Kulturë

Petrit Halilaj, laureat i çmimit prestigjioz për skulpturë

Petrit Halilaj në tarracën e Shtëpisë së Kulturës në Runik të Skënderajt, më 24 qershor 2025 (Foto: KOHA)

Petrit Halilaj në tarracën e Shtëpisë së Kulturës në Runik të Skënderajt, më 24 qershor 2025 (Foto: KOHA)

Artisti kosovar, Petrit Halilaj, ka fituar çmimin prestigjioz për skulpturë “Nasher”.

Ky çmim konsiderohet një nga më prestigjiozët në botë në artin kontemporan.

Çmimi për Halilajn “Nasher 2027”, ndahet nga Qendra për Skulpturë në Dallas “Nasher”. Ajo është themeluar me qëllimin për t’ua njohur meritat artistëve ndërkombëtarë për punën dhe ndikimin e jashtëzakonshëm se si njerëzimi e kupton skulpturën.

Shpërblimi kryesor është 100 mijë dollarë. Ai ndahej çdo vit, por tash ka kaluar në formatin e çdo dy vjetëve. 

Siç kas shkruar “New York Times”, ajo që i veçon aftësitë e Halilajt janë thurja e rrëfimeve personale të lirisë dhe zhvendosjes në punën e tij.

Çmimi për të është dhënë pas një sërë ekspozitash të rëndësishme për artistin, përfshirë atë të “Abetares” në terrasën e Muzeut Metropolitan të Artit në vitin 2024 në New York dhe shfaqjen në muzeun e Hamburgut në Berlin në shtator. 

Vetë Halilaj ka thënë se synon që këto mjete t’i dhurojë për organizatën e tij “Hajde!” që po punon në rindërtimin e Shtëpisë së Kulturës, të shkatërruar nga lufta.

“Jam i obsesionuar me rihapjen e saj, dhe ky çmim do të shtonte atë copëzën e garancisë”, pati thënë ai në një intervistë së fundmi, duke parashikuar se kjo qendër mund të rihapet brenda dy vjetësh, gati tre dekada pas shkatërrimit.