Kulturë

“Shani Pallaska – emblemë e një epoke” si rrëfim pavdekësie

Shani Pallaska – emblemë e një epoke

Pikërisht si emblemë, Shani Pallaska është kujtuar edhe të martën mbrëma në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, kur në 27-vjetorin e vdekjes së tij është promovuar monografia “Shani Pallaska – emblemë e një epoke”

“Bota ime është skena... Dashuria ime është teatri... Atje e shkriva rininë dhe atje po e pres i lumtur pleqërinë, që një ditë, befas do të t’arrijë!...”, do të thoshte Shani Pallaska. Por, ajo që la në këtë botë është sikurse një rrëfim për pavdekësinë. Rolet shuhen e harrohen, por gjurmët mbesin. Monografia “Shani Pallaska – emblemë e një epoke” është një dëshmi për këtë. Me autor Visar Krushën, ajo përthekon jetën dhe veprën e aktorit me të cilin personazhe të mëdha të dramave botërore folën shqip e vetë u bë pararendës i teatrit profesionist në këto anë

Më 1948, kur shqiptarët e Kosovës me krejt telashet tentonin të krijonin një grimë identitet brenda ish-Jugosllavisë së dalë pas Luftës së Dytë Botërore, një djalosh shtathedhur që sapo përfundoi Normalen e Gjakovës si brezi i parë i maturantëve, ëndërronte të bëhej solokëngëtar i operave. Për këtë Shani Pallaska, asokohe 20-vjeçar, udhëtoi drejt Sarajevës tek i vëllai, Xhevdeti. 

Mendja ia thoshte të regjistrohej në Akademinë e Muzikës në Zagreb. Tashmë Teatri Profesionit qe funksional në Kosovë i themeluar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Por ky institucion fliste vetëm serbisht. Pikërisht më 1948 po përzgjidheshin të talentuarit shqiptarë për ta bërë funksionale dramën shqipe brenda institucionit. Xhavit Nimani, udhëheqës me peshë në politikë e përgjegjës për kulturë e arsim, do ta ftonte Shani Pallaskën për t’iu bashkuar trupës. Xhavit Nimanit nuk i kthehej fjala në atë kohë. E,  prej atij momenti Teatri Profesionist e më pas Teatri Popullor Krahinor – tash Teatri Kombëtar i Kosovës – u lidh me emrin e një prej aktorëve që ka shënuar një epokë. 

“Shani Pallaska – emblemë e një epoke”, mban titullin monografia me autor Visar Krushën e botim i organizatës “Integra”, ku përthekohen jeta dhe vepra e aktorit me të cilin personazhe të mëdha të dramave botërore folën shqip. Bash si emblemë, Pallaska është kujtuar edhe të martën mbrëma në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, kur në 27-vjetorin e vdekjes së tij është promovuar monografia. Drama e parë në shqip u luajt më 1 maj të vitit 1949 para minatorëve të “Trepçës” në Mitrovicë e më pas në Prishtinë më 7 qershor 1949. Shani Pallaska luante Juritijen në shfaqjen “Personi i dyshimtë” me tekst të Branisllav Nushiqit, nën regji të Dobrica Radenkoviqit. Bashkë me dy shfaqjet paraprake të po atij viti në serbisht – që ishin më shumë si provë për aktorët e rinj – deri te shfaqja e fundit më 1996 në teatrin “Dodona”, bazuar në monografi, Shani Pallaska realizoi 133 role në teatër. Tok me dhjetëra role në film e televizion dhe rreth 250 role në radiodrama, Shani Pallaska vulosi një krijimtari që shkonte përtej një aktori. Qe edhe prijës në shumë aspekte.  

Dramaturgu e regjisor Fadil Hysaj në fjalën e tij ka thënë se ka pasur shumë dilema se çfarë të thotë në këtë ceremoni.   

