Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

UNESCO-ja e shpall Liqenin e Shkodrës rezervë botërore të biosferës

UNESCO-ja e shpall Liqenin e Shkodrës rezervë botërore të biosferës

Përzgjedhja e Liqenit të Shkodrës konsiderohet një njohje ndërkombëtare për pasurinë e tij natyrore, biodiversitetin unik dhe rëndësinë që ka për ekosistemin e rajonit

Në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit, Organizata Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO e ka shpallur zyrtarisht Liqenin e Shkodrës si një nga 14 rezervat e reja të biosferës në botë për vitin 2026. Me këtë vendim, Liqeni i Shkodrës bëhet pjesë e Rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës të UNESCO-s, i cili tashmë numëron 797 zona të mbrojtura në 145 vende të botës.

UNESCO-ja vlerëson rezervat e biosferës si territore me vlera të jashtëzakonshme ekologjike, ku ruajtja e natyrës ecën paralelisht me zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e komuniteteve lokale. Përzgjedhja e Liqenit të Shkodrës konsiderohet një njohje ndërkombëtare për pasurinë e tij natyrore, biodiversitetin unik dhe rëndësinë që ka për ekosistemin e rajonit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, Khaled El-Enany, citohet të ketë deklaruar se rezervat e biosferës dëshmojnë çdo ditë se mbrojtja e natyrës dhe përmirësimi i jetës së njerëzve nuk janë qëllime në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Për Shkodrën, ky status i ri pritet të sjellë më shumë vëmendje ndërkombëtare, mundësi për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, projekte mjedisore dhe promovimin e një prej pasurive më të rëndësishme natyrore të Ballkanit.

Liqeni i Shkodrës ishte një nga 14 zonat e reja të shpallura këtë vit nga UNESCO, krahas rezervave të reja në vende si Kanadaja, Portugalia, Mongolia, Filipinet dhe Vietnami.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka shkruar se ky është një vlerësim ndërkombëtar për një nga pasuritë më të mëdha natyrore që ka Shqipëria.

“Mirëmëngjesi me një super lajm për Shkodrën dhe Liqenin tonë! Liqeni i Shkodrës është shpallur Rezervë Biosfere e UNESCO-s, një vlerësim ndërkombëtar për një nga pasuritë më të mëdha natyrore që kemi. Ky është një moment krenarie për Shkodrën, për komunitetet që jetojnë pranë liqenit dhe për potencialin e jashtëzakonshëm që ky territor mbart për turizmin, ekonominë lokale, zhvillimin e rajonit dhe rritjen e mirëqenies.  Liqeni i Shkodrës nuk është vetëm një pasuri natyrore. Është identitet, histori dhe një nga asetet më të çmuara të Shkodrës”, ka shkruar Beci.

Përfshirja e Liqenit të Shkodrës në këtë rrjet ndërkombëtar është një vlerësim i rëndësishëm për pasurinë natyrore, biodiversitetin dhe rëndësinë ekologjike që ky ekosistem ka për Shqipërinë dhe rajonin, dosja e të cilit është dorëzuar në shtator të vitit të kaluar, ndërsa është punuar shumë vjet në këtë drejtim.

Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në Gadishullin Ballkanik. Ai shtrihet në kufirin midis Shqipërisë  dhe Malit të Zi, me pjesën më të madhe të sipërfaqes në territorin malazez.