Kulturë

“Tales of Scapes” nga lahuta tek IA-ja sfidon edhe konceptin e muzikës

“Tales of Scapes” nga lahuta tek IA-ja sfidon edhe konceptin e muzikës

Shfaqja, e përshkruar si “udhëtim skenik post-stilistik”, ka eksperimentuar me strukturën dhe përmbajtjen muzikore në mënyrë të qëllimshme. Ajo nuk u është përmbajtur rregullave të ndërtimit klasik apo të ndarjes sipas llojit të muzikës, por është zhvilluar përmes tingujve që kanë krijuar peizazhe të reja (Foto: Rilind Beqa / FemArt)

Ansambli “Liburn Jupolli” është një grupacion muzikor post-stilistik që sfidon kufijtë e zhanreve dhe bashkon muzikantë nga skena të ndryshme. E si i tillë ka ardhur me premierën e performancës “Tales of Scapes”, që sfidon format tradicionale të koncertit, por edhe të vetë muzikës. Anëtarët e ansamblit janë zhytur në një lojë muzikore që ka përfshirë bashkëbisedim mes së kaluarës dhe së ardhmes: në një krah lahuta dhe fyelli i bariut, në tjetrin sintezatorë, laptopë dhe një bashkëpunim me Inteligjencën Artificiale përmes “Suno AI”

Në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, të ndriçuar me ngjyra të errëta që ka krijuar atmosferë rituale dhe futuriste njëkohësisht, ansambli “Liburn Jupolli” ka sjellë premierën e performancës “Tales of Scapes” – një shfaqje zanore dhe skenike që sfidon format tradicionale të koncertit, duke ndërtuar një univers ku elektronika, instrumentet e shpikura dhe muzika post-stilistike krijojnë një përvojë që më shumë përjetohet sesa dëgjohet. 

Të gjitha veprat janë nga albumi debutues i ansamblit, i cili do të publikohet pas pak muajsh, e kjo premierë ka ardhur në kuadër të edicionit të 13-të të festivalit ndërkombëtar feminist “FemArt”, pas premierës që ka pasur në Kore të Jugut.

Ansambli “Liburn Jupolli” është një grupacion muzikor post-stilistik që sfidon kufijtë e zhanreve dhe bashkon muzikantë nga skena të ndryshme si jazz, metal, elektronikë, folklor ballkanik, klasik bashkëkohor dhe pop eksperimental. Është themeluar nga kompozitori e inovatori Liburn Jupolli dhe shërben si laborator tingullor, duke përdorur instrumente tradicionale, të shpikura dhe teknologji digjitale për të krijuar një gjuhë të re muzikore.

Të martën mbrëma, të veshur me mantele ceremoniale, anëtarët e ansamblit janë zhytur në një lojë muzikore që ka përfshirë bashkëbisedim mes së kaluarës dhe së ardhmes: në një krah lahuta dhe fyelli i bariut, në tjetrin sintezatorë, laptopë dhe një bashkëpunim me Inteligjencën Artificiale përmes “Suno AI”. Vetë Liburn Jupolli, në qendër të gravitacionit performativ, ka luajtur piano, theremin, lahutë, çifteli dhe sintezator, duke udhëhequr një ansambël që përfshin muzikantë si Yllka Simnica në flaut, kavall dhe okarinë, Galdon Reçica me instrumentin Octo shpikur prej Jupollit dhe me sharki, Fisnik Behluli me trumbetë, Philip Konrad Labhart nga Zvicra në trumbetë dhe fyell të shokës, si dhe Granit Havolli në bateri dhe perkusione.

Shfaqja, e përshkruar si “udhëtim skenik post-stilistik”, ka eksperimentuar me strukturën dhe përmbajtjen muzikore në mënyrë të qëllimshme. Ajo nuk u është përmbajtur rregullave të ndërtimit klasik apo të ndarjes sipas llojit të muzikës, por është zhvilluar përmes tingujve që kanë krijuar peizazhe të reja. Publiku përballë saj nuk ka pritur një narrativë të qartë, por një shtrirje ndijimi, ku zëri i okarinës së të ndjerit Shaqir Hoti është ndërthurur me sinjalet zanore të krijuara nga një algoritëm.
Për më shumë se një orë, ansambli ka sjellë tinguj që e kanë zhvendosur perceptimin hapësinor dhe kohor të publikut. Në këtë dialog të pazakontë midis muzikës, skenës dhe teknologjisë, “Tales of Scapes” ka dëshmuar përkushtimin e Jupollit ndaj eksplorimit të vazhdueshëm artistik, një përkushtim që nuk njeh kufij stilistikë, kohorë apo teknologjikë.

