Me një ligjëratë që në sallën “Idriz Ajeti” në Fakultetin e Filologjisë ka mbledhur albanologë të huaj e shqiptarë, profesorë të gjuhës dhe studentë ndërkombëtarë e të interesuar për gjuhën, albanologia Lumnije Jusufi ka shpalosur gjetjet e saj për këtë kategori terminologjie. Si albanologe dhe bashkëpunëtore e lartë shkencore në Universitetin e Humboldtit në Berlin, fokusi i saj studimor është në fushën e kontakteve gjuhësore të shqipes, në sociolinguistikë dhe në dialektologji, sidomos në emigracion dhe në “border studies”
Kontaktet gjuhësore luajnë një rol qenësor për albanologjinë, sepse janë të shumta dhe intensive. Mendohet se 90 për qind e leksikut të trashëguar të shqipes është zëvendësuar me fjalë të huazuara, por kjo gjë nuk mund të vërtetohet me siguri, për shkak se nuk ka ndonjë përmbledhje gjithëpërfshirëse për fjalësin e shqipes. Me studimin e fushës së kontakteve gjuhësore merret albanologia Lumnije Jusufi, e cila këtë herë në edicionin e 43-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka sjellë studimin “Kontaktet gjuhësore të shqipes në dritën e terminologjisë së profesioneve”.
Me një ligjëratë që në sallën “Idriz Ajeti” në Fakultetin e Filologjisë ka mbledhur albanologë të huaj e shqiptarë, profesorë të gjuhës dhe studentë ndërkombëtarë e të interesuar për gjuhën, Jusufi ka shpalosur gjetjet e saj për këtë kategori terminologjie. Si albanologe dhe bashkëpunëtore e lartë shkencore në Universitetin e Humboldtit në Berlin, fokusi i saj studimor është në fushën e kontakteve gjuhësore të shqipes, në sociolinguistikë dhe në dialektologji, sidomos në emigracion dhe në “border studies”.
Kontaktet gjuhësore ndodhin kur folësit e dy apo më shumë gjuhëve ose varieteteve ndërveprojnë mes vete dhe ndikojnë te njëri-tjetri. Më së shumti ndodhin te kufijtë gjuhësorë, mes gjuhëve të adstratit, apo si rezultat i migrimit si një gjuhë e nënshtruar apo nënshtruese, duke vepruar kështu si substrat ose si superstrat. Këmbimi e huazimi i fjalëve është mënyra më e shpeshtë e ndikimit në një gjuhë.
Në rastin e shqipes, për arsye migrimi apo për arsye kontaktesh kulturore dhe tregtare, kontaktet gjuhësore kanë qenë subjekt rrjedhimor i kontaktit të vazhdueshëm historik me gjuhët fqinje: sllave, greke e romane. Përveç huazimeve të pastra, sipas albanologes Lumnije Jusufi, ato mund të ndodhin edhe duke u shartuar me fjalë të shqipes.
“Në Kosovë, kompozitat gjermane po rikthejnë formimin e kompozitave që përfshijnë edhe fjalë shqipe, ose edhe fjalë angleze, edhe pse në mënyrë të kufizuar. Në Shqipëri, me italianizmat rritet theksi në rrokjen e parë, një tipar që më parë njihej vetëm te turqizmat e toskërishtes, si edhe shtohet numri i emrave që përfundojnë me ‘o’, që më herët ka qenë një grup shumë i vogël”, ka thënë gjatë prezantimit Jusufi, e cila është autore e katër monografive, dhe e një libri për mësimin e shqipes si gjuhë e huaj, mes vëllimeve të tjera studimore dhe referimeve nga konferenca shkencore.
Ajo ka nxjerrë në pah një aspekt të rëndësishëm të kontakteve gjuhësore, që shkon përtej shpjegimeve të thjeshta strukturore apo fonetike. Në Shqipëri, ku ndikimi i gjatë historik i gjuhës italiane është ndier sidomos përmes mediave, muzikës dhe kulturës popullore, italianizmat shpesh janë parë si më moderne, më “evropiane” apo më të sofistikuara.
Sipas saj, folësit nuk mjaftohen vetëm me adoptimin e fjalës, por përpiqen ta shqiptojnë dhe ta theksojnë sa më afër origjinalit, duke e përdorur këtë si mjet për të shquar identitetin e tyre profesional e social. Ky fenomen është i dukshëm sidomos në fushat ku gjuha lidhet me statusin, si në biznes, modë, art apo media, ku zgjedhja e formës gjuhësore bëhet edhe një shenjë dalluese e përkatësisë dhe e ambicieve të individit.
