Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Banorët e Zajmit pretendojnë se pronat u janë marrë me dallavere

Protesta e banorëve në Zajm

Banorë të Zajmit të Klinës kanë kërkuar drejtësi, me arsyetimin se pronat u janë marrë kundërligjshëm. Të dielën ata protestuan për të tretën herë duke kërkua zgjidhje për këtë çështje. Në të parën ata protestuan para Komunës së Klinës, në të dytën para gjykatës dhe Prokurorisë Themelore në Pejë, ndërsa këtë dielën, ata bllokuan magjistrale Prishtinë-Pejë në shenjë pakënaqësie

Dhjetëra banorë të fshatit Zajm të Klinës kanë kërkuar drejtësi në lidhje me pronat e tyre duke e bllokuar rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë, të dielën. 

Ata kanë thënë se katër persona, që sipas tyre, përbëjnë grup të organizuar, kanë përkthyer me dallavere pronat e baballarëve e gjyshërve të tyre dhe po pretendojnë disa prona të tjera në fshat. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kërkojmë prej gjykatës, prokurorisë, policisë ndërhyrje të shpejtë, në qoftë se jo, protesta të tjera do të jenë më të ashpra. Nuk do të ndalemi me këto. Unë besoj në polici, besoj më prokurori, besoj në shtet. I kemi afër 30 prona në Zajm që janë përkthyer, kanë dalë në emër të pronarit. Ne jemi në këto prona qe 60 vjet”, ka thënë protestuesi Met Krasniqi, që është edhe kryetar i Bashkësisë Lokale.

Ankesa kanë shprehur edhe banorët tjerë.

“Na i kanë marrë, na i kanë uzurpuar, na i kanë blerë në mënyrë të paligjshme. Janë katër persona që me emër e mbiemër i dinë Polici, gjykata, prokuroria dhe të gjithë”, ka thënë protestuesi Asllan Morina.

E Agron Dobrani ka thënë se e gjitha që duan është drejtësia e jo konflikti.

“Duam drejtësi e jo konflikte. Kërkojmë tri gjëra shumë të qarta dhe të rëndësishme: hetim të plotë, zbatim të ligjit dhe ndërhyrje urgjente nga institucionet tona për të mbrojtur jetën dhe pronën e banorëve të fshatit Zajm”, ka thënë ai.

Ata kanë kërkuar intervenim urgjent nga institucionet, por nuk kanë përjashtuar as përdorimin e dhunës për t’i mbrojtur pronat e tyre.

Sipas tyre qëllimi fillestar i katër personave që në disa raste i kanë bindur institucionet e drejtësisë se kanë blerë prona nga serbët, ka qenë kompensimi meqë kanë pasur informata se aty do të ndërtohet rrugë. 

Banorët janë shprehur po ashtu se meqë rrugë në këto prona nuk është ndërtuar, personat që sipas tyre janë blerës të rremë, tash po synojnë t’ua shesin banorëve pronat.

Siç kanë thënë protestuesit një pjesë të tyre nuk kanë dokumente për pronat e tyre, me arsyetimin se ato janë shkatërruar kur u janë djegur shtëpitë gjatë luftës. 

Personat të cilët i kanë legalizuar pronat e kontestuara, sipas banorëve janë nga Gjakova, Kamenica, Vushtrria dhe nuk i lidh asgjë as me Klinën e as me fshatin Zajm.

Shkodra Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka thënë se prokuroria është duke u marrë me këtë rast.