Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të premten me 20 vjet burgim ish-pjesëtarin e ISIS-it, Murat Dernjani. Sipas kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, është vërtetuar se ai ka kryer krime kundër njerëzimit, përkatësisht ndaj vajzave të komunitetit jazid në Siri dhe në Irak
Murat Dernjani është shpallur fajtor për krime kundër njerëzimit, ndaj vajzave të komunitetit jazid në Siri dhe në Irak.
Për këtë krim, përfshirë edhe për dhunën seksuale dhe për skllavërimin e grave të këtij komuniteti, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka shqiptuar të premten ish-pjesëtarit të organizatës terroriste “Shteti Islamik” (ISIS) dënimin me 20 vjet burgim.
Në arsyetimin e vendimit, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, ka thënë se dëshmitë e të dëmtuarave kanë qenë të ndërlidhura me njëra-tjetrën.
“Në dëshmitë e tyre, këto dëshmitare e kanë përshkruar në detaje ecurinë e ngjarjes që ka ndodhur. Nga këto dëshmi, gjykata ka vërtetuar se i pandehuri Murat Dernjani, gjatë kohës së konfliktit në Siri, Irak, prej periudhës mars 2014 deri me datën 23 mars 2017, në territorin e qytetit Raqa, sepse me dashje ka kryer dhunë ndaj viktimave jazide. I ka aplikuar masat e torturimit dhe shkatërrimit të vuajtjeve të mëdha. Në bazë të dëshmitarëve, në mënyrë të sigurt është vërtetuar se ka kryer dhunim seksual ndaj femrave të komunitetit jazid, në mesin e tyre ka pasur edhe fëmijë”, ka theksuar ajo.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, i pranishëm në sallë nuk ka qenë i akuzuari Dernjani.
E vendimin e Themelores e ka mirëpritur prokurorja speciale, Florije Salihu-Shamolli.
“Ky vendim i shkallës së parë e dëshmon vullnetin e lartë të institucioneve kosovare të drejtësisë, respektivisht të Prokurorisë Speciale, e cila është në ndjekje të të gjithë personave të cilët kryejnë vepra penale, e sidomos vepra penale për të cilat sot i njëjti u shpall fajtor për krime kundër njerëzimit. Kosova, si me ligje vendore, ashtu edhe me ligje ndërkombëtare, ka kompetencë tek të gjithë ata persona të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës, për këto vepra të cilat janë të dënuara ndërkombëtarisht, të ndjekë dhe të ngritë akuza, dhe sot e mirëpresim këtë vendim të Gjykatës”, është shprehu Salihu-Shamolli.
E në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) kanë thënë të premten se aktgjykimi e përfaqëson një precedent të rëndësishëm jo vetëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë, por edhe në nivel ndërkombëtar.
“Është rasti i parë i këtij lloji në vend dhe më gjerë, ku një shtetas lokal mbahet përgjegjës për krime të tilla, të rënda, të ndodhura jashtë territorit të vendit. Ky vendim i përforcon standardet ndërkombëtare të ndjekjes penale për dhunën seksuale në konflikt dhe e dërgon një mesazh të qartë se: krimet kundër njerëzimit nuk do të mbesin të pandëshkuara, pavarësisht kohës, vendndodhjes apo kombësisë së kryerësve”, kanë thënë në QKRMT nëpërmjet një reagimi publik.
Prokuroria Speciale e ka akuzuar Dernjanin për dhunë seksuale dhe për skllavërim gjatë periudhës së viteve 2014-2017. Sipas aktakuzës, pjesa më e madhe e të mbijetuarave të propozuara si dëshmitare kanë qenë të mitura në kohën kur kanë ndodhur veprat penale.
Prokuroria Speciale i ka ngritur aktakuzë Dernjanit edhe më herët. Ai e pati pranuar fajësinë për pjesëmarrje në grup terrorist.