Etimologjia e Zymit lidhet me ngjyrën e hirtë, por trashëgimia e tij kulturore e shpirtërore është shumëngjyrëshe. Janë pikërisht këto vlera – ani pse të rrezikuara kaherë – që e bëjnë këtë fshat si aset me mundësi të mëdha të zhvillimit të turizmit. Një plan menaxhimi ia nxjerr në pah krejt këto anë, e nëse arrin të “përkthehet” në implementim, Zymi do të jetë një histori suksesi. Dokumenti – i cili parasheh në detaje një ringjallje të këtij vendbanimi – tashmë është në konsultim publik
Mbrojtja e trashëgimisë kulturore, promovimi i praktikave të qëndrueshme të turizmit e përfshirja e komunitetit lokal në ruajtjen e promovimin e trashëgimisë kulturore, janë pikat kryesore strategjike për menaxhimin dhe zhvillimin e fshatit Zym të Prizrenit. Ky përfundim është nxjerrë pas analizave goxha të detajuara të bëra në kuadër të përpilimit të Planit të menaxhimit për fshatin Zym të Hasit. I njohur për trashëgiminë kulturore materiale dhe shpirtërore, ky vendbanim prej fundit të vitit 2013 ka ligj të veçantë si aset i trashëgimisë kulturore. Sivjet synohet të bëhet edhe me Plan të menaxhimit. Dokumenti prej 112 faqesh i përgatitur nga disa grupe institucionesh e palë të tjera nëpërmjet një procesi të udhëhequr nga “UN-Habitat” me mbështetje të Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Suedisë, paraqet hapat që duhen ndërmarrë në mënyrë që fshati të jetë aset i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore të Kosovës.
Hapat për një përvojë autentike dhe unike
“Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe natyrore duke promovuar tradita të pasura, festa shumëngjyrëshe dhe ekonomi krijuese, duke balancuar qasjen ndërmjet mjedisit të ndërtuar dhe atij natyror me nevojat zhvillimore”, është pika e parë strategjike e përmendur në këtë dokument që tashmë është në konsultim publik. Te kjo pikë përfshihet inventarizimi gjithëpërfshirës i aseteve të trashëgimisë kulturore dhe i aseteve natyrore, si dhe përcaktimi i prioriteteve për ndërhyrje në konservim. Po ashtu aty përmendet promovimi i rehabilitimit ose konservimit të trashëgimisë dhe vendeve historike duke i integruar ato në programin më të gjerë të zhvillimit kulturor për Zymin.
“Promovimi i praktikave të qëndrueshme të turizmit, duke ofruar një përvojë autentike dhe unike për njerëzit që dëshirojnë të mësojnë më shumë rreth historisë, zanateve, praktikave shoqërore, ritualeve dhe origjinës së Zymit”, shkruhet në pikën e dytë strategjike. Këtu përfshihet përgatitja e një plani zhvillimi për turizmin, përfshirë një plan biznesi për të mbështetur strategjinë e zhvillimit ekonomik për Zymin, si dhe zhvillimi i një programi aktivitetesh të përshtatura me objektivin e përcaktuar të turizmit për Zym dhe zhvillimin e tij të qëndrueshëm.
“Marrja në konsideratë e ripërdorimit të objekteve të vjetra/të braktisura si hapësira mikpritëse dhe/ose shërbime turistike”, shkruhet te kjo pikë.
Përfshirja e komunitetit lokal në ruajtjen e trashëgimisë, ngritja e kapaciteteve dhe nxitja e investimeve në nivel lokal për të ofruar mundësi biznesi, krijim të vendeve të punës dhe përmirësim të cilësisë së jetës për banorët lokalë, përmblidhen në pikën e tretë strategjike. Synohet nxitje për përfshirje aktive dhe me përparësi të komuniteteve lokale për të krijuar mundësi punësimi dhe zhvillimi të qëndrueshëm për banorët si një përparësi kryesore. Plani është punuar në disa faza dhe nga disa grupe.
Nëpërmjet tabelave është paraqitur edhe një plan i veprimit goxha i detajuar ku parashihet se kush duhet të jenë zbatuesit dhe po ashtu është bërë parashikimi i kostos financiare për të gjitha veprimet.
