Kulturë

“Siparantum” i Kosovës kualifikohet për “Grand Prix” në Tajlandë

"Siparantum" në Tajlandë (Foto: Arben Llapashtica)

E marta ishte dita e nisjes së sfidës. Qysh herët mbi 30 anëtarët e korit “Siparantum” ia kanë mësyrë Qendrës Kulturore të Tajlandës. Provat paraprake qenë të shkurtra, përderisa kërkohej përqendrim i madh (Foto: Arben Llapashtica)

E jashtëzakonshme është paraqitja e korit “Siparantum” në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve në Tajlandë, e të martën ka prerë biletë drejt “Grand Prix”. “Amor io fallo” e kompozitorit belg, Jan Van der Roost, që flet për dhunën ndaj grave dhe “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e Baki Jasharit që zbërthen shtypjen e përpjekjen për liri, qenë ato që ua hapën dyert anëtarëve të formacionit të vetëm koral nga Evropa në edicionin e dytë të Festivalit. Drejt Çmimit të Madh garon edhe të mërkurën

Bangkok, Tajlandë, 2 shtator –  Në konkurrencë me dy kore nga Indonezia dhe një nga Tajlanda, “Siparantum” ia ka dalë të kualifikohet për “Grand Prix” në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve në Tajlandë. Një vepër vendore dhe një ndërkombëtare kanë bërë që Kori nga Kosova ta bindë jurinë se e dominojnë kategorinë “Mixed Adult Choirs” dhe se janë pretendentë për atë që është Çmimi i Madh. 
“Amor io fallo” e kompozitorit belg, Jan Van der Roost, që flet për dhunën ndaj grave dhe “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e Baki Jasharit që zbërthen shtypjen e përpjekjen për liri, qenë ato që ua hapën dyert anëtarëve të formacionit të vetëm koral nga Evropa në edicionin e dytë të Festivalit. 
E marta ishte dita e nisjes së sfidës. Qysh herët mbi 30 anëtarët e korit “Siparantum” ia kanë mësyrë Qendrës Kulturore të Tajlandës. Provat paraprake qenë të shkurtra, përderisa kërkohej përqendrim i madh. Gara është zhvilluar në atë që është Salla e vogël e kompleksit, e që dallon shumë nga Salla e Madhe e ceremonisë hapëse. Megjithëse ndryshe në pamje, ambienti s’ua humb ndjesinë veprave. Gjithnjë nëse interpretuesit kanë zotësi profesionale dhe emocionale të nxjerrin në pah krejt ngjyrat e asaj që interpretojnë. Pas “Medan Community” nga Indonezia e “PSM UIN Jakarta” po ashtu nga Indonezia ishte radha e “Siparantum”. 

Me djemtë në formë gjysmërrethi e vajzat me shenja dhune në fytyre e të ulura në gjunjë përballë meshkujve në formën  e lutjeve qe fotografia e parë. Shpejt zbërthehet se bëhet fjalë për një vepër që flet për dhunën ndaj grave. Lëvizjet koreografike e forcojnë veprën. I japin dramës ritëm. Por në të njëjtën kohë, kjo vepër kërkon edhe kapacitete të larta vokale. Pa u punuar gjatë s’shkohet në garë me të. Kuarteti vokal – Elona Alshiqi, Skender Hyseni, Aurora Hyseni e Leon Shehu – i japin hov dramës. Interpretimi i kësaj vepre, duket sikur kreu gjysmën e punës. Dhe nga tregimi për vuajtjen e grave, “Siparantum” shkoi te rrëfimi për vuajtjen e popujve. Dhe i prezantimit të kulturës vendore edhe sa i përket kompozimit.

