Është art që gjëllin nga toka. Pastaj merr formë dhe trajtohet me dashuri. “Tokë e trajtuar me dashuri” është titulli i ekspozitës personale të Blerta Syla-Surroit me vepra prej qeramike që shndërrohen në artefakte, të cilat pjekin simbolika të shumta. Njëra prej tyre edhe hapja e saj në Ditën e Çlirimit. Vernisazhi të enjten mbrëma qe imazh i bashkimit të krejt spektrit politik tok me diplomatë. Mbi të gjitha i fuqisë së artit. Secila vepër ka një rrëfim më vete dhe emërues të përbashkët kanë çlirimin me ngjyrat e jetës e të paqes. Në heshtje ato flasin zëshëm
Është një fotografi e rrallë në koleksionin e artistes. Qe 12 qershori i vitit 1999. Në atë shkrepje kur Blerta Syla kishte rrumbullakuar plot 21 vjet, gëzimi qe i shumëfishtë. Po atë ditë, pas 78 ditësh të fushatës ajrore të NATO-s në Ish-Jugosllavi, Kosova do të çlirohej. Ajo është e lindur më 1978. Simbolikat e fotografisë janë të shumta. E mbi të gjitha vërehen gëzimi e lumturia në portretin e një vajze që tashmë e dinte se në dekadën e tretë të jetës dhe më tej do të jetonte në liri. Pikërisht me këtë fotografi edhe hapet ekspozita personale e Blerta Syla-Surroit, “Tokë e trajtuar me dashuri”. Lumturia e fotografisë reflektohet te të gjitha veprat prej qeramike.
Qeramikat e reflektimit për ditë të mira
Në “Vilën 1925” në kryeqytet, në ekspozitën e Blerta Syla-Surroit, bashkohen pasioni, estetika, motivet e mbi të gjitha simbolikat e mesazhet e shumta. Punimet e saj në qeramikë vijnë me relieve të ndryshme. Bregdeti, peshqit e gjallesat e tjera të atyre anëve janë një mozaik më vete. Reflektojnë ambicie, lumturi e qetësi. Reflektojnë dëshirë për ditë të mira. Mbi të gjitha, reflektojnë jetë. Për shkak se është shumë delikate, qeramika s’u hyn edhe shumë në punë artistëve në këto anë. Syla-Surroi ka vjet që s’i ndahet. Është një trajtë vazhdimësie e pikturave e grafikave të saj.

Por modelimi në baltë duket sikur e ka bërë për vete. Në Ditën e Çlirimit të Kosovës punimet kanë reflektuar paqe e dashamirësi. Kuptimi i konceptit të saj sikur është plotësuar edhe më kur hapja e ekspozitës ka pritur numër të madh vizitorësh – që nuk ngjan shpesh – dhe aty janë mbledhur kryetarët e partive politike kryesore në vend, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama dhe shumë ambasadorë të shteteve evropiane. Përtej një ngjarjeje artistike, janë bashkuar njerëzit duke plotësuar mozaikun e përvjetorit të 26-të të çlirimit. Syla-Surroi sikur bën thirrje për bashkim me veprat e saj, që janë kremte për të bukurën e jetën.
Në këtë ekspozitë ajo është paraqitur edhe me portrete grash. Vijnë në qeramikë e me ngjyra të ndezura. Duken si piktura e grafika për nga preciziteti e të qenit në qeramikë sikur i bën më hyjnore. S’janë forma reale, por e tillë është ndjesia që përcjellin. Krenaria e brishtësia ecin në paralele.
Heshtja e zëshme e koloritit
Profesori i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, Eshref Qahili, ka thënë se ka ardhur me shumë kënaqësi në këtë ekspozitë, pasi qeramika kultivohet pak në Kosovë.

“Një ndër ato që e kultivon është Blerta, midis dy a tre vetash. Qeramikat e saj janë art më vete, pikturë më vete. Qeramikat e Blertës të inspirojnë dhe mund të kesh një version ndryshe nëse merresh me art, grafikë pikturë apo mediume të tjera. Qeramikat e saj janë vazhdimësi e pikturave të saj dhe është një artiste e kompletuar”, ka thënë Qahili. Sipas tij, relievet e saj me kubëza të vegjël edhe janë një version ndryshe.
“Qeramikat e saj janë një pikturë më vete. Ka ngjyrë, formë e vëllim”, ka thënë ai.
Piktorja Shqipe Kamberi ka thënë se kur i sheh veprat e Blerta Syla-Surroit, e sheh personalitetin, individualitetin dhe sinqeritetin e saj.
“Këtë e reflekton në punët e veta. Ajo e do detin shumë dhe përditshmërinë e ka në vepra. Portretet e saj kanë një gjallëri në ngjyra. Aty është prezent deti. Ato portrete më lanë shumë përshtypje me kompozicion shumë të bukur. E përgëzoj pasi ka ecur një hap më tutje nga ajo që ka punuar deri më sot”, ka thënë ajo.

