Ftesa urgjente për të ateruar në Kopenhagë e për t’u ngjitur në skenën e Operës Mbretërore të Danimarkës si Këngëtari Italian në operën “Der Rosenkavalier” të Richard Straussit, është veç një episod në rrugëtimin e tij dinamik. Përderisa itinerari i tenorit Granit Musliu është i gjerë, aty përfshihet edhe një “stacion” të cilin e ëndërrojnë shumica e artistëve – “Staatsoper Berlin”. Aty do të jetë Alfredo Germonti i “La Traviatas” së Verdit. Por deri atëherë, e presin edhe skena të tjera
Ka raste kur për një artist, arti nuk pret kalendar. Artisti thirret me urgjencë si provë e papritur e fatit dhe e përgatitjes së gjatë. Kështu i ndodhi tenorit nga Kosova, Granit Musliu, debutimi i të cilit në rolin e Këngëtarit Italian nga opera “Der Rosenkavalier” e Richard Strauss qe i parakohshëm. Por tensioni momental u shndërrua në triumf artistik. Pas dramës në Operën Mbretërore të Danimarkës një kryerol e pret tenorin nga Mitrovica në një nga shtëpitë më prestigjioze operistike në botë – atë të Berlinit.
Opera Mbretërore e Danimarkës si një nga skenat më prestigjioze të Evropës Veriore do ta ftonte brenda ditës Musliun për ta interpretuar rolin. Nëse për publikun e pjesën tjetër të kastit po, për të nuk ishte një hyrje e zakonshme, e planifikuar me muaj paraprakisht. Ky ka qenë testi e dëshmia e përgatitjes profesionale për tenorin. Musliu u detyrua të fluturonte me urgjencë drejt Kopenhagës më 26 mars, duke marrë mbi supe një rol që e kishte paraparë për një tjetër kohë, një tjetër qytet. Roli i Këngëtarit Italian në operën “Der Rosenkavalier” – i shkurtër në kohë, por i mprehtë në kërkesa vokale – kërkon një shkëlqim të menjëhershëm, një elegancë të përqendruar. Por skena e po kësaj shtëpie operistike, nuk ishte e panjohur për të. Debutoi aty si Duka i Mantovës nga opera “Rigoletto” e Giuseppe Verdit. Ky qe njoftimi i parë i institucionit me këngëtarin e talentuar lirik.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Te ‘Der Rosenkavalier’’ në Operën Mbretërore Daneze kam qenë në rolin e Këngëtarit Italian. Ka qenë një situatë e papritur, sepse më është kërkuar të fluturoj në Kopenhagë brenda ditës dhe të këndoj një rol i cili për mua ishte debutim, ndonëse këtë rol e kam të planifikuar ta këndoj vitin tjetër në Munih. Ishte produksioni i ri nën drejtimin e drejtoreshës artistike, Elisabeth Linton, dhe dirigjentes Marie Jacquot”, ka thënë Musliu për KOHËN.
Kjo operë e Richard Strauss, e njohur për finesën e saj orkestrale dhe për portretizimin delikat të aristokracisë vjeneze të shekullit XVIII, është ndër veprat më të dashura të repertorit operistik. “Der Rosenkavalier” ndërthur humorin me melankolinë, duke krijuar një botë ku koha rrëshqet ngadalë dhe ndjenjat mbeten pezull mes nostalgjisë dhe ndryshimit. Brenda kësaj bote, Këngëtari Italian shfaqet si një moment brilant – një arie virtuoze që kërkon kontroll të plotë teknik dhe një prani të menjëhershme artistike.
Pikërisht në këtë provë të befasishme, Musliu ka dëshmuar se përgatitja e vërtetë e artistit nuk matet me plane, por me gatishmërinë për t’u përballur me të papriturën.
“Jam shumë i lumtur që gjithçka shkoi shumë bukur si dhe për kritikën e performancës sime nga publiku dhe gazetat kulturore të cilat ishin superlative”, ka thënë tenori.
Ajo që ishte menduar të ndodhte në Operën e Munihut vitin e ardhshëm, u bë realitet në një nga institucionet më të rëndësishme të operës në Skandinavi.
Opera Mbretërore e Danimarkës, me histori që daton që nga shekulli XVIII dhe si pjesë e Teatrit Mbretëror Danez, është një vatër ku tradita dhe moderniteti bashkëjetojnë. Skena e saj ka pritur emra të mëdhenj të operës botërore, ndërsa prodhimet e saj njihen për cilësinë artistike dhe standardin e lartë interpretativ.
Por Opera Mbretërore e Danimarkës qe testi, ndërsa Opera e Berlinit është suksesi. Debutimi i tij në këtë shtëpi operistike është pohim i asaj se tenori nga Kosova është pjesë e brezit të ri të yjeve operistike. Tenori Granit Musliu pritet të debutojë në “Staatsoper Berlin” duke marrë mbi supe një nga rolet më të dashura dhe sfiduese të repertorit operistik: Alfredo Germont.
