Gazetarët Agon Sinanaj nga Buletini Ekonomik dhe Vlerë Mehmeti nga Grupi KOHA janë shpallur fitues të çmimit “Rexhai Surroi” për gazetari.
Sinanaj është shpërblyer për tekstin që prek temën e tregtisë me energjinë elektrike dhe monopolin në bartjen e energjisë elektrike, i cili i ka rritur faturat e energjisë, ndërsa Mehmeti është shpërblyer për tekstin që prek një tjetër temë të ndjeshme, atë për personat me aftësi të kufizuara që nuk kanë marrë mbështetje në shërbimet e nevojshme bazike.
Sinanaj ka thënë se ndihet i nderuar që po e pranon këtë çmim për dy arsye.
“Ndihem shumë i nderuar që po e pranoj çmimin ‘Rexhai Surroi’ për gazetari të shkruar, ky çmim e ka një domethënie të dyfishtë për mua, e para që po vlerësohet puna ime njëvjeçare në një sektor kompleks si ai i energjisë, e e dyta që po e pranoj një çmim që e vlerëson gazetarinë e shkruar”, ka thënë ndër të tjera ai.
Ndërsa Mehmeti ka falënderuar Grupin KOHA për mundësinë që të bëjë gazetari profesionale dhe të pavarur.
“Më vjen mirë si gazetare që pas raportimit tonë institucionet i kanë ndërmarrë disa hapa drejt zhbllokimit të procesit. Falënderoj mediumin KOHA për mundësinë që ne të bëjmë gazetari profesionale dhe të pavarur. Dua të falënderoj të gjithë redaksinë e kolegët, me të cilët i ndajmë sfidat e këtij profesioni, e tashmë edhe sukseset. Padyshim që ky çmim do të jetë një motiv shtesë për mua që të hulumtoj dhe të sjell për publikun tema dhe çështje që janë në interes të tyre”, ka thënë Mehmeti.
