Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, e ka akuzuar Prokurorinë për qasje negative ndaj përgjegjësive që ka. Ai ka thënë se intervistimi i tij ka qenë i panevojshëm, dhe ka vlerësuar që informacionet që ka dhënë, kanë mundur të grumbullohen pa pasur nevojë për intervistim
Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka dëshmuar të mërkurën në Prokurorinë Speciale në lidhje me hetimet që janë duke u zhvilluar për kolegun e tij në Qeveri, ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci.
Peci dyshohet për keqpërdorim në lidhje me funksionalizimin e fabrikës për nënproduktet shtazore në Drenas.
Pas intervistës rreth 2 orëshe, Bislimi nuk pranoi të flasë para mediave për dëshminë që ka dhënë e as për ecurinë e saj.
Por, për të u shpreh në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
Bislimi tha se pyetjet që iu bënë nuk mund të cilësohen “si pyetje drejtuar një dëshmitari”.
E nisur nga prania e mediave para objektit ku do të intervistohej, Bislimi pretendoi se intervistimi i tij kishte qëllim tjetër.
“Nisur nga fakti se hyrja e ndërtesës ku u mbajt intervista ishte vërshuar nga portalet, gjë që nuk ndodh në raste të tjera kur ftohen dëshmitarët, dhe nga përvoja e nxjerrjes në media të lajmit për intervistim saktësisht kur po zhvillohej takimi trelateral i dialogut në Bruksel, del i pashmangshëm përfundimi se qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin ‘skandal’. ‘Skandal’ që origjinën nuk e ka as në Ministri të linjës e as në prokurori, por te eksponentë të medias”, ka shkruar Bislimi. “Kjo e vendos prokurorinë në një perspektivë jashtëzakonisht negative karshi përgjegjësive që ka dhe orientimit që ka zgjedhur të ndjekë. Do të ishte me interes të shumëfishtë që kjo qasje të rishikohet”.
Hollësi në lidhje me intervistimin e zëvendëskryeministrit Bislimi nuk ka dhënë as Prokuroria Speciale.
“Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Në kuadër të zhvillimit të hetimeve, të mërkurën në Prokurorinë Speciale është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit z. Besnik Bislimi. Por, nuk jemi në gjendje sot të diskutojmë apo japim detaje, meqë çështja është në fazën fillestare të hetimeve. Prokuroria Speciale në koordinim me Policinë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar të gjitha provat që do të shërbejnë për zbardhjen e rastit konkret”, ka thënë Arbnora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.
Në lidhje me dyshimet për keqpërdorime për dhënien me qira të fabrikës për nënproduktet shtazore, tri javë më parë, Prokuroria Speciale ka intervistuar në cilësinë e të dyshuarve ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci e kryeshefin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha.
Për këtë rast, prokuroria ka bastisur Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe atë për Zhvillimin e Bujqësisë, nga të cilat janë sekuestruar prova materiale.
Ministri në detyrë Peci dyshohet se ka shkelur Ligjin për pronë publike, pasi “pa ankand publik” ia ka dhënë pronën publike me qira për 20 vjet një kompanie për fabrikë të mbetjeve shtazore.
Sipas kontratës, kompania fituese do të subvencionohet për çdo kilogram të mbetjeve shtazore që ajo i trajton.