Etimologjia nga ngjyra e hirtë dhe harta e 1566-s
Sipas draftit të Planit të menaxhimit, etimologjia e toponimit Zym, sipas disa dokumenteve dhe burimeve, rrjedh nga fjala latine “Sumbi”, e cila në shqip do të thotë “gri” – ngjyra e hirit, diçka që i ngjan ngjyrës së gurit ose zonave shkëmbore ku dikur ishin ndërtuar shtëpitë e Zymit.
“Emri i Zymit—Sumbi—është përfshirë në hartën ‘Carta della Grecia di Nicola Sofiano’ (Venecia, 1566). Madje edhe në vitin 1760 ipeshkvi Matej Mazrreku iu referua këtij vendi si Symb-i”, shkruhet në dokument. Sqarohet se Zymi, i njohur edhe si Zyma, është i lidhur gjithashtu me një vendbanim dardan që i përket Epokës së Hekurit, i lokalizuar midis fshatrave Ramajë dhe Vlashnje, pranë Zymit të sotëm.
“Kështu Zymi paraqitet si një element i rëndësishëm i trashëgimisë historike dhe kulturore të Kosovës, me një histori të vazhdueshme të zhvillimit të vendbanimit, i cili është shndërruar në një qendër të kulturës së gjallë kombëtare dhe ndjenjës kulturore për komunitetin”, shkruhet në dokument. Zymi është vendlindja ose vendi ku kanë zhvilluar aktivitet figura historike si: Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi, Shtjefën Gjeçovi, Katarina Josipi, Anton Pashku e figura të tjera.
Vlerat e rrezikuara nga ndërtimet shkatërruese
Vlerat arkitekturore dhe urbane të fshatit llogariten të jenë të shumta.
“Fatkeqësisht vlera arkitekturore dhe urbane e fshatit Zym, në aspektin e trashëgimisë së ndërtuar, sot paraqitet si më e rrezikuara dhe është vlerësuar si më e dobëta ndër vlerat ekzistuese. Kjo vjen si pasojë e aktiviteteve ndërtimore të realizuara gjatë dekadave të fundit të cilat, ndonëse jo ekstremisht shkatërruese, kanë çuar në rrënimin pothuajse tërësor të ndërtesave tradicionale, të cilat dikur përbënin vendbanimin vernakular me tipologjitë, format dhe marrëdhëniet e tyre të ndërsjella”, shkruhet në dokument. Sqarohet se vlera arkitekturore e mbetur në Zym qëndron ende në mbijetesën e disa elementeve që u përkasin teknikave dhe tipologjive tradicionale të ndërtimit në zonë. Ndërtesat vernakulare, materialet ndërtimore, teknikat tradicionale dhe veçoritë dekorative dhe arkitekturore si portikët prej druri, çatitë, shkallët dhe dritaret, sipas dokumentit, përfaqësojnë një shembull autentik të arkitekturës vernakulare të zonave rurale të Shqipërisë dhe Ballkanit.
“Për më tepër, tipologjitë e shtëpive rurale dhe marrëdhëniet e tyre me peizazhin përreth – përfshirë hapësirat e gjelbëruara, shkallëzimet natyrore dhe modelet strukturore – janë pjesë thelbësore e vlerës identitare të Zymit. Këto elemente lidhen ngushtë me teknikat tradicionale të ndërtimit dhe përshtatjen ndaj terrenit dhe relievit, duke krijuar një harmoni midis arkitekturës dhe natyrës që duhet të ruhet dhe të prezantohet me të njëjtën përkushtim si vetë ndërtesat”, shkruhet në Plan. Qartësohet se shumë pika panoramike dhe vizura drejt luginës janë tashmë të rrezikuara nga ndërtime moderne dhe shpeshherë ndërhyrje të pakontrolluara, që dëmtojnë skenën natyrore dhe identitetin vizual të zonës.
“Modelet historike të ndërtimit dhe kompozimi urban vernakular, ndonëse të prekura nga demolime dhe zëvendësime me objekte moderne, janë ende të lexueshme përmes ndërlidhjes së tyre me orografinë e Zymit dhe konformacionin e tij terranor”, shkruhet në Plan.