Në një moment të veçantë të shfaqjes, si mysafir, shkrimtari dhe aktori Shpëtim Selmani, në qendër të skenës – pa maskë, i veshur bardhë e zi për dallim nga rrobat rituale të ansamblit – është ngritur dhe me mikrofon i ka dhënë zë një vargu frazash të fuqishme që lidhen me luftën, artin dhe dhimbjen globale. Në qendër të monologut të tij ka qenë shkatërrimi i artit, e këtë e ka ilustruar me shprehje nga fatkeqësitë njerëzore, ndër të cilat ka përmendur rrënojat në Gazë, krizat e grurit në Ukrainë, dhe të tjera tragjedi të përmasave politike e njerëzore. Tonaliteti i fjalës ka qenë ironik, provokues dhe me ngjyrim të qartë kritik ndaj Izraelit dhe Rusisë, duke denoncuar në mënyrë poetike rolin e pushteteve në shkatërrimin e jetës dhe të kulturës.

Muzika që krijon ky ansambël nuk u nënshtrohet ndarjeve tradicionale të zhanreve, por i ngërthen ato mes vete, duke krijuar një formë të re që sfidon vetë mënyrën se si kuptohet muzika (Foto: Rilind Beqa /  FemArt)

Një tjetër moment i trishtë dhe i ngarkuar emocionalisht brenda shfaqjes ka qenë ai kur muzikantja Arbresha Latifaj me vel të zi mbi kokë ka dalë në qendër të skenës dhe ka nisur të këndojë vetëm me zanore, pa asnjë fjalë. Zëri i saj, i ngadalshëm dhe i thellë, dukej sikur vinte nga një botë tjetër, si vajtim për një humbje të madhe. Nën ndriçimin e zbehtë dhe tymnajën që lëviz ngadalë mbi skenë, figura e saj krijon një gjendje rituale, ku muzika kthehet në lutje dhe dhimbja në art. Ky ritual ka qenë një moment ku heshtja e publikut është bërë pjesë e performancës, derisa në piano ka luajtur anëtari i dyshes “Shkodra elektronike”, Kolë Laca.

Pas shfaqjes “Tales of Scapes”, Liburn Jupolli ka ndarë një pasqyrë të thellë mbi procesin krijues të ansamblit dhe eksperimentimin e tij me inteligjencën artificiale si bashkëkrijuese në muzikë. Ai ka shpjeguar se aplikacioni “Suno” përdoret për të krijuar atmosfera të papërsëritshme gjatë performancës.

“Këtu e kemi ‘Sunën’ si aplikacion, i cili përmes tekstit, sikur shumë prej GPT-ve sot që përdoren, krijon momente të ndryshme, të cilat mund të caktohen çfarë zhanri, sa zgjat, me tekst, e të tjera. Ne kryesisht e përdorim për të krijuar atmosfera të ndryshme që i dëgjoni. Këtë herë e kam përdorur veç unë, herët e tjera po shkojmë duke i zhvilluar që ta kemi si pjesë standarde, ku momente të caktuara gjatë performancës sikur në jazz për shembull, që nuk dihen, për shkak të zhvillimeve të ndryshme që ndodhin gjatë këngës, ne t’ia lëmë Inteligjencës Artificiale, çka caktohet është shkrimi dhe kjo i jepet në fleta secilit prej performuesve dhe i jepet shenja kur ta luajnë atë prompt dhe krijohet një muzikë e cila s’është krijuar kurrë më herët”, ka shpjeguar vendin e Inteligjencës Artificiale brenda shfaqjes themeluesi i ansamblit që mban emrin e tij.

Jupolli ka theksuar se ky projekt është vetëm një fazë e hershme e një vizioni shumë më të gjerë artistik që ai synon ta zhvillojë, duke ndërtuar një gjuhë të re muzikore që bashkon elemente të ndryshme stilistike dhe energji kolektive.

