Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitari në rastin “KEK 2” tregon për mospërputhjet e nënshkrimeve në tender

Rasti KEK

Dy zyrtarë të prokurimit kanë dëshmuar në rastin ku për keqpërdorim të detyrës zyrtare me dy tenderë akuzohen ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ish-shefi i prokurimit Ymer Dragusha, si dhe avokati Isuf Zejna. Njëri prej dëshmitarëve tha se ishte e pashmangshme që të anulohet procedura e prokurimit për riparimin e kaldajës, pasi sipas tij nënshkrimet e operatorit nuk përputheshin

Dy zyrtarë të prokurimit të KEK-ut, Emin Tmava dhe Mustafa Kavaja, kanë përmbyllur dëshmitë e tyre të mërkurën, në rastin ku ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi e ish-shefi i prokurimit Ymer Dragusha akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kurse avokati Isuf Zejna për ndihmë në kryerjen e keqpërdorimit. 

Tmava ka thënë se tenderi në procedurë të hapur për riparimin e kaldajës së bllokut “A5” u desh të anulohej pashmangshëm, pasi sipas tij, kompania “Litwin” ishte shpallur e përgjegjshme shkaku i nënshkrimeve jo-autentike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nënshkrimet në deklaratën nën betim nuk kanë qenë autentike dhe të njëjta me dokumentet e tjera”, ka thënë Tmava.

Tek i është përgjigjur mbrojtjes së ish-kryeshefit Krasniqi, Tmava është shprehur se nuk kanë pasur mundësi tjetër veçse ta ndërprisnin procedurën e prokurimit edhe pse sipas tij, mund ta ketë vendosur në siklet udhëheqjen e ndërmarrjes, që donte ta kryente riparimin brenda afatit të paraparë.

“Ndoshta e ka vu në siklet por nuk mund ta rekomandojë kur një operator ekonomik nuk është i përgjegjshëm”, ka thënë Tmava.

Zyrtari tjetër i prokurimit, Mustafa Kavaja, nuk mundi t’i kujtonte shumë nga deklaratat e dhëna në prokurori dhe në një moment kontestoi ato që ka thënë.

Me lejen e gjykatës, prokurorja Fikrije Fejzullahu e ka ballafaquar atë me nënshkrimet e tij në secilën deklaratë dhënë Prokurorisë Speciale. 

Dëshmitari i ka konfirmuar të gjitha faqet e deklaratës dhe ka thënë se beson se në kohën kur e ka dhënë deklaratën e kishte kujtesën më të freskët. 

E në përgjigje të pyetjeve të mbrojtësit të Isuf Zejnës, avokatit Artan Qerkini, dëshmitari është shprehur se kompanitë nuk obligohen të interesohen për llojin e procedurës së tenderit.

“A është detyrë e operatorit të pyesë nëse procedura që po zhvillohet duhet apo jo të jetë tender i hapur?”, ka pyetur avokati Qerkini, për çka ka marrë përgjigjen e Kavajës: “Jo”.

Kavaja ka thënë se procedura me kompaninë “Rexhepi-Zeqiri-Zejna” është pezulluar pas arrestimit të ish-kryeshefit Nagip Krasniqi. Ai ka deklaruar se në bazë të dijenisë së tij kur bëhet negocimi pa tender publik u kërkohet ofertë disa kompanive për ta kryer një aktivitet dhe se negocimi me një kompani të vetme ndodh vetëm atëherë kur një punë mund ta kryejë vetëm ajo kompani.

Sipas aktakuzës, Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Isuf Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.

Krasniqi e Dragusha akuzohen po ashtu se u kanë mundësuar përfitim të kundërligjshëm kompanive “Monting Energetika” dhe “Litwin S.A”, që ishin shpallur të papërgjegjshme në procedurën e hapur të prokurimit më herët, ndërsa për avokatin Isuf Zejna prokuroria pretendon se u përfshi në përpilimin e tenderit me negocim në vlerë 60.0000 euro, që më pas e fitoi kompania ku është aksionar.