“Kam pasur shumë dilema se çfarë të them për një artist të madh dhe në të njëjtën kohë të mos jem i brengosur për pamundësinë për të thënë më të mirën e mundshme. Kur flitet për një artist, flitet edhe për krejt personazhet që kanë vdekur ose janë zhdukur edhe derisa ai ka qenë gjallë”, ka thënë Hysaj. Sipas tij, ky është fati tragjik i artit të aktorit dhe gjithë atyre që krijojnë në skenë. 
“Ky është misioni i shenjtë dhe i mallkuar i këtij arti. Te ne personazhet jetojnë një a dy vjet. Në shtetet përreth ndodh deri në 40 vjet”, ka thënë Hysaj. Ka rrëfyer se pas studimeve në Sarajevë shfaqja e tij e parë si regjisor në Prishtinë ishte “Roja e shiut” me tekst të Ymer Shkrelit dhe në të luanin Shani Pallaska dhe Dibran Tahiri. Ka kujtuar se për skenografinë ishte kujdesur Agim Çavdarbasha dhe aktorët luanin midis figurave të shahut të madhësisë njerëzore. Qe viti 1982. 
“Fatkeqësisht shfaqja nuk është mbajtur gjatë. Kritika e asaj kohe e ka anatemuar si eksperiment jashtë krejt standardeve. Shani Pallaska më ka inkurajuar se duhet reformuar teatrin”, ka thënë Hysaj. “Erveheja” me tekst të Muhamet Çamit e regji të Muharrem Qenës, e inskenuar më 1966, llogaritet si produksioni teatror që ndan epokat sa i përket teatrit shqiptar brenda ish-Jugosllavisë e po ashtu edhe sa i përket identitetit kulturor të shqiptarëve në atë bashkësi kombesh e kombësish. Tashmë shqiptarët mund të realizonin vetë një shfaqje që për kohën ishte e nivelit të lartë. 

“Mendoj se ‘Erveheja’ , si shfaqja e parë që ka sjellë një gjuhë moderne në skenën shqiptare, nuk ka qenë e mundur pa Shani Pallaskën. Tonaliteti e aktrimi i tij dhe një teatralizëm brechtian që ka pasur ai, është imponuar si formë edhe tek aktorët e tjerë”, ka thënë Hysaj. Më pas më 1972, kur Kosova tashmë po përjetonte një tjetër dimension zhvillimi, do të inskenohej “Gjenerali” bazuar në veprën e Ismail Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” me regjisor Piro Manin. Edhe kjo qe festë e madhe identitare. 

“Pirro Mani, një  regjisor i cili nuk është shquar për inovacione të mëdha në Shqipëri, ka bërë në Kosovë shfaqjen më inovative në Ballkan. Mendoj që qasja që ka pasur Shani Pallaska ndaj gjeneralit, mënyra se si i është qasur ai, ka qenë imponues. Nuk ka pasur regjisor që ka mundur ta përballonte imponimin e tij stilistik. Në njëfarë mënyre, në vend që ai t’i ndiqte regjisorët, regjisorët e kanë ndjekur atë”, ka thënë Hysaj. E, si shfaqjen më të fuqishme të Pallaskës e ka cilësuar “Garderobistin” me tekst të Ronald Harwood e nën regji të Selami Tarakut, të realizuar më 1955. Hysaj ka lexuar edhe një tekst të tijin të botuar asokohe. 

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se monografia e stampon rolin dhe portretin e pazëvendësueshëm të Pallaskës në historinë e artit e sidomos atë të teatrit në vendin tonë. 

“Sot shënojmë edhe përvjetorin e 27-të të ndarjes nga jeta të Shani Pallaskës. Edhe pse përvjetorët shënohen gjithmonë me zemër të rënduar, këtë herë familja dhe ne shoqëria kemi një mjet më shumë me të cilin ne mund ta kujtojmë dhe nderojmë jetën e tij. Duke nderuar Shani Pallaskën, sot ne nderojmë një epokë të tërë të teatrit tonë dhe riafirmojmë vlerën e artit si themel i identitetit tonë”, ka thënë Çeku. 

Me prapavijë portretin e Pallaskës, i cili ilustron edhe ballinën e librit, autori Visar Krusha ka thënë se libri dokumenton krijimtarinë e bujshme të një pionieri të teatrit profesionist, njërit nga shtyllat kryesore të arteve skenike shqiptare, i cili përgjatë karrierës së tij gjysmëshekullore, me një përkushtim dhe dashuri të pashoqe për punën e tij, duke mos u ndalur deri në ditët e fundit të jetës, ka krijuar me qindra role në teatër, film, televizion dhe radio drama. 

