“Menjëherë pas luftës e kemi pasur një tendencë që të mos kthehemi pas që ta dokumentojmë luftën. Kemi qenë shumë të preokupuar me idenë e rindërtimit të jetëve tona. Tendenca për normalizim dhe harrim ka qenë evidente. Në rast se ne nuk e dokumentojmë të kaluarën, ekziston mundësia e deformimit të saj, harrimit, zaptimit dhe ngufatjes së përvojave të shumëfishta që kanë ekzistuar gjatë viteve ‘90”, ka thënë sociologia Linda Gusia
Që muzetë të ndërtojnë narracione të sakta duhet respektuar një mori aspektesh, të cilat mundësojnë që një koncept kuratorial muzeal të jetë i fuqishëm dhe njëkohësisht të përçojë të vërteta historike. Mbi të gjitha, të komunikojë me gjenerata e popuj të ndryshëm. Kjo ka qenë korniza e ligjëratës të mërkurën në qendrën “Libart”, programi i së cilës zhvillohet nga organizata ETEA dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë.
Linda Gusia, profesoreshë në Departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik, ka ndarë me të pranishmit këndvështrimet e saj në temën “Muzetë dhe reprezentimi – Metodat dialoguese dhe pjesëmarrëse në art”, nisur nga dy shembuj konkretë gjatë punës së saj hulumtuese si sociologe.
Periudha e luftës së Kosovës është pjesë përbërëse e kujtesës kolektive e rrjedhimisht edhe e identitetit shoqëror. Si e tillë kujtesa e luftës dhe kryesisht e viteve që i paraprinë asaj qëndron si subjekt diskutimi kur vjen puna te reprezentimi i kësaj pjese të historisë. Ngjashëm kishte ngjarë edhe me Gusinë, e cila si dëshmitare e periudhës së vështirë të viteve ‘90 në Kosovë ishte shtyrë e nxitur nga një impuls për të bashkëbiseduar dhe rimenduar reprezentimin e elementeve të ndryshme të së kaluarës së Kosovës.
“Menjëherë pas luftës e kemi pasur një tendencë që mos të kthehemi pas, ta dokumentojmë luftën. Kemi qenë shumë të preokupuar me idenë e rindërtimit të jetëve tona. Tendenca për normalizim dhe harrim ka qenë evidente”, është shprehur Gusia duke shtuar se kjo praktikë kishte filluar të ndryshonte me kalimin e dekadës së parë pas luftës, e cila riktheu nevojën për të dokumentuar luftën e me to edhe trajtimin e aspekteve të pakonsideruara më parë.
“Në rast se ne nuk e dokumentojmë të kaluarën, ekziston mundësia e deformimit të saj, harrimit, zaptimit dhe ngufatjes së përvojave të shumëfishta që kanë ekzistuar gjatë viteve ‘90”, ka thënë ajo, duke ilustruar këtë si një ide e cila luftën e sheh si një kontekst më të gjerë, përtej të konceptuarit si ngjarje. Atë e trajton si një vazhdimësi dhe ballafaqim me këtë të kaluar jo vetëm si nevojë personale të mbamendjes.
E influencuar nga kornizat teorike feministe, për Gusinë kjo qasje e ka ndihmuar të kuptojë pozicionimin e saj karshi hulumtimeve.
Hera e parë që ajo kishte tentuar të vepronte e bazuar në këtë formë metodologjike të hulumtimit me pjesëmarrje kishte qenë ekspozita “Data: Mars” e vitit 2018, e cila nëpërmjet fotografisë, audios, videos dhe artikujve të mediave nga protestat e grave në mars të vitit 1998 kishte përkujtuar aktivizmin dhe mobilizimin e grave në politikë gjatë viteve ‘90 në Kosovë.
“Ne kemi dashur ta vizualizonim hulumtimin tonë mbi atë temë, t’i rrëfejmë përvojat e grave të viteve ’90 edhe në mënyrë vizuale”, ka thënë ajo.
Rasti i dytë kur ajo kishte futur në përdorim këtë metodologji pune kishte qenë dhe puna hulumtuese që ajo bashkë me studentët e sociologjisë kishin bërë për të dokumentuar, arkivuar dhe digjitalizuar të dhëna rreth shtëpive shkolla në Kosovë, sërish e nxitur nga ideja se ajo vetë e kishte jetuar atë periudhë.
“Sistemi i shtëpive-shkolla ka qenë boshti kryesor i rezistencës së viteve ‘90. Nëse diçka mbetet në kujtesë do të duhej me qenë solidariteti dhe rezistenca përmes arsimit në vitet ‘90 dhe këtu jam ndier si hisedare pasi që ka qenë përvojë personale për mua”, ka deklaruar Gusia.
Sipas saj, këto ekspozita apo muze mund të kontribuojnë në ndërtimin e narracioneve reale, larg nga ngjyrimet e kufizuara folklorike që rëndom i bëhen luftës.
“Bashkë me studentët kemi realizuar intervista, kemi hulumtuar arkiva dhe ideja ka qenë që me e nxitë dokumentimin e një pjesë të historisë, krijimin e një fryme e cila insiston me qenë pjesëtare e ndërtimit të rrëfimit kolektiv mbi luftën e fundit në Kosovë”, ka thënë ajo.
Në këtë diskutim janë trajtuar edhe nismat e fundit për disa muze në Kosovë. Pavarësisht se ato janë të mirëseardhura theksi, sipas saj, duhet të vihet te përfshirja e shumë zërave dhe etablimin e rolit të një muzeu si qendër edukimi jokonvencional. Procesi i ngadalshëm i punës te projekti i dokumentimit e shndërrimit të shtëpive-shkolla në muze ka evidentuar gjatë diskutimit edhe një problematikë tjetër: faktin se sa të ngathëta janë institucionet relevante në mënyrën se si ato funksionojnë bazuar në burokraci. Ka tërhequr paralele dhe me debatet e kohëve të fundit për kompleksin memorial të Adem Jasharit.
“Kompleksi i Jasharëve është një shembull tipik i cili na paraqet një shembull se si një koncept i bërë në mënyre jo të duhur rrafshon përvojat dhe aspektin emocional të asaj se çfarë ka ndodhur, sepse unë kam qenë aty ditë me radhë në Prekaz dhe për mua në aspektin sensorik çka ka qenë më prekëse ka qene që ti e ke parë që ka qenë shtëpi e dikujt, aty ka qenë një familje duke ngrënë bukë dhe vetëm janë vrarë. Domethënë kur kemi hyrë në atë shtëpi ne s’kemi mundur të ecnim nga plumbat, ndërkaq sot memoriali nuk e jep atë ndjesi, e ke një ndjesi më të ftohtë e nisur nga tendencat e narracionit të heroizmit”, ka thënë ajo, duke shtuar se në asnjë moment nuk e mohon heroizmin, por ajo theksin e vë në mënyrë që të ndërtohet lidhja mes gjeneratave të ndryshme në memorializmin e luftës.
Roli i trajtimit të muzeve si hapësira, të cilat mund t’u shërbejnë narrativave kolektive në një reprezentim të drejtë ka qenë ideja që ka sjellë ky diskutim, i cili shërbeu si një nxitje për të pranishmit në të kuptuarit e rolit të ekspozimit të historisë.
“Nëse dëshirojmë që ajo se çfarë ka ndodhur në Kosovë mos me u përsëritë më, duhet të tentojmë që përmes këtyre aspekteve ta bëjmë historinë tonë me rezon përtej vendit tonë të vogël, me gjenerata të ndryshme, për turistët e huaj, ata që nuk e shohin historinë tonë me sytë tanë”, ka thënë Gusia.