Ngritja e flamurit bosh është uverturë për “Tjetër herë” të Arianit Beqirit, kuruar nga Rudina Xhaferi, e hyrja në galeri është një përvojë unike që thyen të zakonshmen. Vizitori nuk është shikues pasiv, duhet të shtrihet, të gjejë dritë, të përvidhet për t’i kundruar veprat e në esencë, “Tjetër...” që ka për “kolonë zanore” veprën “Spiegel im Spiegel” të Arvo Pärtit interpretuar nga Ilir Bajri e Rron Bakalli, godet bollëkun e shndërruar në boshllëk, me pyetje të drejtpërdrejta sikurse ajo se “në çfarë kohe jetojmë”
“Tjetër herë” e Arianit Beqirit, e detyron vizitorin të ndryshojë pozicionin e trupit për t’i parë veprat në vend që ta ftojë atë ta shohë në mënyrën e zakonshme. Të ngrejë kokën, të shtrihet në dysheme, të kërkojë dritën në errësirë dhe, mbi të gjitha, të pyesë nëse mënyra se si e shohim botën është po aq e rëndësishme sa vetë ajo që sheh.
Por kjo është vetëm një nga veçantitë e saj. Publiku mund të shohë një flamur bosh tek ngrihet dhe një “himn” abstrakt dhe të vendosë vetë simbolet e tij.
Kjo është ekspozita e radhës e hapur të hënën mbrëma në Galerinë e Arteve të Prishtinës, e rihapur në fund të vitit të kaluar, duke e rikthyer pas mbylljes në vitet ’90. Me një lloj parahapjeje në platenë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, performanca muzikore ka shoqëruar ngritjen e flamurit bosh që ka marrë ngjyrën e qiellit.

Ka qenë interpretimi i duos Ilir Bajri në piano dhe Rron Bakalli në violinë, që solli veprën “Spiegel im Spiegel” të kompozitorit estonezm Arvo Pärt. Tingujt minimalistë kanë krijuar atmosferën e një himni melankolik, ndërsa flamuri ngrihej ngadalë drejt qiellit, duke shënuar fillimin e ekspozitës ku koha, pritja dhe boshllëku janë bërë pjesë e përvojës artistike.
Qe hyrje poetike në konceptin e ekspozitës, e cila më pas ka vazhduar në galeri me skulptura, piktura monumentale, miniatura dhe instalacione të vendosura në mënyrë krejt të pazakonshme.
Edhe
Berlini – kulmimi historik i Filharmonisë së Kosovës edhe me vepra shqipe
Në hyrje të ekspozitës, vizitorët janë përballur me një pikturë të madhe figurative të varur nga tavani. Duket si imazh nga kasaphana. Figura anatomike, me nuanca gri dhe të kuqe të errët, ngjan si trup i hapur apo i rrjepur.

E më pas, publiku duhet të hipë mbi një lloj platforme për të parë qartë tekstin në të cilin artisti flet për një kohë të mbushur me bollëk, por që paradoksalisht prodhon mungesë. Në qendër është pyetja: “Nuk jetojmë në një epokë mungese. Jetojmë në një epokë ku bollëku ka filluar të prodhojë boshllëk”. Më tej, teksti e zhvendos vëmendjen nga pyetja “Në çfarë kohe jetojmë?” drejt tjetrës: “Si jemi duke jetuar brenda saj?”
Edhe vetë titulli “Another time” lidhet me këtë ide. “Tjetër herë” paraqitet si premtimi i pafundmë i një kohe që shtyhet vazhdimisht, si një moment që nuk mbërrin kurrë.
Futja në lojë e vizitorit shndërrohet në pjesë të interpretimit artistik dhe krejt kjo ngjan si një lloj performance brenda ekspozitës.
Artisti Skender Boshtrakaj e sheh këtë si një nga veçoritë më të rëndësishme të ekspozitës.
“Është një ekspozitë shumëfish e veçantë. Së pari, Arianiti duket sikur nuk i përfundon veprat. I lë në proces, pa shumë tregim brenda, edhe tek ato që i thotë, edhe tek ato që i lë gjysmë të thëna. Kjo ngjarje filloi me një ngritje të flamurit që merr ngjyrën e qiellit, ngjyrën e kohës. Formohet sipas atyre ëndrrave tona. Ka shumë simbolikë në të dhe secili në këtë flamur të zbrazët mund ta shohë simbolin e vet”, ka thënë ai.
Boshtrakaj ka vlerësuar se edhe mënyra e ekspozimit është pjesë thelbësore e konceptit.
“Ekspozimi në Galerinë e Prishtinës të veprave që duhet të shihen prej poshtë e tek lart, është një rrotullim perspektive i Rudinës (Xhaferit v.j.) dhe, siç e thotë ajo bashkë me Arianitin, ne jemi mësuar t'i lëmë gjërat për një herë tjetër, ta shtyjmë kohën tonë, ta prolongojmë vendimin dhe, në atë prolongim, praktikisht ta lëmë jetën të ikë. Shohim sesi do t’i vendosin pikturat herën tjetër. Kësaj here kanë intervenuar në hapësirë, në perspektivën tonë dhe na kanë bërë ta shohim punën e Arianitit prej poshtë-lartë. Ashtu siç i pamë retë në flamur, edhe këto piktura krijuan disa re simpatike në tavanin e Galerisë së Arteve të Prishtinës”, ka thënë ai.
Edhe
“Vagullnaja vizuale” – pikëpyetje për paqartësi e paqëndrueshmëri

