Kulturë

“Peja Jazz Festival” nëpër nuancat e traditës vendore e ndërkombëtare

peja jazz

Janë katër mbrëmje me muzikë jazz që sivjet do të bashkojnë publikun pejan dhe mysafirët e tjerë në kinemanë e qytetit, “Jusuf Gërvalla”. Me muzikantë ironikë të skenës vendore e mysafirë ndërkombëtarë, nuancat e jazz-it do të shoqërojnë publikun në edicionin e gjashtë të festivalit. Ilir Bajri, Visar Kuçi, Vlashent Sata, Adrien Brandeis Rina Kaçinari, Orwa Saleh e “Mahari Trio” janë pjesë e programit.

Siç kanë njoftuar organizatorët, ajo që nisi si një iniciativë spontane për të bërë bashkë njerëzit prej shtëpive, në kohëra izolimi e pasigurie tash është kthyer në një traditë të përvitshme, e cila vjen në jetë çdo vjeshtë ose dimër kur qyteti duket se po bie në qetësi.

“Prej 23 deri më 26 tetor, çdo mbrëmje prej orës 20:00 festivali ‘Peja Jazz’ fton të gjithë dashamirët e muzikës jazz, për të eksploruar së bashku magjinë e këtij zhanri, dhe për t’u bërë pjesë e jetësimit së skenës kulturore brenda qytetit, për të kujtuar prezencën dhe madhështinë që dikur muzika kishte për komunitetin lokal, dhe nostalgjinë që plot e ndjejnë për një të kaluar të artë”, shkruhet në njoftim. Ilir Bahri do t’i kthehet vendlindjes e Festivalit. Interpretoi edhe në fillet e Festivalit para një grushti njerëzish.

“Ata që dikur performuan në një sallë të zbrazët, kur duartrokitjet s’mund t’i dëgjonim dot, kësaj radhe do të bëjnë hapjen e edicionit të 6-të të ‘Peja Jazz’”, kanë bërë të ditur organizatorët. Me Ilir Bajrin në piano, Visar Kuçin në bas-kitarë dhe Enes Beun në bateri, “Peja Jazz Festival” synon të filloj me këmbë të mbarë “Ilir Bajri Trio” si një introspektivë.

“Këtu, mendimi merr formën e tingullit. Takohemi në një shkëmbim të qetë mendjesh, të udhëhequr nga talenti dhe të zbutur nga shija, për të eksploruar ato që vështirë mund të thuhen me fjalë. Shkëmbejmë intuita, jo argumente; dëgjojmë po aq sa luajmë. Dialogu lëviz midis dritës dhe hijes, sigurisë dhe dyshimit, duke ndjekur hapësirën e brishtë ku intelekti zbutet në emocion dhe heshtja e plotëson idenë”, njoftuan organizatorët.

Është bërë e ditur se në mbrëmjen e dytë skenës së kinemasë “Jusuf Gërvalla” do t’i bashkohet Adrien Brandeis. Ai është pianist dhe kompozitor francez që bashkon jazz-in evropian me ritmet latine. Fitues i çmimit “Letter One Rising Stars Jazz Award” “New Talent Jazz Grand Prix”, Adrien ka performuar në skena prestigjioze anembanë botës nga “Blue Note” e  Shanghait e deri te “La Fenice” në Venecia.

“Pas sukseseve me albumet ‘Euforia’, ‘Meetings’ dhe ‘Siempre más allá’, ai rikthehet në 2025 me projektin e ri ‘Resurgence’, që shënon një kapitull të ri në rrugëtimin e tij muzikor”, shkruhet në njoftim.

Natën e tretë të Peja Jazz do të bashkohen Rina Kaçinari dhe Orwa Saleh. Sipas organiztaorëve, dyshja e tingujve të veçantë, Rina Kaçinari dhe Orëa Saleh  bashkojnë vizionet e tyre muzikore në një format të ri. Rina

“Kaçinari kompozimet e saj, i interpreton përmes violonçelit dhe zërit. Bota e saj muzikore lëviz me lehtësi mes jazz-it, tangos, pop-it dhe avangardës. Derisa, Orwa Saleh njihet për qasjen e tij novatore në instrumentin e ud-it. Me virtuozitet dhe pasion për traditën e pasur të muzikës arabe, ai i jep instrumentit zë bashkëkohor. Kjo dyshe i ndërthur në mënyrë unike meloditë moderne e origjinale me ritme siriane dhe asimetrike”, shkruhet në njoftim.

Fundjava do të përmbyllet me një performancë të veçantë nga Vlashent Sata dhe “Mahari Trio”. Vlashent Sata, pianist e vokalist e treshja Francesco Leo në tastierë,  Daniele Raciti në kitarë dhe Federico Gucciardo do të përmbyllin ngjarjen me ngjyrime që prekin ritme të ndryshme. Sata është këngëtar, kantautor, kompozitor dhe pianist shqiptar me karrierë të gjatë në Francë. Studioi në Paris dhe dha mësim në konservatorët “Paul Dukas” dhe “Gabriel Fauré”. Albumi i tij debutues “Hana” më 2016 u vlerësua lart nga kritika dhe u transmetua ndërkombëtarisht. Kurse “Mahari Trio”, sipas organizatorëve, pasi udhëtuan nëpër botë në kërkim të identitetit të tyre artistik, e gjetën atë tek rrënjët e veta.

“Sicilia – një përzierje kulturash që ka ushqyer ndjenjën natyrore për ndarjen, mikpritjen dhe, paradoksalisht, ruajtjen e traditave të lashta shekullore. Pikërisht nga ky burim i pasur kulturor lind tingulli i tyre me synimin për ta zhvilluar muzikën tradicionale që ka mbetur e ngrirë për shumë vite”, shkruhet në njoftim. “Peja Jazz Festival” për të gjashtën është do të jetë nikoqir i muzikantëve të veçantë në qytetin që njohët për festivalin “Anibar” – që edhe i organizon mbrëmjet me jazz – e po ashtu për korin “Siparantum” si formacion koral që traditën vendase e promovon nëpër botë.