Trashëgimia shpirtërore
Trashëgimia shpirtërore e vendbanimit është e madhe. Tradita e veshjeve dhe kostumeve tradicionale të Zymit dhe Hasit, në përgjithësi, sipas hartuesve të Planit, përfaqëson një pasuri shpirtërore të kësaj zone të trashëguar brez pas brezi.
“Ngjyrat dhe motivet e prezantuara në këto veshje shprehin dallime të rëndësishme lidhur me moshën, statusin martesor, përkatësinë fetare apo edhe vendin e origjinës së individit. Veshjet tradicionale të grave të Hasit janë ndër më të larmishmet në Kosovë, me dominim të ngjyrës së kuqe (dhe ngjyrave të çelura në përgjithësi), si dhe me motive të pasura gjeometrike, floreale dhe zoomorfe”, shkruhet në Plan. Aty ceket se Zymi ka qenë dhe mbetet një vend ku organizohen festivale dhe ngjarje të ndryshme, që përmbajnë kuptime dhe aspekte të larmishme sociale, fetare, kulturore, etnografike dhe gastronomike.
Rritja e fshatit nga 20 familje në vitin 1879 në 208 familje më 2011
Në bazë të të dhënave që janë paraqitur në vitin 1879, fshati kishte 20 familje shqiptare, prej të cilave 15 ishin katolike dhe 5 myslimane.
“Deri në vitin 1948 numri i familjeve u rrit në 98, me një popullsi prej 751 banorësh. Në fund të shekullit XX Zymi u zgjerua ndjeshëm duke pasur 130 familje dhe mbi 2.000 banorë në vitin 1997”, shkruhet në dokument. Sa u përket numrave aty ceket se, sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2011, Zymi kishte 208 familje dhe një popullsi prej një mijë e 872 banorësh, duke dëshmuar gjallërinë dhe rëndësinë e tij të vazhdueshme në peizazhin kulturor dhe historik të rajonit.
Por migrimi e ka goditur fort vendbanimin. Sipas atyre që jetojnë dhe e vizitojnë atë zonë, gjallëria vërehet vetëm verës kur emigrantët, kryesisht nga Kroacia, kthehen për pushime.
Kjo i ka rënë në sy drejtorit të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, Samir Hoxha. Ai ka thënë se Plani i menaxhimit është tejet i rëndësishëm për këtë fshat.
“Është një fshat me potencial shumë të madh sa i përket trashëgimisë kulturore në disa dimensione. Aktualisht jemi duke punuar në trashëgiminë arkitekturore në këtë vendbanim sa i përket konservimit dhe restaurimit dhe do të vazhdohet edhe në vitin që vjen”, ka thënë ai. Sipas Hoxhës, fshati ka potencial të mirë sa i përket trashëgimisë dhe mund të shndërrohet në vendbanim ku turizmi kulturor do të merrte jetë.
“Komuniteti lokal është shumë bashkëpunues, por migrimi është një telash jo i vogël”, ka thënë ai. Sipas Hoxhës, miratimi dhe më pas implementimi i Planit të menaxhimit do të ishte një dobi e madhe.
Gazetari veteran e shkrimtari Frrok Kristaj për një kohë të gjatë angazhohet për vendlindjen e tij. Ai ka thënë se shteti duhet të bëjë më shumë pasi deri tash kryesisht komuniteti lokal është angazhuar për fshatin.
“Kemi bërë ne shumë dhe s’ka fshat më të zhvilluar e me më shumë manifestime. Këto këshillat e emërtuara nga institucionet e që dalin nga Ligji për fshatin Zym s’kanë bërë asgjë”, ka thënë ai.
Në Planin e menaxhimit propozohen edhe identitete vizuale e slogane mikpritëse për vizitorë. Në bazë të përvojës së deritashme planet e menaxhimit në trashëgiminë kulturore kanë gjetur vonesa të mëdha në implementim. Por, mbeten dokumente bazike për qasjen komunitare dhe institucionale në raport me asetet e trashëgimisë kulturore.