Piktorja Mjellma Goranci – Firzi njihet me Syla-Surroin qysh prej fëmijërisë. Kanë miqësi të vazhdueshme. Ka thënë se e vlerëson shumë miken e saj për veçantinë që e posedon në aspektin familjar shoqëror dhe në profesion.
“Është një artiste multimediale. Si artiste ka qenë dhe është e suksesshme në dramaturgji dhe në pikturë. Ka një kompozicion me kolorit shumë të bukur në qeramikë. Gjithnjë punon e fshehur dhe pa bërë zë. Ka shumë disiplinë dhe punon shumë. Puna e saj na e rrit vlerën si shoqëri dhe si komb”, ka thënë ajo. Sipas Goranci-Firzit, ajo është personalitet që ka shumë motiv.
“Andaj koloriti i saj është i pasur dhe i pastër. Ajo e do shumë detin dhe motivet e detit e inspirojnë shumë e i trajton shumë bukur. Pasuria e saj është tek identiteti artistik që e posedon. Si motiv i ri është portreti i grave. Me ngjyrat e njëjta e format e njëjta sikurse qeramikat e tjera. Portreti i grave ka ardhur shumë fuqishëm tek ajo dhe ato portrete janë shumë të bukura”, ka thënë ajo.
Portretet e Syla-Surroit duket sikur janë në dialog të përhershëm mes vete. Por edhe komunikimi i tyre me audiencën është i dukshëm.

Një raport fizik e shpirtëror me baltën
Artistja Blerta Syla-Surroi ka sqaruar se marrëdhënia e saj me baltën është sa fizike edhe shpirtërore. Ka thënë se balta e ka kohën e vet dhe e do kohën e vet.
“Unë e formoj baltën dhe balta më formon mua si artiste. Kemi një reciprocitet dhe gjuhë shumë komunikuese mes vete. Derisa unë gdhend qeramikën, ajo sikur i ka kufijtë e saj pasi është shumë delikate. Ndërkohë unë i zgjeroj kufijtë e mi si artiste, kufijtë e imagjinatës”, ka sqaruar ajo. Ka treguar se inspirohet nga motivet e përditshme dhe ekziston një ndërlidhje shumë emocionale midis saj dhe baltës. Fotografinë e shkrepur më 12 qershor 1999 e ka fort për qejf. Flet gjatë për të.
“Buzëqeshja në atë fotografi më bën që ta shoh jetën ndryshe, nga një tjetër kënd e me shumë pozitivitet. Ajo fotografi tregon kohën kur jam përcaktuar që të jem e lumtur në jetë. Njeriu përcaktohet për atë që do”, ka thënë ajo. Ka rrëfyer se nga natyra është shumë optimiste dhe e sheh gotën gjithmonë të mbushur plot. E portretet e grave në veprat e saj të viteve të fundit i veçon.
“Portretet në këtë ekspozitë janë me ngjyra të ndezura që pasqyrojnë gruan e fortë e njëkohësisht edhe të brishtë dhe kjo ngjyrë i jep ngjyrë e hare ciklit të ri që po e bëj”, ka thënë ajo. Bashkimin e krejt spektrit politik dhe ambasadorëve në ekspozitë e ka përshkruar si diçka pozitive për artin e për vendin.

“Jam e lumtur që sonte u bënë bashkë në këtë ekspozitë, pasi në Kuvend nuk po bëhen dhe arti e ka fuqinë e bashkimit të njerëzve”, ka thënë ajo.
Thirrjet e saj për pozitivitet nëpërmjet artit, në këto ditë mund të shihen edhe si thirrje për bashkim e prosperitet. Janë ditë kur Kuvendi i Kosovës mblidhet tash e 30 herë dhe s’ia del për ta zgjedhur kryeparlamentarin, në mënyrë që t’i hapet rrugët themelimit të Qeverisë. Në këtë aspekt mungon komunikimi. Por veprat e Syla-Surroit kanë komunikuar me krejt audiencën. Nën titullin “Tokë e trajtuar me dashuri”, ato heshturazi, por me forcë kanë përçuar mesazhe. Midis të tjerash, kanë kërkuar atë që thuhet në titull. Kanë kërkuar që kjo tokë të trajtohet me dashuri.