Vizitën e tij të dytë në Kosovë si president i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e shfrytëzoi për të ritheksuar kërkesën për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. E ndonëse u pyet për përgjegjësinë e Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë, ai nuk paralajmëroi masa nga Bashkimi Evropian, por u bëri thirrje palëve të përqendrohen kah e ardhmja
Presidenti i Këshillit Evropian (KE), Antonio Costa, nuk ka paralajmëruar masa ndaj Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Sinjalin e dha pas vizitës së tij, që e ka zhvilluar të mërkurën në Prishtinë, ku u takua me liderë institucionalë dhe politikë. Ai përgëzoi Kosovën për përafrimin vullnetar të politikës së jashtme me atë të BE-së dhe theksoi se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet kusht për avancimin e të dyja vendeve drejt integrimit evropian.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë këtë kontekst, ai kërkoi zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Sa i përket përgjegjësisë së Serbisë për sulmin në Banjskë, presidenti i KE-së, nuk përmendi masa të mundshme nga BE-ja, por kërkoi që palët të fokusohen kah e ardhmja.
“Por ne duhet të vendosim, se çkaje t’i japim vlerë – të ardhmes sonë të përbashkët apo luftërave të shkuara me njëri-tjetrin. Ne duhet të fokusohemi në të ardhmen. Dhe ajo çka po them këtu është e njëjta që do ta them edhe në Beograd dhe nëse është e rëndësishme që ju përfshiheni në dialog, është esenciale që edhe Beogradi të përfshihet në dialog dhe për këtë, sigurisht, secili duhet të jetë në mirëbesim dhe të njohë atë që duhet njohur por të fokusohen në të ardhmen”, ka thënë ai, kur u pyet për masat e mundshme.
Ish-kryeministri i Portugalisë tha se ka inkurajuar liderët politikë që integrimin evropian ta vënë si prioritet përtej ndasive politike.
Costa konfirmoi mbështetjen e BE-së, por tha se nuk mund t’ia kryejë Kosovës detyrat që ka para vetes.
E lidhur me procesin e integrimit, theksoi se, nëse Kosova përmbush obligimet e saj, nuk do të ketë probleme nga ana e BE-së.
“Secili problem e ka kohën e vet. Jemi pajtuar në agjendën e reformave, në procesin drejt anëtarësimit në BE. Është shumë e rëndësishme që Kosova hap pas hapi të japë rezultate te ato që jemi pajtuar. Vlerësimi është që në fund të procesit më s’do të kemi asnjë problem nga ana e BE-së. Ajo që duhet për momentin është ky konsensus i madh kombëtar në lidhje me anëtarësimin në BE, e kjo mund të përkthehet në veprime konkrete”, ka thënë Costa.
Gjatë ditës, ai u prit edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ndonëse pas takimit nuk pati konferencë të përbashkët për media, Kurti shkroi në Facebook se e ka falënderuar presidentin e Këshillit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, të cilën e cilësoi si donatoren më të madhe për zhvillimin e Kosovës.
Kurti ka treguar edhe kërkesën kryesore që i është shtruar Costas.
“Republika jonë ka shënuar përparim të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e lirive, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik”, ka shkruar Kurti. “Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është përcaktim i yni, për të cilin jemi të angazhuar dhe të përkushtuar me tërë dijen e mundin. Ecjes sonë të palëkundur e të pakusht drejt saj, BE-ja duhet t’i përgjigjet me dhënien e statusit të shtetit kandidat dhe hapjen e negociatave”.
Edhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka thënë se në takim me Costën ka shprehur vendosmërinë e shoqërisë dhe shtetit të Kosovës për integrim në BE.
“Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror dhe zgjedhje demokratike e qytetarëve tanë. Diskutuam për agjendën evropiane të Kosovës, Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, reformat, stabilitetin rajonal dhe rëndësinë e konsensusit kombëtar për çështjet që lidhen me Bashkimin Evropian”, ka thënë Haxhiu, pas takimit. “Kosova mbetet një nga shoqëritë më proevropiane në rajon. Ky orientim i qartë i qytetarëve tanë është forcë për vendin dhe bazë e sigurt për rrugën tonë evropiane”.
Costa zhvilloi takime edhe me përfaqësues të partive politike.
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se ka riafirmuar qëndrimin se Kosova duhet të vazhdojë rrugëtimin e saj evropian. Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se Kosova duhet të jetë pjesë e familjes evropiane dhe se për këtë nevojiten institucione stabile.
Presidenti i Këshillit Evropian u takua edhe me kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini, si dhe me përfaqësues të Listës Serbe.
Që nga viti 2024, Antonio Costa e udhëheq Këshillin Evropian, institucionin që përcakton drejtimet kryesore politike të Bashkimit Evropian.
Vizita e tij në Kosovë i paraprin Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet të premten në Tivat të Malit të Zi. Para Kosovës, Costa ka qenë në Bosnje e Hercegovinë dhe në Shqipëri, ndërkaq pasditen e së mërkurës ka shkuar në Maqedoninë e Veriut. Ai do të udhëtojë më pas në Serbi, përpara se ta mbyll turin në Mal të Zi, ku do të mbahet samiti.