“Këto fenomene nuk ndodhin, sepse fjalët e huaja nuk janë stabilizuar ende si pjesë e gjuhës, siç është teoria e kontakteve gjuhësore, ose sepse kemi të bëjmë kryesisht me folës të toskërishtes, por sepse folësi përmes prestigjit që kanë italianizmat përpiqet të shquhet me një formë dhe theksim sa më origjinal dhe në këtë mënyrë ndërton identitetin e vet profesional”, e ka përshkruar ajo rastin e përdorimit të huazimeve italiane sa më afër origjinalit.
Dukuria sociolinguistike e përplasjes gjuhësore ndërbrezore dhe ndërgrupore për shkak të huazimeve e shoqëron shqipen në kohët moderne. Ndryshimet në përdorimin e fjalëve të huaja krijojnë barriera komunikimi jo vetëm mes të rinjve dhe të moshuarve, por edhe mes bashkëkombësve që kanë migruar në vende të ndryshme.
“Në të gjitha vendet shqipfolëse ka vështirësi komunikimi midis brezave, brezat e rinj përdorin huazime më të reja, ndërsa brezat më të vjetër përdorin huazime më të vjetra. Në Shqipëri ekziston edhe një vështirësi e tretë komunikimi ndërmjet emigrantëve të kthyer nga Italia dhe atyre të kthyer nga Greqia, jo në të gjitha rastet, por në një masë të konsiderueshme, ata që janë kthyer nga Greqia përdorin greqizma, ndërkaq ata që janë kthyer nga Italia përdorin italianizma”, ka shtuar Jusufi, duke thënë se gjuhët e profesioneve në gjuhën shqipe ndjekin më shumë funksionin e ndërtimit të identitetit sesa funksionin e kuptueshmërisë.
Ajo ka theksuar se studimi i kontakteve gjuhësore në terminologjinë e profesioneve nuk ka për qëllim të numërojë apo të pastrojë huazimet, por të kuptojë më mirë historinë e tyre: kur janë futur, si kanë ardhur dhe çfarë ndikimesh kanë sjellë. Kjo qasje plotëson boshllëqet që lë metoda tradicionale, duke ofruar një pasqyrë më të saktë mbi proceset e huazimit.
“Studimi i kontakteve gjuhësore të shqipes përmes hulumtimit të gjuhëve të profesioneve nuk na ndihmon të pasurojmë apo të pastrojmë listat e inventarëve të huazimeve, nuk na ndihmon as të vërtetojmë apo të hedhim poshtë shifrën e përmendur në fillim, atë 90 përqindëshin, por kjo qasje na ndihmon të hulumtojmë më saktësisht datimin, rrugët e huazimit, faktorët dhe pasojat e huazimeve, sidomos kur metoda tradicionale për hulumtimin e kontakteve gjuhësore nuk na çon përpara, përveçse diskutojmë nga më shumë e nga më pak”, ka thënë albanologia.
Edhe pse ka studime të shumta për mënyrën dhe burimet e huazimeve, ende mungon një fokus i mjaftueshëm mbi shkaqet sociokulturore e historike që e bëjnë shqipen kaq të hapur ndaj ndikimeve të jashtme. Kjo e bën çështjen jo vetëm gjuhësore, por edhe identitare. Kësaj pyetjeje, sipas Jusufit, ende nuk është arritur t’i jepet përgjigje.
“Megjithëqë kemi një hulumtim shumë të pasur të kontakteve të gjuhës shqipe, ne akoma nuk jemi marrë me atë pyetjen: Përse shqipja huazon kaq shumë?”, ka thënë ajo, para se të shfaqë në ekran një pjesë të vjetër skeçi nga “Portokallia”, ku një mekanik shqiptar në Tiranë bisedon me një shqiptar të Kosovës, të cilit i është prishur automjeti. Mosmarrëveshjet dhe vështirësitë në të kuptuar, përveçqë kanë bërë audiencën të qeshë, kanë qenë edhe prototip i çështjes së huazimeve përmes kontakteve të ndryshme.
Të dhënat hulumtuese me të cilat është marrë Jusufi janë pjesë e një referimi shkencor me përmbledhjen e materialit në terren, si pjesë e disa projekteve të saj, si për shembull projektin post-dok e ka pasur për gjuhën e muratorëve të Dibrës, pastaj një projekt tjetër e ka pasur për gjuhën e ndërtimtarisë dhe automobilistikes, me kontakte gjuhësore mes gjermanishtes dhe shqipes, ku materialin në Kosovë e ka mbledhur Blerta Ismajli, ndërkaq bashkë me të po e përpilojnë një libër për gjuhën e automobilistikes.