Ky debutim është shenjë e qartë se zëri i tij po depërton në qendrat më prestigjioze të artit botëror. I konsideruar tashmë si një “yll në ngritje”, Musliu do të luaj si protagonisti i operës “La Traviata” të kompozitorit Giuseppe Verdi më 3, 10 e 13 shkurt të vitit të ardhshëm.
Drejtoreshë muzikore në këtë produksion është Giuseppe Mentuccia, dirigjent Dietor Dorn, si Violetta Valéry përkrah Musliut luan sopranoja armeniane Nina Minasyan, ndërsa në role të tjera Ludoviq Tezier, Natalia Skrycka Adriane Queiroz, Andrés Moreno García, Jaka Mihelaç, Arttu Kataja e Martin Iivarinen.
“Shumë i lumtur të kem nderin që sezonin e ardhshëm bëj hapin e radhës si Alfredo Germont në ‘Staatsoper Berlin’, teatër magjik dhe me histori si një nga skenat më të rëndësishme në botë”, është shprehur Musliu, i cili si Alfredo ka debutuar në “Bayerische Staatsoper” në fund të vitit të kaluar.
Dhe agjenda e tij vazhdon të jetë e ngjeshur me produksione të ndryshme në shtëpi operistike në gjithë Evropën.
“Meqë jemi duke shkuar nga fundi i sezonit operistik 25/26, kanë mbetur edhe disa shfaqje para meje. Gjatë muajit prill jam me shfaqje në Munih, pastaj nga muaji maj dhe tutje, në Zvicër (Lusanne) dhe në muajin gusht mbyll sezonin me rolin e Taminos në ‘Flautin Magjik’ në Francë (Sanxay). Ndërsa sezoni i ardhshëm i cili fillon nga muaji shtator do të më gjejë në Munih, Berlin, Varshavë dhe qytete të tjera të cilat do t’i publikoj me kohën”, ka treguar Musliu.
Siç shkruhet për rolin e Alfredo Germont, protagonistin e operës ‘La Traviata’ të kompozitorit Giuseppe Verdi, është një figurë e ndërtuar mbi ndjenja të forta dashurie, idealizmi dhe tragjedie. Ai është një i ri aristokrat që bie në dashuri me kurtizanen Violetta Valéry, duke sfiduar normat shoqërore të kohës. Roli kërkon jo vetëm një vokalitet të pastër dhe të ndritshëm tenor, por edhe një ndjeshmëri të thellë emocionale – një aftësi për të kaluar nga pasioni i zjarrtë në dëshpërimin e brishtë.
I diplomuar në Universitetin e Prishtinës dhe “Hochschule für Musik und Theater” në Hamburg, Musliu është pjesë e ansamblit të “Bayerische Staatsoper” (Operës Shtetërore të Bavarisë) në Gjermani. Sipas biografisë së tij, në sezonin 2025-2026, Musliu ka debutime të rëndësishme si Fenton në “Falstaff” në Operën Shtetërore të Hamburgut e si Alfredo Germont në “La Traviata” në Operën Shtetërore të Bavarisë. Paraprakisht ai debutoi në “Semperoper Dresden” si Cassio në “Otello”.
Ai ka thënë se i merr me modesti vlerësimet ,sepse thelbi mbetet puna dhe rrugëtimi i tij.
“I marr me modesti vlerësimet si ‘yll në ngritje’, sepse për mua thelbi mbetet puna dhe rrugëtimi. Por është e vërtetë që shumë nga ëndrrat e mia po bëhen realitet, hap pas hapi. Vij nga një vend i cili po e konsolidon traditën operistike dhe pikërisht për këtë arsye çdo arritje ka një peshë tjetër. Kudo që shkoj, përfaqësoj me krenari emrin dhe identitetin tim kosovar, me dëshirën më të madhe të tregoj që edhe nga një vend i vogël e si shtet i ri mund të shkëlqesh në skenat më të mëdha të botës”, është shprehur tenori Musliu. Ai u shfaq si Don Ottavio në “Soirées Lyriques de Sanxay” dhe do të rikthehet atje në verën këtij viti për të debutuar në rolin e Taminos në “Die Zauberflöte”. Sipas biografisë së tij, repertori i Musliut në “Bayerische Staatsoper” përfshin gjithashtu role të rëndësishme, midis tyre si Edmondo në “Manon Lescaut”, Beppe në “Pagliacci”, Flavio në “Norma”. Deri më tash ka punuar me dirigjentë me nam si: Vladimir Jurowski, Marco Armiliato, Daniele Rustioni, Andrea Battistoni, Henrik Nánási dhe Antonino Fogliani.