Kulturë

Regjisorja e parë shqiptare njihet në Norvegji me triptik filmik

Xhanfise Keko

“Xhanfise Keko, zonja e parë e filmit shqiptar” me nëntitull “Tre filma të firmosur nga regjisorja pioniere” është prezantimi që i bëhet këtij organizimi në fletushkën e Institutit Norvegjez të Filmit

Si regjisore që arriti të krijonte filma shoqërisht inteligjentë edhe poetikisht të sofistikuar në një periudhë censure të rreptë dhe përkundër kufizimeve të sistemit të rreptë komunist, është përshkrimi që Instituti Norvegjez i Filmit ia bën Xhanfise Kekos. Aty shkruhet se ajo ka marrë njohje ndërkombëtare të vonuar, por të merituar e një organizim si ky kontribuon për njohjen e saj

Frika e Benit të vogël nëpër rrugicat e një fshati shqiptar e gjindshmëria e tij që t’ia dalë të ecë vetëm nëpër pyll, janë rrëfim i vjetër i kinematografisë shqiptare. 

Filmi “Beni ecën vetë”, prodhim i vitit 1975 i kinostudios “Shqipëria e Re” është midis tri projekteve kinematografike të këtij ish-institucioni që do të shfaqen në Oslo të Norvegjisë. Instituti Norvegjez i Filmit ka përzgjedhur që t’i bëjë një prezantim regjisores Xhanfise Keko e cila njihet si regjisorja e parë shqiptare. Keko e lindur më 1928 në Gjirokastër do të bënte karrierë në filmat për fëmijë. 

Instituti Norvegjez i Filmit ka zgjedhur që filmat e saj “Tomka dhe shokët e tij”, “Beni ecën vetë” dhe “Kur xhirohej një film” t’i shfaqë në Oslo si prodhime që shpalosin pikëpamjet e krijimtarinë e një krijueseje shqiptare. Filmat do të shfaqen duke filluar prej 30 nëntorit. 

“Xhanfise Keko, zonja e parë e filmit shqiptar” me nëntitull “Tre filma të firmosur nga regjisorja pioniere”, është prezantimi që i bëhet këtij organizimi në fletushkën e Institutit. 

“Xhanfise Keko është një regjisore që arriti të krijonte filma shoqërisht inteligjentë edhe poetikisht të sofistikuar në një periudhë censure të rreptë dhe përkundër kufizimeve të sistemit të rreptë komunist. Vitet e fundit, Xhanfise Keko ka marrë një njohje ndërkombëtare të vonuar, por të merituar, përmes pjesëmarrjes në festivale, prezantimit në kinoteka si dhe në filmat e regjisorit britanik të dokumentarëve dhe historianit të filmit Mark Cousins”, shkruhet midis tjerash në prezantimit që i bëhet aktivitetit. 

Xhanfise Keko është figurë e njohur e kinematografisë shqiptare. Ajo ka bërë edhe regjinë e disa filmave të tjerë për fëmijë, përfshirë “Taulanti kërkon një motër”, “Mimoza llastica e të tjerë”. E njohur si një nga themelueset e kinostudios “Shqipëria e Re”, ajo ka realizuar mbi 25 filma dokumentarë dhe artistikë midis viteve 1952 dhe 1984. 

Për filmin “Tomka dhe shokët e tij” (1977), që do të shfaqet i pari në këto ditë homazhi dedikuar regjisores shqiptare, Instituti vlerëson se është filmi më i njohur i Kekos.

“Një film i shkëlqyer dhe i paparashikueshëm për një grup djemsh që planifikojnë dhe kryejnë një aksion sabotazhi kundër nazistëve gjermanë që kanë ngritur një kamp ushtarak në fushën e tyre të lojës. Filmi është i jashtëzakonshëm për realizmin e tij, por njëkohësisht të stilizuar, si dhe për interpretimet plot jetë të aktorëve të vegjël”, shkruhet në katalog. Aty thuhet se Keko përdor arkitekturën e qytetit dhe lojën e fëmijëve si metafora për lirinë dhe bashkësinë dhe filmi është përcaktuar si një kritikë e nënkuptuar ndaj klimës politike të kohës. 

Keko, e cila vdiq në vitin 2007 në moshën 79-vjeçare ka lënë një trashëgimi të madhe në kinematografinë shqiptare si pioniere e regjisë që tash është duke dalë në pah edhe ndërkombëtarisht.