Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

15 vjet burgim për Kostiqin e 7 për Miloviqin, të akuzuar për krime lufte në Vushtrri

krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, të akuzuar për krime lufte në Vushtrri. Kostiq u dënua me 15 vjet burgim, ndërsa Miloviq me 7. Ata akuzohen se si pjesëtarë të forcave policore kryen veprën penale "Krime lufte kundër popullsisë civile"

Zoran Kostiq është dënuar të mërkurën me 15 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për krime lufte kundër popullsisë civile, e për të njëjtën vepër me 7 vjet burgim është dënuar Dragan Miloviq.

Të dy, sipas Prokurorisë Speciale, më 1999 në Komunën e Vushtrrisë si pjesëtarë të forcave policore serbe, në bashkëkryerje me persona të tjerë të uniformuar dhe me vetëdije kanë marrë pjesë direkt në keqtrajtimin, dëbimin e torturimin e popullsisë civile. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, tha se të akuzuarit obligohen të paguajnë edhe shpenzimet gjyqësore, ndërsa njoftoi se do t’iu vazhdohet edhe masa e paraburgimit.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, të pranishëm në sallën e gjykimit ishin edhe të akuzuarit.

Vendimin e Gjykatës e mirëpriti Prokuroria Speciale.

“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në mënyrë të vazhdueshme për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës, në përputhje me ligjet në fuqi dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë. Në këtë kontekst, mirëpresim aktgjykimin e fundit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për krime lufte në Komunën e Vushtrrisë ndaj Z.K dhe D.M”, thuhet në reagimin e Prokurorisë Speciale. 

Sipas aktakuzës, i pandehuri Zoran Kostiq gjatë kohës së luftës ka marrë pjesë në sulmin ndaj familjes Ujkani dhe ka urdhëruar dëbimin e popullatës civile shqiptare nga shtëpitë e tyre.

E i akuzuari tjetër Dragan Miloviq, sipas organit të akuzës, bashkë me persona të tjerë kanë maltretuar, rrahur e torturuar civilë, të cilët ishin të grumbulluar në varrezat e qytetit.

Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq janë në paraburgim nga 21 shtatori i vitit 2023.