Me djemtë në formë gjysmërrethi e vajzat me shenja dhune në fytyrë e të ulura në gjunjë përballë meshkujve në formën  e lutjeve qe fotografia e parë (Foto: Arben Llapashtica)

“Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” është interpretuar si dramë. Me vargjet e poezisë së Din Mehmetit, kompozuar nga Baki Jasharit, vepra e ka futur publikun në një tjetër dimension. Në atë siç e ka edhe titullin. Momenti kur të gjithë anëtarët e Korit janë shtrirë për t’u ngritur solistja, Aurora Hyseni është dukur sikur ecje mbi kufoma. Realisht vendi prej nga vijnë koristët, kufomat kolektive i ka pamje të freskëta. Ende nuk janë bërë as çerekshekulli prej kur Kosova përjetoi luftë të përmasave gjenocidale. Por ngritja e koristëve në këmbë vjen si shenjë triumfi. Dirigjenti i Korit, Memli Kelmendi e ka freskuar koreografinë e kësaj vepre. Me bukë në duar koristët sikur japin një imazh të kosovarëve të 1998-s. Saktësisht më 16 mars gratë qenë ato që u nisën me nga një bukë në duar në marshin “Bukë për Drenicën”. Bëhet fjalë për ditë të rënda kur dhuna ndaj shumicës shqiptare veç po merrte hov. E pas gati tri dekadave imazhet e shqiptareve të Kosovës prekin edhe triumfe në skena ndërkombëtare të artit. 

Dirigjenti Kelmendi ka thënë se programi përfshiu veprën “Amor io fallo” të Jan Van der Roost, një kompozim kompleks e jashtëzakonisht i vështirë, që kërkon teknikë të lartë interpretative dhe stabilitet të plotë deri në fund. 

“Sfidë të cilën ansambli ynë e përballoi me sukses të madh”, ka thënë ai. Ka treguar se po ashtu, veprën “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” të kompozitorit  të shquar Baki Jashari, të shkruar në vitin 1986, e sollën me një trajtim krejtësisht të ri, gjithnjë me miratimin e autorit, duke i dhënë asaj dimensione të reja vokale dhe skenike. 

“Koreografia e përfshirë në interpretim lidhet me sakrificën dhe rezistencën shekullore të popullit tonë, dhe kjo për ne është mënyra më e mirë për të paraqitur imazhin tonë në aspektin artistik e kulturor”, ka thënë Kelmendi. Pas garës ka thënë se pjesëmarrja e korit “Siparantum” në një vend të largët si Tajlanda është një përvojë e jashtëzakonshme artistike dhe profesionale për ansamblin, sepse përballja me skena ndërkombëtare dhe me juritë më prestigjioze forcon nivelin interpretativ, rrit disiplinën dhe pasuron përvojën kolektive. 

“Në të njëjtën kohë, kjo është edhe një formë e fuqishme e diplomacisë kulturore, sepse përmes muzikës sonë prezantojmë identitetin kulturor dhe artistik të Kosovës para botës”, ka thënë ai. 

“Tajlanda është vazhdimësi e sukseseve tona ndër vite. Ky sukses zë një vend të veçantë dhe shumë domethënës në historinë e dekadës së parë të korit ‘Siparantum’, sepse vjen si kurorëzim i një rruge të gjatë plot sakrifica, përkushtim dhe rritje të vazhdueshme artistike. Gjatë këtyre nëntë vjetëve kemi kaluar nëpër sfida të mëdha, kemi përfaqësuar Kosovën në shumë skena ndërkombëtare dhe kemi dëshmuar se kori ynë mund të qëndrojë krahasohet me korë të kategorisë së lartë”, ka thënë ai. Sipas Kelmendit, pjesëmarrja në Tajlandë, me repertor që bashkon muzikën evropiane dhe krijimtarinë e kompozitorëve shqiptarë është një dëshmi e qartë se kori “Siparantum” jo vetëm ka arritur një pjekuri të lartë artistike, por edhe po ndërton një histori të vetën në diplomacinë kulturore dhe përfaqësimin e denjë të vendit tonë. 

“Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” është interpretuar si dramë. Me vargjet e poezisë së Din Mehmetit, kompozuar nga Baki Jasharit, vepra e ka futur publikun në një tjetër dimension Dirigjenti i Korit, Memli Kelmendi e ka freskuar koreografinë e kësaj vepre. Me bukë në duar koristët sikur japin një imazh të kosovarëve të 1998-s. Saktësisht me 16 mars gratë qenë ato që u nisën me nga një bukë në duar në marshin “Bukë për Drenicën” (Foto: Arben Llapashtica)  

Baritoni Shaban Behramaj që në Kor është bas, ka thënë se performanca e Korit sot (e martë) ishte shume e mirë. Sipas tij, normalisht që pas  një pune e përgatitjeje të madhe, kjo është e pritshme. 