“Me vokalin muzikal dhe të fuqishëm, diksionin e pastër dhe të rrjedhshëm, aftësitë për transformim nëpër personazhe dhe zhanre të ndryshme, prezencën karizmatike dhe ndjesinë për groteskë, e para së gjithash me punën e tij për t’i perfeksionuar vazhdimisht personazhet që i ka luajtur, edhe pas premierave, Shani Pallaska e ka ndërtuar një standard të lartë të punës së aktorit”, ka thënë autori i veprës së redaktuar nga Arian Krasniqi. Ka treguar se për të ka qenë frymëzim më vete përkushtimi shumë fisnik dhe modest i Shani Pallaskës, edhe si artist, edhe si udhëheqës i teatrit, për t’i ngritur edhe kolegët përreth vetes, në projektet ku ka punuar, por edhe në ato ku nuk ka punuar vetë, duke e dëshmuar edhe një herë se misioni i një artisti nuk është vetëm zhvillimi i tij individual, por edhe zhvillimi i të gjithë individëve të tjerë në mjedisin kulturor ku vepron, e mbase edhe në shoqërinë ku jeton dhe vepron, si një kusht për krijimin e një trashëgimie kulturore si kjo që ka lënë Shani Pallaska bashkë me kolegët e tij, themeluesit e teatrit profesionist në Kosovë. 

Nëpërmjet një videoje ku janë bashkuar imazhet në rolet e shumta të Pallaskës në teatër, është shfaqur dedikimi që mbesa e tij, aktorja Gresa Pallaska, ka shkruar për gjyshin e saj në monografi. Për publikun që s’i kanë zënë karriget në hollin e Bibliotekës, dedikimi i saj ka ardhur i lexuar nga vetë aktorja. 

“Ka vende në këtë botë ku hija e përkohshmërisë tërhiqet dhe aty, nën dritën e reflektorëve, përjetësia ngre kokën si një skulpturë e gdhendur në qiell. Teatri është një prej tyre. Skena, ajo platformë e drurit që mban peshën e kaq shumë jetëve, është për mua tempulli i të pavdekshmëve. Dhe ti, gjysh, je prifti i parë i këtij tempulli. Në çdo hap që bëj mbi të, në çdo fjalë që shqiptoj, ndiej frymën tënde, atë erë të amshuar që ngrihet nga thellësia e qenies sime dhe i jep kuptim çdo gjëje që prek”, ka shkruar Pallaska. Sipas saj, arti i gjyshit, Shani Pallaska, ishte një formë lufte, një betejë për kuptim në një botë që shpesh refuzon ta kuptojë vetveten. 

“Ti më mësoje se arti është lufta më e madhe e njeriut kundër harresës. Të gjithë jemi të dënuar të zhdukemi, por ata që krijojnë, ata që ndajnë një pjesë të shpirtit të tyre me botën, e tejkalojnë këtë dënim. Ti ishte një prej tyre gjysh”, ka shkruar ajo në monografi dhe ka lexuar dedikimin në videon e transmetuar në ceremoninë e udhëhequr nga kolegu aktor, Shkëlzen Veseli. Sipas Gresa Pallaskës, gjyshi i saj qe shenjë se njeriu mund ta mposhtë vdekjen përmes artit. 

Ata që e kanë njohur Pallaskën thonë se talenti i tij transformues nga roli në rol ishte i jashtëzakonshëm. Por, ai jetonte për skenën. 

“Bota ime është skena... Dashuria ime është teatri... Atje e shkriva rininë dhe atje po e pres i lumtur pleqërinë, që një ditë, befas do të t’arrijë!...”, do të thoshte Shani Pallaska në një bisedë me gazetarin Maksut Shehu, në bisedën e botuar në korrik të 1973-tës në “Rilindje”, pak kohë pasi në takimet “Joakim Vujiq” në Kragujevc, Shani Pallaska mori shpërblimin më të lartë për interpretim për rolin e gjeneralit te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, midis çmimeve të shumta gjatë karrierës gjysmëshekullore. Dhe, Shani Pallaska ngelet jo veç prej pionierëve, por edhe gjeneral i skenës së dramës shqipe.