“Po mendoj që ta biem krejt bashkë është sfidë, ta biem krejt bashkë atë që e kam në krye për një kohë të gjatë, as kjo nuk është ajo, kjo është një fazë e asaj që dua ta zhvilloj, ky material që e dëgjuat është veç albumi i parë dhe është specifikisht kjo muzikë për atë kohë dhe për atë periudhë, është material i ndryshëm i cili është zhvilluar prej 2017-s në Paris, deri sot, e jam duke punuar ta bëj të gjallë, por nuk është hala në formën e vet, kjo është një fazë ku ka mbërritur”, ka thënë Jupolli për KOHËN. 

Kostumet dhe estetika skenike, sipas tij, vijnë nga një dëshirë e moçme për ta eksploruar thellësisht shpirtin e folklorit vendor, përmes një qasjeje të re konceptuale e emocionale.

“Kostumi është dëshirë e imja shumë e kamotshme për një ansambël që luan muzikën që unë e bëj, të cilën e zhvillojmë bashkë, andaj kjo fazë dhe ky album, këto janë pjesë të albumit të parë, të cilin do ta promovojmë diku rreth gushtit, shtatorit. Jemi në përfundim të miksit të albumit, kjo është besoj kështu afër me këtë muzikë. Vjen prej një dëshire për të eksploruar atë metaenergjinë e folklorit te ne”, ka thënë ai.

Ai ka nënvizuar se qëllimi kryesor i ansamblit është të ofrojë një përvojë të sinqertë, të përbashkët dhe të thellë shpirtërore, e cila ndërthur zhanre, origjina dhe identitete muzikore në një bashkësi unike tingujsh.

“Shpresoj që u ka pëlqyer, qëllimi ynë që të ofrojmë diçka shumë të sinqertë prej punës sonë, prej shpirtit tonë, prej bashkësisë sonë si muzikantë. Këtu ka muzikantë të skenave të ndryshme, të afiniteteve të ndryshme muzikore, ka edhe njerëz që janë në jazz, ka që janë në metal, në klasikë, që s’janë bërë kurrë bashkë, kështu që po mundohemi ta bëjmë atë muzikë të përbashkët”, ka shtuar Jupolli.

Granit Havolli, bateristi i ansamblit “Liburn Jupolli”, e ka përshkruar përvojën në këtë projekt si një sfidë jo në aspektin teknik të interpretimit, por në konceptin e vet të kompozimit.
“Sfidë jo ndoshta në mënyrën se qysh interpretojmë instrumentet, por është sfidë si koncept se qysh organizohet, domethënë nëse komponohet ky lloj i muzikës, gjë që e bën pak t’i sfidojë edhe zhanret e muzikës që ngërthehen njëra me tjetrën, ndoshta ajo është sfida më e madhe, ta kuptojmë si koncept se çka duam të prezantojmë”, ka thënë bateristi Havolli për KOHËN pas përfundimit të shfaqjes.

Trumbetisti i ansamblit, Fisnik Behluli, ka shprehur entuziazmin e tij për koncertin, duke e cilësuar atë si një kënaqësi të veçantë. Si pjesë e ansamblit që nga themelimi, ai ka theksuar energjinë e jashtëzakonshme që është krijuar mes muzikantëve gjatë performancës.

“Ka qenë një kënaqësi e madhe sonte të bashkëpunojmë e të luajmë në koncert me këtë ansambël, pjesë e të cilit jam qysh prej themelimit. Ka qenë një energji e jashtëzakonshme sonte prej ansamblit, po shpresoj që edhe publiku e ka mirëpritur dhe janë kënaqur bashkë me ne”, ka thënë trumbetisti Behluli.

Muzika që krijon ky ansambël nuk u nënshtrohet ndarjeve tradicionale të zhanreve, por i ngërthen ato mes vete, duke krijuar një formë të re që sfidon vetë mënyrën se si kuptohet muzika, e përveç këtij eksperimentimi, festivali “FemArt” në këtë edicion, që do të vazhdojë deri më 21 qershor, po sjell koncerte të llojeve të ndryshme dhe premiera të tjera, punëtori e diskutime mbi konceptin se mendja është tokë pjellore për ide të reja.