Kulturë

“The Last Free Dog” – shenjë e rikthimit të romanit grafik

Në vendin ku peizazhet me mbeturina ia shkrepën idenë me të cilën debutoi në roman grafik, Sarah Bergquist-Kosumi është rikthyer për ta promovuar atë që u konkretizua në “The Last Free Dog”. Tok me mjeshtrin e strupit, Shpend Kada, kanë shpalosur rrëfimin prapa romanit dhe jo vetëm. Është kumtuar se janë bërë disa hapa për ta përkthyer edhe në shqip, përderisa në horizont është ideja për veprën e radhës. Të dy besojnë në fuqinë e romanit grafik, e vepra e tyre është shenjë e rikthimit të tij edhe në tregun e Kosovës

Jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë stripi jo rrallë konsiderohet si një zhanër që i takon së kaluarës. Ka pak lexues, por “The Last Free Dog” është në taborin e atyre që besojnë dhe e dëshmojnë të kundërtën. Ecën kundër trendëve, e kërkon, e gjen lexuesin dhe atë me një temë aktuale në Kosovë: qentë endacakë. Zanafilla e këtij romani grafik është te rastësia, hartografia nga Kalifornia. Sarah Bergquist-Kosumi do të vinte në Kosovë të njoftohej me të afërmit e burrit të saj, ku në peizazhin me mbeturina gjithandej do të gjëllinte ideja për rrëfimin me deltarin ilir, Lyrin, e nëpërmjet historisë së tij do të përthekonte problematikën e qenve endacakë dhe të ambientit. Për ilustrime do të gjente një mjeshtër si Shpend Kadën, libri u botua në anglisht dhe pjesa tjetër është histori.

Të enjten Sarah Bergquist-Kosumi është rikthyer në Kosovë, tok me Shpend Kadën kanë përuruar “The Last Free Dog” në librarinë “Dukagjini” në një takim gati joformal, ku kanë shpalosur rrëfimin prapa romanit grafik, por jo vetëm. Është kumtuar se janë bërë disa hapa për ta përkthyer edhe në shqip, përderisa në horizont është ideja për veprën e radhës. Personazhe: arinjtë.

Sarah Bergquist-Kosumi, e cila ka përfunduar studimet bazike për gjeografi humane në California State University-Chico, ndërkaq në “NYU Center for Urban Science + Progress”, mori titullin si master e shkencave aplikative urbane dhe Informatikës. “The Last Free Dog” e nisi si një kundërreagim për çështje ambientalizmi.

“Kam filluar të mendoja se si ky problem do të mund të zgjidhej në Kosovë, dhe kështu pas një hulumtimi të gjerë erdha në përfundim që edukimi i gjeneratave të reja mbi problematikat e tilla është një levë e mirë për ta rregulluar këtë çështje”, ka thënë ajo, duke shtuar se ofrimi i një rrëfimi të tillë nëpërmjet këndvështrimit të vetë qenushit në një roman grafik, ka qenë mënyra më e mirë dhe më ndikuese për ta avokuar këtë çështje. Interesimi për të paraqitur një zgjidhje për problemet e ndryshme shoqërore dhe synimi për të treguar se ka rrugë të ndryshme në peizazhin dhe jetën e qenve të pastrehë në Ballkan kanë qenë premisat mbi të cilat autorja ka vepruar në procesin e realizimit të librit. Romanet grafike ajo i sheh si një mjet i cili përfshin praktikën e të mësuarit nëpërmjet materialeve vizuale.

“The Last Dog...” frymon shumëngjyrshëm në Kosovë edhe duke prekur peizazhe identifikuese të vendit dhe për lexuesin e huaj është edhe një lloj guide.

Bashkëpunimi me Shpend Kadën kishte nisur rastësisht nga kontakti në rrjetet sociale, nga të cilat edhe kishin nisur bisedimet e para.

Për Kadën kjo ftesë ishte e mirëpritur nga fakti se vetë tema e trajtuar rrallëherë nga spektri artistik e kishte intriguar atë.

“Fillimisht më kishte pëlqyer ideja, fakti që ndodhte te ne. Ne banorët e këtij vendi nuk merremi fort me këto probleme, ndotja e ambientit dhe qentë endacakë. Ka qenë kënaqësi dhe njëfarë eksperience e mirë, një përvojë e mirë për të menduar më shumë për këto problematika, sidomos për këtë problemin e qenve endacakë, për të cilin më përpara nuk e kam lodhur kokën. Por, tash më intereson ky problem shumë më tepër, sepse Prishtina dhe Peja jemi të mbushur me qen endacakë, të cilët vuajnë për ushqim dhe ende vazhdon si problematikë”, ka thënë Kada, duke shtuar se procesi i vizatimit të ilustrimeve ka qenë terapeutik dhe i rrallë, pasi që ai asnjëherë nuk kishte pasur rastin të vizatonte kaq shumë qen për një projekt të vetëm.