Artisti Beqiri e kuratorja Rudina Xhaferi nuk kanë pranuar të flasin.
Për Kamuran Gorancin, artist dhe një nga drejtuesit e Galerisë së Arteve të Prishtinës, ekspozita përfaqëson një hap drejt formave më bashkëkohore të prezantimit artistik.
“Kjo formë e ekspozitës quhet konceptuale dhe kuratoriale. Është ekspozitë personale, por kuratoriale. Kjo është ide e kuratores Rudina Xhaferi, e cila sjell një formë të re në aspektin konceptual të një ekspozite. Për ne është e re, por në vende të ndryshme kjo formë ekziston prej më shumë se 50 vjetësh”, ka thënë ai duke u shprehur se Galeria synon të mos mbetet vetëm te ekspozitat klasike.
“Kjo lloj forme e ekspozimit është zgjedhur edhe nga Këshilli Artistik i Galerisë së Arteve të Prishtinës, pasi kemi menduar që të mos kemi vetëm ekspozita tradicionale, por të kemi edhe të tilla konceptuale. Mendoj se gjatë këtyre ditëve do të zgjojë shumë mendime pozitive dhe kreative për këtë formë të ekspozitës”, ka thënë ai.

Një vepër që nuk kërkon shumë mundim për t’u parë është një skulpturë me ngjyrë ari në formë të paketimit të vezëve ndërsa në një pjesë të ndriçuar prej qelqi janë pikturat në miniaturë të cilat kërkojnë fokus për t’i vënë re detajet.
Violinisti Rron Bakalli ka treguar se zgjedhja e veprës ka qenë e artistit Arianit Beqiri.
“Veprën që e kemi luajtur është nga Arvo Pärt dhe quhet ‘Spiegel im Spiegel’. E ka zgjedhur piktori Arianit Beqiri, sepse i është përshtatur konceptit të ekspozitës”, ka treguar ai.
Ka thënë se minimalizmi i kompozimit ka ndërtuar atmosferën që ka kërkuar ekspozita.
Edhe
“Art beyond function” në përditshmëri përballë shndërrimit të vlerave
“Është vepër më minimaliste, por mendoj se i është përshtatur ekspozitës. Me Ilirin e kemi punuar disa ditë. Ka qenë vepër e re edhe për ne dhe na ka pëlqyer shumë”, ka thënë violinisti Bakalli.
Sipas organizatorëve, “Another time” synon të krijojë një dialog mes artit bashkëkohor, hapësirës ekspozuese dhe publikut, duke e shndërruar vizitorin nga një shikues pasiv në pjesëmarrës aktiv të veprës. Sipas tyre, nuk mjafton të vëzhgosh; duhet të lëvizësh, të ndryshosh këndvështrimin dhe të pranosh se edhe vetë mënyra e të parit mund të jetë subjekt i artit. “Tjetër herë” është e hapur deri më 3 gusht.