“Ato momente ishin të vështira, pasi që ishim pak zyrtarë policorë, veturat i kishim të dëmtuara nga predhat, mua më rridhte gjak, gjithashtu, vërejta që jam i plagosur edhe në këmbë dhe aty kam vërejtur që ka qenë një dron, duke na i vëzhguar lëvizjet. Kam shtënë në drejtim të dronit, por nuk e di a e kam goditë...”, ka rrëfyer në gjykatë, për luftimet me grupin terrorit serb në Banjskë, zyrtari i Njësisë për ndërhyrje të shpejtë, Alban Rashiti
Se si një ditë e zakonshme pune u kthye në një ballafaqim të armatosur e me viktima në njerëz, kanë dëshmuar dy zyrtarët policorë, Alban Rashiti dhe Çlirim Shaqiri, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, njëri i plagosur e tjetri me lëndime të rënda nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.
Zyrtari policor në Njësinë për ndërhyrje të shpejtë, Alban Rashiti, e ka rrëfyer në detaje përballjen me grupin terrorist serb, në rastin ku të akuzuar me procedurë të veçuar janë Bllagoje Spasojeviq, Vladimir Toliqit dhe Dushan Maksimoviqit.
“Informatën e parë për një veturë të dyshimtë e kemi pranuar në ora 21:00 dhe informata ka qenë nga dhomat komanduese, një veturë është e parkuar në një livadh dhe ajo informatë është dhënë nga njësia për reagim të shpejtë dhe sipas tyre ajo veturë është e dyshimtë. Nga dhoma komanduese është konfirmuar se për këtë veturë nuk ka të dhëna në sistem”, ka thënë Rashiti në nisje të dëshmisë.
Ai ka treguar për shkuarjen e njësiteve të tjera të Policisë në vendngjarje, përfshirë edhe rreshterin e vrarë, Afrim Bunjaku.
“Sa kemi arritur në fshatin Banjska, më saktësisht te ura, kemi vërejtur dy kamionë, peshë e rëndë, që e kanë bllokuar ose barrikaduar urën, pra kanë qenë mbi urë të parkuar, paralel. Kemi vëzhguar, fillimisht, a ka diçka të dyshimtë, nuk kemi pa persona që po lëvizin, kolegët kanë tentuar ta lajmërojnë menjëherë dhomën komanduese, mirëpo ka pasur problem me kalu radiolidhjen dhe e kemi parë të arsyeshme që të shkojmë në një pozicion tjetër, që të komunikojmë lirshëm. Kemi vazhduar në rrugën kryesore, nuk ka pasur diçka të dyshimtë, kemi kontaktuar me dhomën komanduese dhe i kemi raportuar për dy kamionët e dyshimtë, që e kishin barrikaduar urën. Nga dhoma komanduese na është kërkuar të kthehemi në vendngjarje dhe mundësisht na janë kërkuar foto, menjëherë jemi kthyer në hyrje të fshatit Banjska”, ka rrëfyer Rashiti.
Ai ka treguar edhe për momentin e ardhjes se ndihmës nga njësia policore e Zveçanit, para se të përballeshin me sulmin me armë zjarri nga grupi terrorist.
“Veturën e kemi parkuar diku 30 metra larg kamionëve, për shkak se kishte shumë ndriçim. Nga dhoma komanduese na është thënë se janë dërguar 2 njësi për asistencë, njësi të Zveçanit. Jemi dalë me kolegët Mirsadin dhe Çlirimin. Unë dhe Mirsadi jemi afruar te kamionët me shiku nëse ka diçka të dyshimtë, nuk ka vonuar më shumë se 20 minuta, kanë arritë dy vetura policore në vendngjarje, aty kanë qenë 6 policë, përfshirë të ndjerin Afrim Bunjaku, unë kam qenë afër kamionëve, e Mirsadi ka komunikuar me kolegët e tjerë. Mirsadi me një koleg kanë vazhduar në drejtim të kamionëve, t’i shikojnë për së afërmi. E kujtoj që rreshteri Afrimi ka ardhur dhe jemi konsultuar që t’i marrim disa pozita dhe të jemi në gjendje gatishmërie, pasi e dinim që mund të kishte rrezik”, ka shtuar ai.