“Natyra e garave është që asnjëherë nuk e di çfarë të pret, sidomos në vende të largëta si Bangkoku, por ‘Siparantum’ në krye me Memli Kelmendin, ia doli edhe njëherë të dëshmojë dashurinë e përkushtimin për këtë profesion”, ka thënë ai.  Sipas Behramajt, çdo garë e çdo paraqitje e udhëtim, e ka rëndësinë e vet si në aspektin profesional, ashtu edhe atë kulturor. 

“Tajlanda nuk është një vend i zakonshëm për korin ‘Siparantum’, është më ndryshe, më interesant dhe njëkohësisht si çdo festival tjetër koral edhe ky, të jep mundësinë të ndjekësh shumë masterklase e të mësosh gjëra të reja, të ndjekësh kore të tjera nga të cilat po ashtu mëson shumë, e si rrjedhojë, anëtaret e ‘Siparantumit’ dita-ditës rriten e zhvillohen profesionalisht”, ka thënë ai derisa ka uruar që edhe kësaj radhe të kthehen në Kosovë me medalje. 

Pianisti Agron Shujaku qysh prej themelimit është pjese e Korit. Interpretimin garues në Tajlandë e ka përshkruar si të jashtëzakonshëm dhe të  paharrueshëm për të. 

“Performanca jonë preku zemrat e çdo dëgjuesi në sallë dhe u shpërblye me duartrokitje të mëdha e të gjata. Që nga hapja e festivalit, pjesëmarrja e një kori nga Kosova ka qenë në fokus të festivalit, duke tërhequr vëmendjen dhe respektin e të gjithëve. Pjesëmarrja jonë si garë e parë jashtë kontinentit është një hap historik për afirmimin e Kosovës në vendet aziatike”, ka thënë ai. Sipas Shujakut, kjo përvojë krejt anëtarët i mbush me emocione të fuqishme dhe krenari për vendin nga vijnë. 

“Dhe na jep motivim të punojmë edhe më shumë për të hapur shtigje të reja për artin tonë përtej kufijve”, ka thënë ai. 
Nga 24 kore që vijnë nga pesë shtete, 11 janë kualifikuar për “Grand Prix”. Nga katërshja e kategorisë ku garon “Siparantum” është kualifikuar edhe kori nga Indonezia, “Medan Community”. Kurse “PSM UIN Jakarta” nga po ky shtet dhe “Crescend” nga Tajlanda s’ia kanë dalë të shkojnë më tej.

Përderisa paraditja e ka gjetur "Siparantum" në garë, menjëherë pas drekës ata kanë pasur një prej atyre që njihen si koncerte të miqësisë. Disa vepra që koristët i intrepretojnë ndër vite janë luajtur edhe të përcjella në piano nga Denita Dedushaj e Agron Shujaku. Janë formate ku koret shkëmbejnë përvoja e shikojnë programet e ngjyrat vokale të njëri-tjetrit. Udhëtimi nga një hapësirë interpretuese në tjetrën pashmangshëm është njëfarë udhëtimi midis tempujsh. Secili truall ka nga një tempull të vogël. Besojnë se toka, në këtë rast secila parcelë, ka nga një shpirt i cili duhet të mirëmbahet në mënyrë që të shkojë mbarë shtëpia apo biznesi. Luten në atë tempull, lënë ushqim aty që shpirti i tokës të freskohet dhe në këtë formë tajlandezët mirëmbajnë besimin e tyre. Shteti me klimë tropikale, i njohur për tempuj madhështorë të Budës ka shumë veçanti. E prej tash në edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Koreve, do ta ketë edhe një: atë të pjesëmarrjes së një Kori nga Kosova e po ashtu, edhe kualifikimin për Çmimin e Madh.