Përmes një korrespodence të gjatë nëpërmjet internetit ata kishin bashkëpunuar në realizimin e karaktereve të librit, për të vazhduar pastaj edhe me takime. Detajet nga procesi i punës së librit u shpalosën edhe në promovim. Dyshja ndan me të pranishmit disa nga draftskicat e para, si pasqyrë e procesit të gjatë të punës.

Image

Përmes këtij romani të veçantë, autorja synon që lexuesit kosovarë dhe ata ndërkombëtarë të nxiten në përfshirje më të madhe në çështjet kolektive me karakter mjedisor, si zgjidhje për probleme që ndikojnë te të gjithë.

“Libri gjithashtu përfshin edhe shtatë hapa që lexuesit mund t’i ndjekin për të ndihmuar me problemet e qenve endacakë dhe ndotjes së ambientit. Natyrisht jam munduar të fus në libër edhe elemente kulturore nga traditat kosovare, gjithashtu dhe monumente të caktuara si ai i ‘Newbornit’, peizazhet nga qytetet e ndryshme, si Prizreni, Peja e Prishtina”, ka thënë Bergquist-Kosumi.

Nisur nga kjo përfshirje e elementeve të ndryshme në libër, vetë autorja shprehet optimiste në mënyrën se si audienca kosovare do ta presë këtë.

“Mendoj që do ta presin shumë mirë këtë libër, sepse shfaq një realitet të cilin njerëzit këtu e jetojnë dhe besoj që do të pritet mirë, sidomos nga të vegjlit, dhe shpresoj që do të nxisë mendime te njerëzit, që të ndihmojnë me situatën e qenve të pastrehë”, është shprehur ajo në një prononcim për KOHËN.

Njëra prej pyetjeve të përsëritura në përurim ka qenë ajo se kur do të flasë në shqip “The Last Free Dog”, me të cilin ajo debuton si autore në roman grafik. Ka thënë se botimi në shqip është rrugës drejt konkretizimit, krahas planeve për ta promovuar edhe ndërkombëtarisht, nëpër festivale dhe panaire. Synon që kjo vepër të futet edhe në shkollat e Kosovës.

Por autorja nuk planifikon të ndalet me kaq. Në Kosovë synon të rikthehet edhe me librin e saj të dytë.

“Shpresoj që ky libër do të ndikojë në një ndryshim, do të mundohem ta promovoj shumë atë. Nipit tim i ka pëlqyer shumë libri për qenin, por më tha se: ‘a mund të bësh diçka për arinjtë’? Dhe menjëherë mendova rreth pyllit të arinjve këtu në Prishtinë dhe kështu imagjinata ime u ndez”, ka thënë ajo.

Shpend Kada, njëri prej pionierëve të stripit në Kosovë, e ka vlerësuar iniciativën e Bergquist-Kosumit teksa u shpreh se me librin e saj mbase do të nisë një trend i ri i realizimit të romaneve grafike në Kosovë. Viteve të fundit, festivali i romanit grafik “Gran FEST”, themeluar prej artistit Gani Jakupi, ka sjellë emra të njohur e ka botuar disa romane grafike, kryesisht përkthime, pos atyre të vetë Jakupit.

“Te ne pothuajse nuk ekziston fare romani grafik apo stripi, dikur ka pasur, por kanë qenë vetëm në gjuhën serbo-kroate, por në shqip jo. Andaj një rikthim është i vështirë pasi që duhet të etablohet nga fillimi. Tash nuk po shoh interes as te fëmijët, ata janë më të fokusuar nga animacioni sesa stripi, por jemi nja dy-tre veta që jemi entuziastë dhe nëse mund të ndikojmë te gjeneratat e reja, sepse jam i bindur që ka talente dhe të interesuar, e ndonjë ditë mbase mund të krijohet ndonjë revistë e stripit te ne”, ka thënë Kada.

Dyshja e “The Last Free Dog” beson në fuqinë e romanit grafik. Dëshmi janë vepra tashmë e botuar dhe ideja për romanin e radhës.