Rashiti tutje ka rrëfyer momentin e vrasjes së rreshterit Bunjaku dhe plagosjen e tij. Ka shtuar se pas shpërthimeve ka pasur gjuajtje nga dhjetëra pozicione në drejtim të tyre.
“Nuk ka pasur diçka tjetër të dyshimtë, përpos kamionëve dhe ndriçimit, pasi ka qenë ndriçim shumë më i madh se ditëve të tjera. Gjendja në fshat ka qenë thuajse qetësi absolute, gjë që nuk ka qenë e zakonshme në atë kohë. Kam kërkuar nga kolegu Çlirimi t’i përdorë dylbitë termike, që të shikojë nëse ka diçka të dyshimtë. Ndoshta kur jam larguar 3 apo 4 metra nga Afrim Bunjaku, nga ana e majtë ka ndodhë një shpërthim i papritur dhe jam plagosur në anën e majtë. Shpërthimi ishte shumë i madh, eksplodim shumë i madh. Jam munduar të kaloj në pozitë mbrojtëse afër një kamionete, menjëherë ka ndodhur një shpërthim tjetër. Pa u vonuar shumë, kanë filluar gjuajtjet me armë zjarri, kur kanë filluar kemi parë që ka gjuajtje nga tërë fshati, nga dhjetra pozicione me armë të kalibrave të ndryshëm, kemi filluar ta kthejmë zjarrin, mirëpo në anën e majtë timen kam vërejtur se rreshteri Afrim Bunjaku ka mbetur i shtrirë dhe i gjakosur nga qafa dhe i palëvizshëm, dhe kemi kërkuar nga Çlirimi të afrohet me veturë, që ta tërheqim rreshterin nga ai vend, ai është nisur me makinë dhe e kanë goditur me predha të ndryshme dhe e kanë bërë veturën e palëvizshme”, ka vazhduar ai.
Ai tutje ka treguar për momentin e tërheqjes së rreshterit Bunjaku.
“Pasi që ka ardhë Çlirimi te unë, nga kolegu Mirsadi më është kërkuar që t’i godas dritat te ura, pasi që plumbat vinin afër neve. I kemi goditur dritat për të krijuar një errësirë, pastaj më është kërkuar nga Mirsadi që ta mbuloj me zjarr, edhe pse kam qenë i plagosur, por nuk i kam treguar kolegut, kam filluar ta mbuloj me zjarr Mirsadin. Ai ka shkuar te vetura tjetër që ta sjellë e ta tërheqim rreshterin Bunjaku. Kanë shti zjarr dhe Mirsadi ka kërkuar që rreshterin ta fusim në veturë”, ka dëshmuar ai.
Rashiti ka theksuar se terroristët po i vëzhgonin përmes dronit, gjatë kohës sa kishte gjuajtje nga të dyja anët. Ai ka thënë se ka shtënë në drejtim të tij, por ka theksuar se nuk është i sigurt nëse e ka goditur.
“Ato momente ishin të vështira, pasi që ishim më pak zyrtarë policorë, veturat i kishim të dëmtuara nga predhat, mua më rridhte gjak, gjithashtu, vërejta që jam i plagosur edhe në këmbë, dhe aty kam vërejtur që ka qenë një dron duke na i vëzhguar lëvizjet, kam shtënë në drejtim të dronit, por nuk e di a e kam goditë. Aty kam kaluar nga kolegët, që të bashkohemi në një pikë të vetme, pasi disa ishin në një pikë tjetër, kemi arritur me mbulim të zjarrit të grumbullohemi dhe aty e kemi parë gjendjen, që gjuajtjet, thuajse, u ndalën dhe kishte lëvizje të dyshimta dhe menduam që personat, që po na sulmonin, po afroheshin te ne. Aty prapa kemi filluar ballafaqimin deri në momentin kur ka ardhur asistenca nga Kushtova”, ka thënë ai.
Sipas Rashitit, për përdorimin e armëve, që janë përdorur, duhet të ketë trajnime specifike. Ka theksuar se gjithçka ka qenë e koordinuar, pra sipas tij, ata kanë qenë një grup mirë i përgatitur dhe nuk ka qenë grup kriminal i zakonshëm.
“Kanë qenë të strukturuar shumë mirë, aty është gjuajtur edhe me raketahedhës, që kërkon kompetencë, as ushtari i thjeshtë nuk di ta përdorë raketahedhësin”, ka thënë ai.
