Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ka pritur në takim përfaqësuesit e “Universal Music Hospitality & Lifestyle”, Robert Lavia (CEO), Maxi Johal dhe Massimo Tucci nga “Tucci Associates”.
“Universal Music Group” është kompania më e madhe në botë në industrinë muzikore, me një rrjet global që përfaqëson disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore, si “The Beatles”, “U2”, Andrea Bocelli, Elton John, Rihanna, Lady Gaga, Taylor Swift, Eminem, Lana Del Rey, Billie Eilish e dhjetëra artistë të tjerë ikonikë.
Ky reputacion ndërkombëtar i jep një peshë të veçantë interesit të tyre për Shqipërinë.
Ministri Gonxhja, përmes rrjeteve sociale, ka shpjeguar se gjatë bashkëbisedimit u fol për mundësitë që ofron Shqipëria për të kombinuar turizmin me artin, duke shfrytëzuar natyrën unike si hapësirë për xhirime dhe prodhime artistike nga studio prestigjioze si “Universal”.
Interesi për Shqipërinë përbën një mundësi të rëndësishme, duke e pozicionuar në një rrjet ndërkombëtar, ku arti, kultura dhe industria e mikpritjes bashkëveprojnë. Investimet në hoteleri mund të zgjerohen me hapësira të dedikuara për artistët, studio krijuese dhe teatro, duke sjellë një qasje të re për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit kulturor.
“Bashkëpunimi i ‘Universal Music Group’ me World Tourism Organisation dhe përfshirja në projekte të këtij niveli i japin këtij partneriteti një dimension strategjik, duke hapur rrugë për iniciativa që forcojnë imazhin e Shqipërisë si një destinacion tërheqës për krijimtarinë, artin dhe turizmin elitar”, citohet të ketë thënë Gonxhja.