishte thënë drejtori Hyseni, duke shtuar se e kishin zor të bënin plane. 

“Ne s’kemi hapësirë tjetër. Në pritje të renovimit s’mund të bëjmë plane për katër shfaqje në vit. Ideja është të lëvizim me shfaqjet që kemi tash në repertor dhe mundësisht të realizojmë ndonjë projekt më të vogël që është produksion më i lehtë”, kishte thënë ai. 

Projekti për restaurimin e ndërtesës, që është edhe monument, qe paralajmërim se në këtë ndërtesë do të zhvillohen punime. Planifikohej që ato të bëhen vjet. Madje, jo veç menaxhmentit, por edhe qytetarëve të Ferizajt u ishte thënë qysh në janar se projekti do të niste shpejt. 

“Në Ferizaj ky teatër, teatri ‘Adriana’, do t’i ketë 1.2 milion për projektin që nis shumë shpejt”, kishte thënë ministri tash në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, para qytetarëve të Ferizajt në ditën e 9-të të janarit të vitit të kaluar,  në atë që ishte takim i Qeverisë me qytetarë, i titulluar “Nga zotimet te progresi”. Çeku këtë e kishte thënë i shoqëruar nga kryeministri tash në detyrë, Albin Kurti, e një pjesë e kabinetit qeveritar.

KOHA ka raportuar se teatri i qytetit të Ferizajt, “Adriana”, si ndërtesë e viteve ’20 të shekullit të kaluar, u është nënshtruar intervenimeve disa herë. Para rreth 15 vjetësh qe bërë i fundit. Nevoja për ndërhyrje që ndërtesa të bëhet më e shfrytëzueshme është e kahershme. 

Por, përderisa shuma e planifikuar për intervenim është 1.2 milion euro, MKRS-ja për sivjet, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore, për këtë projekt ka të paraparë vetëm 200 mijë euro. Sipas këtij ligji, për dy vjetët e ardhshëm janë paraparë nga 500 mijë euro. MKRS-ja nuk ka ofruar sqarime se nga cilat linja do të shfrytëzohet buxheti nëse punimet përfundojnë sivjet, apo planet janë që të punohet më shumë se dy vjet. Në të njëjtin tender është përfshirë edhe teatri “ODA” në Prishtinë. Puna i është besuar grupit të operatorëve “N.N 100 Design” dhe “Termoizolimi” për 1 milion e 154 mijë euro. Dy kompani të tjera janë eliminuar e dy sosh janë shpallur të pasuksesshme në këtë procedurë prokurimi. Punimet në “Oda” kanë nisur në nëntorin e vjetëm.