Rashiti ka thënë se ende nuk e ka filluar punën, shkaku i plagëve që ka marrë atë ditë.
Çlirim Shaiqiri, zyrtar policor nga Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë, ishte dëshmitari i dytë i Prokurorisë në rastin “Banjska”. Ai, gjatë dëshmisë së tij, ka thënë se ka marrë lëndime të rënda, si pasojë e sulmit, dhe vazhdon ende të marrë trajtim mjekësor.
“Gjatë ditës së 23 shtatorit kemi pasur detyra të rregullta. Në pjesën e paradites gjendja ka qenë e qetë, nuk ka pasur diçka të jashtëzakonshme. Pasi kemi përfunduar ndërrimin, kemi vazhduar në bazën e Kushovës... Pasi kemi bërë zëvendësimin e kolegëve në ora 20:00, kemi vazhduar me detyra, ku diku pas një ore, kemi marrë një informatë përmes dhomës komanduese për një veturë të dyshimtë. Kemi vazhduar në patrullim, vetura ka qenë me targat KM, ngjyrë hiri. Gjatë asaj kohe vetura është verifikuar nga dhoma komanduese. Dhe, më pastaj, kemi vazhduar me detyra të rregullta si zakonisht deri në orarin e asaj pike, në orën 2 e 10”, ka thënë ai.
Edhe Shaqiri e ka konfirmuar rrëfimin, që në gjykatë e solli kolegu i tij Alban Rashiti. Ai ka treguar se të shtënat që nga momenti i shpërthimit, nuk janë ndalur asnjë moment dhe se është përdorur armatim i rëndë kundër tyre.
Tutje, ka shtuar se pasi është qëlluar rreshteri Bunjaku, janë munduar ta fusin në veturë. Ka dëshmuar se pasi e kanë futur në veturë, ai e ka parë që nuk ka puls, por ka theksuar se nuk kanë mundur t’i ofrojnë ndihmë tjetër.
“Por, për shkak të errësirës në pjesën e fshatit nuk kemi arritë t‘i identifikojmë çfarë pajisesh, por ka qenë armatim i rëndë, sulmi ka ardhur nga manastiri i fshatit dhe përreth. Gjatë qëndrimit me kolegë afër kamionëve, zyrtari policor Mirsad Kryeziu na është afruar dhe është munduar që të bëjë lëvizje për t’u afruar te vetura, që kemi pasur në lokacion. Gjersa ai ka bërë lëvizje, unë me kolegë e kemi mbuluar me zjarr. Mirsadi është afruar te vetura për t’i dhënë ndihmë rreshterit Bunjaku, është futur te njëra veturë, ka tentuar ta ndezë dhe kolegu Albani i ka treguar që vetura është dëmtuar dhe nuk punon. Më është thënë nga kolegu Rashiti që të bëjmë dëmtimin e ndriçimit, për shkak se kemi qenë në pozicion të zbuluar dhe në rrezik të madh për jetë. Kolegu Mirsadi e ka marrë veturën tjetër dhe është afruar te trupi i rreshterit të ndjerë Bunjaku. Ka filluar ta tërheqë trupin e tij, ta fusë në veturë, ku i ka ndihmuar edhe një koleg tjetër nga stacioni i Zveçanit, por, për shkak të sulmit, nuk kanë mundur që vetëm ata dy ta fusin në veturë, Mirsadi ka kërkuar ndihmë nga kolegët e tjerë. Albani ka thënë që, për shkak të plagëve dhe gjakderdhjes, nuk mundet të tërhiqet dhe më ka thënë mua që t’i ndihmoj. Kam dalë te pjesa e kolegëve dhe e kam shtyrë trupin, për ta futur në veturë, por s’kemi mundur dhe jam sjellë nga ana tjetër dhe e kam tërhequr trupin në veturë. Në ato momente kam kërkuar për puls, nuk kam mundur të vërej, por për shkak të sulmit s’kemi mundur t’i japim ndihmë tjetër”, ka thënë ai.
Prokuroria Speciale, më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve, për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast, si rezultat i dhunës së përdorur, ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku, e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, dhe 40 të akuzuarit e tjerë ka, fletarrest ndërkombëtar, pasi ndodhen në arrati.